Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Eden Babani

 

Vjeshtë

 

Dy gjethe,

të fundit gjethe të një dege,

me smirë i përlau smirëzeza erë.

U nxi dhe qielli resh të zeza sterrë,

u mpi edhe në shpirtin tim,

e fundit ndjenjë e ngrohtë

e së kaluarës verë.

 

Vocërraku zog ia tha me ngashërim

si për të fundit herë

dhe heshti.

Ashtu dhe unë heshta.

 

Verdhacuke

si gjithandej

edhe mbi mua

këmbëkryq

u shtrua vjeshta…

 

Vlorë-Skelë, 1961.

 

Vlorës

 

Ullishtat rreth e qark porsi kurorë

kryet e tua hijshëm zbukurojnë.

Në degë ulliri zogjtë cicërojnë,

për ty qyteti im, e kaltra Vlorë.

 

Qiejve të kaltër, shqipet të kundrojnë,

kur ti më bukur po stolisesh prore

dhe për lavdinë tënde, imja Vlorë,

valët e Jonit ëmbël murmurojnë.

 

Pa egërsi e tyre grish Karaburunin,

pa ngre Sazanin – malet pleq-vëllezër –

në karakoll, gjithkujt t ’ia ndalin turrin,

 

të ndalin çdo të keqe ogurzezë.

Dhe ti Labike me Flamur Arbërorin

ta tundësh motin si dikur Nëntorin.

 

Vlorë-Skelë, 1961.

 

 

Ushtar

 

Ushtar në kohën time,

kur armët me cinizëm vringëllojnë,

kur dhe stoikët stoicizmin e mohojnë.

 

Ushtar, e dashur,

kur përbri shtratit tonë bashkëshortor

përkundet në një djep të vockël

një foshnje

ideal i jetës,

i bashkimit,

i dashurisë sonë.

 

Ushtar!…

Mjerë ju, o njerëz, rreth e qark,

Mjerë edhe unë një me ju,

Veshur tebdil si ushtarak!

 

Vorë, 1963, Reparti Ushtarak i Punës 5310.

 

 

Në tren

 

Bri meje një djalosh,

diçka me zë të ulët po këndon.

Këndon, dhe kjo është një dëshirë,

e shpesh dëshira njerëzit i pushton

të bëjnë diç, të keqe a të mirë,

a, kushedi, kurrkënd të mos trazojnë,

veç si djaloshi përbri meje të këndojnë.

 

Dëshire gjithsecili mbushet plot,

ndaj jo më kot

ajo pushton këdo,

të madh, të ri a çilimi,

klerik, punëtor a profesor,

a çfarëdo qoftë, veç njeri,

të jetë ky dhe horr.

 

Dëshire, mbushem dhe unë

plot e përplot.

Pa kjo dëshirë e shenjtë,

e lirë dhe e shtrenjtë,

– e lirë se kudo e has në botë,

e shtrenjtë se s’ guxon njeriu ta thotë –

më bren si krimbi drunë e thatë

e copash zemrën ma copëton

si bujku plisat me një shatë.

 

Dhe si nga plisat e një are

shpërthejnë lart filiza plot,

ashtu shpërthen e më mbyt fare,

më mbyt sa frymë nuk marr dot

dëshira ime e madhe,

dëshira ime e dëlirë,

dëshira ime e shtrenjtë,

të jetoj i lirë.

 

Vorë, mars, 1964. (Reparti Ushtarak i Punës 5310).

 

Please follow and like us: