Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: MIQTË E KOMBIT SHQIPTAR
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Kombi shqiptar është gjendur shpesh në udhëkryqe historike. Erërat e luftrave të përbotshme, rajonale e fqinjësore kanë bërë që toka arbërore të ishte e lakmueshme. Por përkrah shqiptarëve janë gjendur elementë të forcave progresiste, të drejtë, të mençur dhe vizionarë, njohës të historisë e traditës, që kanë ditur të vënë pikën mbi “i”, të japin të drejtë një populli të vogël e të vuajtur, që në rrebeshet e kohrave është gjendur mes tallazesh të paparashikuara, mes civilizimesh e mes barbarësh që e kanë parë plazdarmën e tokës shqiptare si prenë e mundshme të radhës. Nga ana tjetër raca shqiptare me tiparet e veta, të mënyrës së vet të sjelljes, qëndrimeve, luftrave në mbrojtje të vetvetes ka krijuar admirues në të gjithë ekstremet e njerëzimit. Këndvështrime reale të formatit historik, kulturor, sociologjik, psikologjik e moral mbi kombin shqiptar gjenden në rrethet akademike, shkrimtarë, piktorë të kontrasteve e pezazheve, nga udhëtarë e personalitete të shumtë të mbarë botës. Përmes intelektualëve të shumtë veçanërisht në më shumë se pesë shekujjt e fundit miqtë e shqiptarëve kanë “vizatuar” karakterin bujar e mikpritës të shqiptarëve, mënyrën e vet të hakmarrjes jo si një “gjellë të ftohtë”, trima të çartur, këmbëngulës dhe të pathyeshëm që mund të shkojnë deri tek “fundi” i botës. Në rrugë e sipër në optikën e udhëtarëve, studiuesve e shkrimtarëve kanë ndriçuar mjaft veti e tipare mentaliteti të kombësisë së racës sonë luftëtare, bujare e rudimentare, veti të bukurisë shpirtërore dhe bukurisë fizike. Që bota të na njihte ne shqiptarëve, ne shkruam për vetëveten: Pashko Vasën, më 1879 botoi në frëngjisht, në Paris, librin “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”, Faik Konica me gjuhë thumbuese shkroi “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, Mid’hat Frashëri: “Shqiptarët” dhe “Plagët tona” etj. Në rrugëtimin njohës për kombin kanë ecur dhe Fan Noli, Faik Konica, At Gjergj Fishta e dhjetra të tjerë deri tek Ndriçim Kulla që më 2015 shkroi: “Kush jeni ju shqiptarët”? Kur bota mëson se shqiptarët janë raca e vetme nga evropianët më të lashtë, që kanë qenë mbrojtës të Europës, por të ndarë, dhunuar e coptuar po nga europianët, janë europianë që edhe pse shekujve është humbur shumëçka nga europianizmi, sërish kanë gjetur forca për t’u ringritur dhe sërish kanë synuar Europën.
Bota e njeh Shqipërinë dhe shqiptarët në disa përmasa gjeografike, edhe pse shtrishmëria në truallin arbëror është kaq e natyrshme: Shqipëria etnike para ardhjes osmane në Ballkan zinte një sipërfaqe rreth 110000 km². Në periudhën e pavarësimit të shteteve të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, Turqia u “fali” këtyre shteteve rreth 5000 km² të tokës shqiptare, ndërsa pas luftës së vitit 1876-1877 me Rusinë, Osmanët “dhuruan” në interes të ortodoksve të Ballkanit rreth 25500 km² të tokave shqiptare. Sipas Sami Frashërit, “Shqipëria ka një sipërfaqe prej 70000 km²”. Studiuesi francez L. Uelavitch thotë se “madhësia e sipërfaqes së Shqipërisë është 75000 km²”. Teki Selenica thotë: “sipërfaqja e Shqipërisë është 80000 km²”. Nëse e shikojmë vilajetet shqiptare në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ashtu sikurse e shikonin shumë miq të shqiptarëve shtrirjen tokësore do të thoshim se kishin këtë shtrirje hapësinore: Vilajeti i Kosovës ishte 32000 km²; Vilajeti i Shkodrës 10987 km², Vilajeti i Manastirit 28500 km², dhe Vilajeti i Janinës 17900 km², që të gjitha së bashku përbënin 87000 km 2 me një popullsi me rreth 3 milionë banorë. Fuqitë e Mëdha i dhuruan Serbisë 34000 km² me 1090000 banorë, Greqisë 10794 km² me 425000 banorë dhe Malit të Zi 7000 km² me 260000 banorë. Me luftërat ballkanike dhe Konferencën e Londrës më 29.7.1913 plotësuan ëndrrat e shteteve fqinje, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe u vendos kufiri i sotëm që nga rreth 90270 km², “u përmblodh” më pak se gjysmën e Shqipërisë së vërtetë, pra në 28748 km². Dhe të gjitha këto miqtë dhe armiqtë i kanë të dokumentuara në defteret e historisë. Prandaj me të drejtë Lord Byroni, që përpara 180 vjetësh do të shkruante: “S’ka komb tjetër të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë, sa shqiptarët”. Abdyl Frashri shkruajnë: “…se grekërit duhet të kërkojnë edhe Italinë Jugore, Azinë e Vogël, Rumaninë, Marsejën e Francës!”, jo më “tokën e kolonëve”, që mbollën në jug të Shqipërisë. Ndërsa Jani Vreto thoshte: “Në qoftëse ata vazhdojnë të ngrehin pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale ndaj Epirit, atëherë do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë që ranë për lirinë e grekërve dhe që kanë dhënë ndihmesë jo më pak se grekërit në themelimin e Mbretërisë greke”. Dijetari Spencer bënë një gjykim përgjithësues, “Mund të ndryshojnë emrat e një sërë rajonesh e t’i përfshijnë ato në provinca të tjera, por hartën natyrore të Shqipërisë s’ka dorë njeriu ta fshijë ndër kohë që banorët, krishterë a myslimanë, shquhen nga të njëjtat tipare, zakone, doke dhe prej të njëjtës gjuhë”. Kufijtë shqiptarë gjenden thjeshtësisht në histori, pse janë atje ku jetojnë shqiptarë në trojet e të parëve, që janë autoktonë në vendet e tyre, në trashëgiminë e gjuhës, kulturës, zakoneve shqiptare.
Pukëvili filohelen shkruan: “Habitem shumë dhe nuk mund të kuptoj si ka ndodhur që në Çamëri dëgjohet vetëm gjuha shqipe, sikur shqiptarët të jenë këtu vendës e jo grekërit”. Napoleoni e quajti pashallëkun e Janinës: “..një shtet i qëndrueshëm me popullsi e zakone të të gjithë shqiptarëve”. Po cilët ishin miqtë e shqiptarëve që mbrojtjen të drejtën e tyre në rrethana të ndryshme? Sigurisht që janë të shumtë, në të katër anët e botës. Personalitete të botës sonë u dashuruan me figurat e shquara të kombit tonë, me Pirro Epiriotin, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Nënë Tereza, Ismail Kadarenë, etj.
Do të ishte e udhës që në Tiranë, në kryeqytetin e shqiptarëve të ngrihej një shesh masiv me lulishte dhe statuja të të gjithë miqve dhe kontribuesve të kombit shqiptar si ish-Presidenti amerikan Udrou Uillson (Woodrow Willson), George Bush, Bill Klinton, ish-deputeti britanik Lordi Obrei Herbert (Aubrey Herbert), Elizabeth Ledi Karnavon (Elisabeth Lady Carnavon), Ruth V. Penington (Ruth V. Pennington), Miranda Vickers, Xhoan Fulc Kontos (Joan Fultz Kontos), Ada Oads (Ada Oades), Ualter Mildred Faruell (Walter Mildred Farwell), Ledi Hoxhson (Lady Hodgson), Margaret Mosli Uilliams (Margaret Moseley Williams), Swr Artur Godum (Sir Arthur Godum), Juis Man Hezon (Jouis Mann Hason), Heri Fulc (Hary Fulz), Stjuart E. Men (Stuart E. Mann), Vailit, Fineas Kenedi (Violett – Phineas Kenedy), Edvin E. Xheks (Edwin E. Jacques), Telford T. Erikson (Telford T. Erickson), Xheims R. Barton (James R. Barton), Dr. Barsli Eçson (Dr. Barceley Acheson), Roland Methjus (Roland Matthews), avokatët shqiptarë të pranimit në LK, Lordi Robert Cecil dhe N.W.Rowell, Bernard Njuman, Nigel Hezeltain, Xheizn Toms, Karleton Kun, Gustav Majer, gjermani Arnold Von Harf (A.V. Harff), Xhuzepe Shiro (Giusepse Schiro), Agostino Ribeko (Agostino Ribecco), Bernardo Bilota (Bernardo Bilotta), D.R. Oakley Hill, Bernd.J Fischer, konti austro-hungarez Gyula Andrassy, Konti Leopold Berchtold, Blesis Shemua, Janos Hadik ish-nënsekretar shtetit austrohungarez, Papa Benedikti XV, mikja e përhershme e shqiptarëve Edith Durham, francezi Justin Godard, Georg Williams, ushtaraku arbëresh Vinçenzo Giovani, Lordi Bajron, John Cameron Hobhause, i njohur edhe me emrin Lord Broughton, David Urquhart, Henry Holland, James Henry Skeene, Henry Tozer, Edmund Spencer, Benjamin Disraelin, Evlia Çelebiu, Eduard Liri, Udhëpërshkruesi i parë britanik William Martin Leake, Marcus Tanner, Antonio Baldaci, Enriko Telini, Heri Ajrs (Harry Eyres), Maksuell Bleik (Maxwell Blake), Julisis Grant-Smith (Ulysses GrantSmith), Çarls C. Hart (Charles C. Hart), Ualter Fransis Stirling (Walter Francis Stirling), gjeneralmajor Xhoslin Persi (Jocelyn Percey), ish-Këshilltar i Ministrit të Brendshëm, Joseph Swire, Glaud Golding, Xhon Kingsli Birxh (John Kingsley Birge), Jason Tomes, Xhozef Rousek, Kolonel E.C. de Renzi Martin, Bërnside (Burnside), Uells (Wells), Xhillet (Gillatt), gjenerali Leon De Gilardi, gjenerali austriak Gustav Von Myrdac, Nina Smirnova, Hasan Riza Pasha, Miqtë e shqiptarëve Eliot Engel, Xhozef DioGuardi, At Giuseppe Zef Valentini, Albanologu i shquar, Dr. Robert Elsie, Historiani zviceran Dr. Aleksandre Lambert, Johan Georg Fon Hahn, dëshmor i Albanologjisë Milan Shuflaj, Mihai Eminesku, Mathieu Aref, Aleksandër Stipçeviç, gazetarët amerikanë J. Humber dhe K. Rooth, Charles Richard Crane, francezi Emile Legrand-biografi i 742 titujve për shqiptarët, bamirës i Shqipërisë këshilltar i Presidentit Wilson njohës i çështjes shqiptare, Rose Wilder Lane ose “Edith Durham” amerikane e Shqipërisë, Robert D’Angely, franko-austriaku Ami Boue, Italo Sullioti, skocezja Margaret Hardin Hasluck, Gjeneral De Weer, britanikja Patricia Nuxh, studiuesi suedezo-gjerman Johan Erih Tunman, historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon), antropologu zvicerian Eugene Pittard, antropologu gjerman Walther Peinsipp, që shkroi gjatë LIIB librin “Populli i shqipeve të malit: një kontribut në “arkeologjinë” e drejtësisë dhe antropologjinë sociologjike të Ballkanit”, Rudolf Virchow si dhe qindra të tjerë. Ata që u dashuruan me Shqipërinë janë të shumtë, ose siç e quante Naimi, ata që u dashuruan me “kopshtin shkëmbor” të shqiptarëve. Dashamirësia ndaj shqiptarëve para së gjithash ka qenë dashimirësi ndaj të vërtetës historike. Ata kanë qenë korrekt me veten, përpara se të njihnin nga afër shqiptarët. Shumica e tyre kanë shprehur në mënyrë të balancuar anët e mira, por edhe mangësitë tek shqiptarët sepse askush nuk është nisur nga tendenca paraprake proshqiptare. Të huaj të cilët janë bërë dashamirës të shqiptarëve, janë nga pjesa që më së shumti kanë udhëtuar në Shqipëri, ose janë marrë me studimin e çështjeve të ndryshme shqiptare që i ka “imponuar” për t’u bërë dashamirës të Shqipërisë. Shqipëria ka qenë në fokus të vëmendjes së huaj edhe kur nuk ka qenë shtet, edhe kur ishte “ishull” e “nocion”, apo “shprehje gjeografike”. Pozita gjeografike e shqiptarëve ka qenë dhe ka ngelur një rrugë e lehtë kalimi nga lindja, me një dalje në një bregdet perëndimor, relievi që në mënyrë krejt origjinale e kombinuar me ashpërsinë malore e butësinë bregdetare, historinë komplekse luftrash të shumta mbrojtëse, e identifikuar me më të lartin e shpendëve “shqiponjën”, kanë përligjur kuriozitetin e të huajve, udhëtarë, shkrimtarë, piktorë, vizitorë dhe i kanë “detyruar” të shkrujnë udhëpërshkrime, ditare, libra udhëtimesh, artikuj gazetash, buletine, dokumenta politiko-historikë, analiza mbi kombin tonë me sipërfaqe të kufizuar por e pozicionuar gjeostrategjikisht në “kërthizën” e lakmive. Ka pasur edhe nga ata miq të Shqipërisë e shqiptarëve që i dhanë kuptim jetës duke e lidhur jetën me çështjen shqiptare. Në lidhje me Edith Durham, “Shqipëria i dha një kuptim jetës së saj, sepse ajo e rivendosi Shqipërinë në kujtesën e Europës” shkruan bashkëfushatuesi i saj, parlamentari britanik Aubrey Herbert. Antropologu i famshëm gjerman, Rudolf Virchow shkruante se, “Kafkat e shqiptareve tregojnë se i përkasin racës më superiore të Europës”, ndërsa akademiku dhe poeti shqiptaro-rumun Mihai Eminesku thoshte: “Raca e pastër shqiptare, e para nga perandoria e lashtë e Lindjes”. Ndërsa në lidhje me përkatësinë e besimeve “kapak” i vë Edith Durham kur thotë: “Qoftë i krishterë, qoftë mysliman shqiptari është me gjithë shpirt shqiptar”. Këtë tashmë e kanë mësuar miq dhe armiq të shqiptarëve. Por në rrugëtimin e gjatë historik ka pasur dhe ka të shitur dhe të pavërtetë sikurse kanë qenë dy gra angleze: Adeline Paulina Irby dhe Georgina Muir Mackenzie, që më 1867 botuan: “Travels in the Slavonic Provinces of Turkey-in-Europe”, ku shqiptarët (myslimanë e katolikë) përshkruhen si mos më keq, që ishin renditur në grupin që donin të minonin mundësinë e pavarësisë së shqiptarëve, që në tokat e tyre të pushtoheshin nga sllavët, dy gra që punuan që libri i tyre të bëhej manifest i politikës liberale britanike, që me kryeministrin Gladstone, i jepnin mbështetje kërkesave të sllavëve ortodoksë, gjithmonë në kurriz të shqiptarëve. Po kështu librat e Ibrahim Manxur efendiut për Ali Pashë Tepelenën, Tomsoni që tejkaloi kopetencat e dhëna nga mbretëresha e Hollandës që firmosi për Korçën e Gjirokastrën të bëheshin greke, e ndonjë tjetër që ka tjerrë hollë ose trashë antishqiptarizmin, por edhe të gjithë ata që kanë “gëlltitur” çorbën e naçertanie dhe megalidheas. Por e vërteta historike është mësuesja më e mirë dhe nuk të lejon të gabosh. Miqtë të shumtë të Shqipërisë mësuan një mësim të madh kur janë “marrë” me një komb të vogël, sepse kur merresh me historinë e Shqipërisë është shumë e rrezikshme sepse preken interesa të mëdha të lëmit ballkanik gjeopolitik e më gjerë, por ata që kanë vendosur të renditen në anën e shkencës, janë idealistët që pluhuri i historisë nuk mund t’i mbulojë kurrë sepse janë gjithënjë të larë më dritën e diellit, sepse të vërtetat historike janë mision për idealistët e kësaj bote.
E megjithatë pavarësisht njerëzve të pabesë të historisë, dora e miqve të shqiptarëve sado të largëta e larg që kanë qenë kanë qenë edhe shpëtimtare edhe mike, që mirënjohja është pak për ta. Një pjesë e konsiderueshme kanë lënë vepra dhe kur veprave të tyre t’u rezervohet piedestrali i nderit kultura dhe civilizimi shqiptar do të kenë më shumë dritë. Shpresëplotë me miq që të ndihmojnë, por që përpjekjet për prosperitet dhe shpresa e së ardhmes së mirë të qëndrojë si pishtarë gjithmonë e ndezur. Mbi të gjitha në debatet edhe “intelektuale”, një gjë madhore kërkojnë miqtë tanë: të jemi serioz me votën dhe të krijojmë raport të drejtë me të drejtën. Gjurmimi i jetëve njerëzore të personaliteteve që e deshën me shpirt Shqipërinë duhet të thehet në domosdoshmërinë e strategjive kombetare të munguara ndaj institucionit të mirënjohjes dhe të vlerësimit më të madh të kujtesës sonë kombëtare, rritjes së ndërgjegjes sonë por mbi të gjitha të institucionit të mirënjohjes ndaj miqve, detyrim tradicional në të gjitha kanunet shqiptare e më tej detyrim moral e njerëzor.
Në këtë përcaktim e përzgjedhje të vendoseshin më parë kritere rigoroze të të gjithë atyre personaliteteve që kontribuan realisht për shqiptarët, që ndihmuan në njohjen e kombit shqiptar që ndihmuan realisht që shqiptarët të dilnin nga terri në dritë e liri. Nderimi i miqve të kombit shqiptar do të jetë njëherazi edhe kontribut të historinë botërore të kulturës, sepse vështrimin mbi kombin shqiptar e kanë hedhur para së gjithash rraca e kulturës dhe inteligjencës botërore. Asnjëherë nuk është vonë për të vlerësuar të vërtetën e miqve, që kanë rizbuluar identitetin e fisnikërisë shqiptare, “thelbin indoeuropian arbëror”, që flet me gjuhën e vet, me kulturën e vet, me vecoritë e traditat, me të mirat dhe mangësitë, që miqtë hapur e kanë thënë. Ne kemi nevojë për kombëtaren, etniken, kulturoren, historiken, gjeografiken tonë, gjithçka tonën të zbuluar dhe të pazbuluar, të fshehur, të tjetërsuar dhe të kamufluar. Në bashkësinë e vlerave shkohet siç shkuam në NATO, me vlera me intelektualizimin tonë, por sa më shpejt që të shkohet aq më mirë do të jetë sepse intelektualizmin po e asgjWson, pse jo edhe e “gëlltit” politika “moderniste”. Rrethet intelektuale nga politika quhen të tillë vetëm kur ajo i do të tillë, ndonjëherë “nuk u rri kostumi mirë”, kur notojnë në dete me dije. Më të mirët” konsideron ata që dallgët e jetës i kanë “hedhur në prehrin e parasë”. “Këshillat” intelektuale duhet t’i “hajë” dhe të joshet politika, ndryshe ato nuk kanë vlerë edhe kur janë të krahasueshme me elitën intelektuale e kulturore botërore. Jo më larg se brenda tre dekadave të fundit një pjesë e konsiderueshme e elitës intelektuale mbijeton në dhjetra qindra vende të botës dhe aty ku janë kanë bërë miq që e duan vendin e shqiponjave, jo prej vlerave që ajo ka prodhuar në tre dekada por prej vlerave që mbart elita intelektuale shqiptare nëpër botë. A nuk kanë “prodhuar” ata më shumë miq për Shqipërinë e kombin shqiptar, se çfarë mund të prodhonte një ministri me çfarëdo emri të sofistikohet, me disa qindra punonjës diplomatë nëpër botë? Edhe kur elita ikën zemërthyer, dhe kur ka “sharë” nëpër dhëmbë, përsëri vendi i tyre është i pandryshueshëm Atësia dhe Mëmësia qëndron e rrënjosur në genet e fisnikërisë shqiptare. Me gjuhën e Edith Durham do shpreheshim: “Shqiptari nuk është aspak i keq, megjithëse ka mjaft të meta të dukshme dhe pamjen e një egërsire. Madje, do të thosha, se ai ka instiktin e një fisniku. Sidoqoftë, ai është “i ndershëm” në përputhje me bindjet e veta. Ai krenohet se kurrë nuk ka tradhëtuar një mik dhe nuk ka falur një armik”.
Prandaj vlera e intelektualizmit dhe miqëve që ata kanë nuk blihet me para, por vetëm me mirënjohje, me këtë institucion shpesh herë edhe të munguar. Në Europë, në BE, do shkojmë bashkë me vlerat tona kombëtare, ndërkohë që gjithë burrat e gratë që kanë qenë e janë miq të kombit shqiptar nuk janë as më pak e as më shumë se vëllezër e morta të shqiptarëve në ndërgjegjen tonë të plotë kombëtare. Ne lypset të jemi të ashpër për kulturën e përvetësuar nga fqinjët, që duhet demaskuar me mençuri e dituri, me argumente që flasin kthjelltë dhe të “gjejmë veshët”, që ta dëgjojnë të vërtetën historike të shqiptarëve. Nga ana tjetër të kemi veshë për t’i dëgjuar të vërtetat e miqve, por dhe t’i ndajmë e t’i rivlerësojmë, nga ata “që na duan të mirën”. Mirënjohje për miqtë e Shqipërisë, shqiptarëve dhe mbarë kombit shqiptar!