Cikël poetik nga Leon Lekaj
Prag nisjeje
Nji tel i padukshëm
Pushtue prej nji vije zogjsh
Pret urdhnin e vjeshtës
Që t’ fitojë lirinë.
Vjeshta pa ty
Ajo vjeshtë i dogji të gjitha!
Ngjyrën e portikëve të vjetër
burgun steril të shpresës
dhe rrugët e mundimshme për tek ti.
Mbeta fillikat
mes hutimit njerëzor të zotave
dhe arratisë shpendëve
që nuk thanë qoftë edhe një fjalë të vetme
për ikjen tande.
Tash…
fle dhe zgjohem
me trokun e takave të tua në qafë
dhe shtegun e vetëm
që më çon tek sytë e tu.
e mbaj hapë
edhe këtu…
n’rrënojat e mbetuna të botës
që janë ndëshkue
mos me ndenjë kurrë afër teje.
Vjeshtë
T’lodhuna nga lufta e verës
Gjinkallat nënshkruen armëpushimin
E kanga e tyne
Asht hjekë vitrinash.
Shall i verdh’ asht rruga
Nën pemët e zhveshuna
Që shenjojnë vedin
N’ pasqyra të rrzueme gjethesh.
Dikush mbas xhamit t’errët
Përgjon shiun e radhës
Asht vendi ma i qetë
Ku msheh lotin e idhtë.
Kaq afër fjalëve që përbajnë thelbin tand
Edhe syt’ e verbt i shofin ngjyrat.