Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: A ËSHTË KY KRYEDIPLOMATI AMERIKAN NË ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT TË ZGJEDHUR XHO BAJDËN?

Ne foto: Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Tony Blinken ndërsa helikopteri i tyre zbret në Aeroportin e Prishtinës në Kosovë, të Premten, 22 Maj 2009./

Portali i lajmeve ‘The Hill’, me burime të besueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në qeverinë amerikane në Washington — njofton se Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën ka emëruar tanimë Sekretarin (e ardhshëm) Amerikan të Shtetit, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për të përzgjedhur antarët e tjerë të administratës së tij të ardhëshme.

Sipas portalit në fjalë, i cili citon një burim të mirë informuar me procesin e përzgjedhjes së kabinetit të ri, Z. Xho Bajdën ka vendosur të emërojë diplomatin veteran dhe bashkëpuntorin e tij të ngusht, Z. Tony Blinken në detyrën e Kryediplomatit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Sipas burimit në fjalë, pritet që Z. Bajdën të njoftojë, zyrtarisht, javën që vjen, të preferuarin e tij për Sekretar Amerikan të Shtetit.

Disa burime të tjera thonë se Z. Bajdën po konsideron ish-diplomatin Tony Blinken edhe për detyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, por duket se të gjitha shënjat tregojnë se Z. Blinken do jetë Kryediplomati i ardhshëm amerikan – një zyrtar që gëzon respekt nga të dy palët në Kongres – duke pasur gjithashtu parasysh se zyrtarët e lartë të administratës së ardhshme duhet të miratohen nga Senati, i cili mund të kontrollohet nga republikanët për katër vitet e ardhëshme, diçka që do të vendoset përfundimisht me zgjedhjet për Senat, që do të zhvillohen në shtetin Xhorxhia, në janar 2021.

Kush është Tony Blinkey? Sipas biografisë zyrtare botuar në faqën e Departamentit Amerikan të Shtetit kur ishte në detyrë, në mandatin e dytë të ish-presidentit Barak Obama, Z. Antony J. Blinken ka shërbyer si Zevëndës Sekretar i Shtetit — numri dy i diplomacisë amerikane – si zevëndës i Z. Xhon Kerry.  Blinken, Antony J. (state.gov)

Z. Blinken ka mbajtur pozicione të larta të politikës së jashtme në dy administrata, për dy dekada. Ai ka shërbyer si Ndihmës i Presidentit dhe Zëvendës i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kapacitet, ai ka kryesuar Komisionin Ndër-qeveritar të Kongresistëve, forum kryesor ky i administratës për formulimin e politikës së jashtme. Gjatë mandatit të parë të Administratës Obama, ai ishte Zëvendës Ndihmës i Presidentit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Zëvendës Presidentit Xho Bajdën. Z. Blinken ka shërbyer për gjashtë vjet si zyrtar i lartë administrativ në Kongres (2002 – 2008) si Drejtor i Personelit demokrat për Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan.

Z. Blinken ka qenë gjithashtu anëtar i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Clinton në Shtëpinë e Bardhë nga 1994-2001. Nga 1999 në 2001, ai ishte ndihmës i posaçëm i presidentit dhe drejtor i lartë për çështjet evropiane – Këshilltari kryesor i Presidentit Klinton për marrëdhëniet me vendet e Evropës, me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Nga viti 1994 deri në vitin 1998, Z. Blinken ishte Ndihmës i posaçëm i Presidentit Klinton dhe Drejtor i Lartë i zyrës që merrej me përpilimin e fjalimeve me rëndësi të presidentit mbi politikën e jashtme dhe më pas ka shërbyer edhe si Drejtor i Planifikimit Strategjik: si mbikqyrës i përpilimit të politikës së jashtme, komunikimeve dhe politikës së jashtme në përgjithësi të Presidentit Klinton. Z. Blinken ka filluar shërbimin e tij në diplomaci në Departamentin e Shtetit ku nga viti 1993 në 1994 ai ka shërbyer si Ndihmës i posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Kanadeze. Pas largimit nga Administrata e Klintonit, ai ka punuar si zyrtar i Lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare një qëndër me rëndësi studimesh botërore në Washington. Para se t’i bashkohej Administratës së Presidentit Klinton, Z. Blinken ushtronte profesionin e avokatit në New York dhe në Paris. Ai ka qenë aktiv edhe në fushën e gazetarisë, duke shërbyer si korrespondent i revistës “The New Republic”, ndërkohë që ka botuar artikuj me subjekt të politikës së jashtme, përfshir “New York Times”, “The New York Times Magazine”, “Foreign Affairs”, e të tjera. Ai është diplomuar në Harvard College, Magna cum Laude dheka kryer jurisprudencën në Universitetin Columbia.

Gjatë fushatës për president, Z. Tony Blinken ishte zëdhënsi kryesor i Presidentit të zgjedhur Bajdën për politikën e jashtme. Është e qartë se  në cilëndo detyrë të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare —  si Sekretar i Amerikan i Shtetit ose Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – që Xho Bajdën do ta emëroj atë, Tony Blinken ka përvojën dhe duket se do të ketë edhe mbështetjen e emërimit të tij në detyrën e kryediplomatit amerikan edhe nga Senati, që mund të jetë në dorë të republikanëve, sesjonin e ardhëshëm të Kongresit amerikan.

Përsa i përket njohurisë së Z. Blinken për punët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Ballkanit – ai duhet të jetë i informuar shumë mirë për gjëndjen në dy shtetet shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Mjafton t’i hedhim një shikim të shpejt karjerës së tij në Washington, gjatë dy administrave të mëparshme dhe detyrave tjera të tij të rëndësishme, brenda dhe jasht qeverisë: Të gjitha detyrat e tija të larta kanë qenë të lidhura ngusht me politikën e jashtme të Shteteve të  Bashkuara, duke pasur në fokus të veçanti politikën amerikane karshi Evropës dhe NATO-s gjatë dekadave të fundit.

Gjithashtu, është interesant fakti se gjatë 1990-ave – periudha më  kritike e politikës së angazhimit amerikan ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi — Tony Blinken ishte pjesë e stafit të Presidentit Klinton në Shtëpinë e Bardhë, gjatë njlë periudhe që u morën vendime me rendësi, sidomos për Kosovën.  Emërimi i Z. Blinken në cilëndo detyrë qoftë, është një ogur i mirë për politikën e ardhëshme amerikane ndaj Kosovës due Shqipërisë, për vet faktin se ai ka punuar për Zevendës Presidentin Xho Bajdën — si këshilltar i sigurisë kombëtare — kur ky ishte numri dy i këtij vendi, ndërkohë që dy vitet e fundit ka shërbyer si zëdhënës numër një i politikës së jashtme gjatë fushatës së Z. Bajdën për president.  Në një intervistë para disa koshë, Z. Blinken e përmblodhi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nën administratën e Z, Bajdën me tri fjalë: Rivendosja e “rolit udhëheqës” të Amerikës në botë, “bashkpunim dhe demokraci”.

Z. Xho Bajdën kur ishte senator por edhe më vonë, ishte njëri prej mbëshetësve politik amerikanë më të vendosur të Kosovës, Shqipërisë dhe të të drejtave të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Kështuqë, në cilëndo detyrë të politikës së jashtme ta emërojë Presidenti i zgjedhur, Z. Blinken — qoftë si kryediplomat i Amerikës ose si Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – për shqiptarët është një gjë tepër pozitive që Zoti Tony Blinken është një person i mirë-informuar për gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë si dhe për gjithë shqiptarët në Ballkanin perëndimor, ashtu siç është i mirë-informuar edhe bosi i tij i ardhëshëm, Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën. Kur të vijë puna tek çeshtjet shqiptare, nuk besoj se as njëri as tjetri të kenë nevojë të kërkojnë nga stafi i tyre dosje të posaçme mbi ndonjë problem shqiptar. Joe Biden supporting Albanians early time – YouTube.

Antony J. Blinken, i besuar i Presidentit të zgjedhur Xho Bajdën dhe i përfolur si i emëruar prej tij në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit ose Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në administratën e ardhshme amerikane.

 

A ËSHTË KY KRYEDIPLOMATI AMERIKAN NË ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT TË ZGJEDHUR XHO BAJDËN?

 

 

 
Please follow and like us: