Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: SHTYSA DREJT MOHIMIT DHE PROFANIZMIT

Sprovë
Një njeri, ta zëmë se është duke udhëtuar me autobus. Një tjetër burrë udhëton bashkë me të dhe kërkon të hapë bisedë. Pas shumë gjërash, që zakonisht njerëzit llomotisin vend e pa vend, hapet dhe problemi i feve, i besimit ndaj Zotit. Atje biseda mes të dyve nis e tendoset; njëri është ithtar i tërbuar i islamizmit, i verbuar prej tij, ndërsa tjetri nuk beson në asnjë zot, por u beson vetëm dëshirave dhe veprimeve të tij njerëzore. A mund të gjendet mes të dyve një zgjidhje e kënaqshme? Jo! Përse? Sipas meje, njeriu i ‘infektuar’ prej islamizmit ekstremist nuk lëshon pe kurrësesi. Por dhe tjetri, që më shumë se çdo gjë adhuron lirinë e tij, nuk ka se si të bjerë dakort me nxirjen që ai kërkon t’i bëjë jetës. Jetës së tij në veçanti sepse kërkon me çdo kusht ta kondicionojë. Megjithatë, ky i fundit nuk do të hyjë më tej në polemikë, për të mos përfunduar në grindje, ose gjer aty sa edhe të rrihen. E ndërpret ftohtë bisedën, duke pasur hidhërim në shpirt.
Udhëtari tjetër zbret nga autobusi dhe shkon në punë të tij. Ndërsa ai mbetet atje në vetminë e vet. Ajo sapo i është dhunuar, ndaj dhe fillon të mendojë. Nis të përfytyrojë se ndoshta për veten qendra e botës është po ai vetë, por jo për të gjithë. Gjithçka tjetër vertitet në varësi me të. Dhe kjo në planin individual.
Mendon pak a shumë kështu: Tani është në autobus dhe pret me padurim të shkojë në shtëpi. Ka të ftohtë. Sapo të arrijë në shtëpi ka nevojë të lahet, të gatuajë. Pastaj do të dojë të hajë, do të mendojë një femër dhe ka për ta marrë atë në telefon, ose, mbase ka për të marrë një libër për të kaluar kohën, por mundet edhe që t’i dhemb pak koka apo një dhëmballë dhe do të pijë një tabletë, etj.
Pikërisht pra, ai mendon se këto gjera të vogla dhe të pafundme përbëjnë edhe thelbin e jetës së tij. Ose, po të shkojë më tej, ka për të menduar për Vitin e Ri që po afrohet, për ditëlindjen, për një aktore apo film që i ka pëlqyer, për diellin që ka parë në mëngjes e të tjera si këto. Ndaj, ky lloj njeriu nuk ka aq shumë kohë sa t’i bjerë ndërmend orë e çast për zotin, nëse ekziston ai apo jo, se cili e krijoi botën dhe përse u krijua njeriu dhe kur u krijua. Ka raste kur mendon për këto gjëra, por rrallë, në çaste mistiçizmi, dhe vetëm kaq, pa mundur të japë ndonjë përgjigje të saktë; të tëra janë thjesht hamendësime. Ndaj jeton pa menduar shumë për këto gjëra. Bile më shumë mendon për ato dy metra vend që e presin nen tokë, por për të shkuar gjer atje i duhet ende mjaft kohë e andralla për të kaluar.
Ndërkohë, me të gjitha shqisat e tij përpiqet ta shijojë jetën sa të mundet, por kur s’është e mundur kjo, së paku të ketë qetësi. Dhe janë pikërisht këto gjëra që e shqetësojnë atë dhe asgjë tjetër. Ai i lidh gjërat që kanë një marrëdhënie edhe me të dhe as i bie shumë nëpër mend se në këtë tokë ka islam, apo ishte një Krisht që u kryqëzua për të tjerë, nëse ka tempuj e orakuj, nëse ka besime dhe për çfarë i shërbejnë ato njeriut. As që shqetësohet që njerëzit besojnë në përralla si Ferri apo Parajsa, por thjesht ruhet që ferri,të cilin njerëzit e kanë me shumicë në Tokë, ti përshkojë sa më pak që është e mundur zemrën dhe trupin e tij.
Për këtë njeri, parajsa dhe ferri gjenden në tokë, në mendimet e njerëzve, në veprimet e tyre, apo thjesht në lidhje me natyrën dhe fenomenet e saj. Zgjohet në mëngjes, sheh diellin që ia përshkon dritaret dhe mbushet me jetë. Atëherë, vetiu ndjen t’i dojë malet që sheh, kodrat, ullishtat, të mos ketë fare mendime në kokë, por të rrijë e të thithë ajrin e pastër të ditës dhe kjo është një lloj parajse për të. Sikurse i ndodh, që mbin një njeri i korruptuar me atë besimin e vet për fenë dhe ia prish humorin e ditës, që bashkë me lodhjen, zymtinë, mbrapshtitë, i fusin të ftohtë dhe frikë në shpirt, i prishin ekuilibrin, atë lloj drejtpeshimi që mezi ka vendosur midis vetes dhe botës.
Dhe ja tani! Pikërisht, duke ia cenuar shpesh këtë lloj drejtpeshimi të vënë me aq vështirësi, ai fillon ta humbasë ca e nga ca besimin tek njerëzit, t’i shohë gjithnjë e më me dyshim dhe të ruhet sa më shumë prej tyre.
Këtu fillon mohimi, profanizmi. Profanizmi për gjithçka është krijuar si ligj apo besim nga njerëzit. Po midis këtyre njerëzve, a gjendet së paku në botë, një i vetëm që të jetë i pakorruptuar? Askush! Apo vetëm Krishti? Sa pak! Ne mburremi që prej dymijë vjetësh, me një njeri të vetëm, kur kanë kaluar që nga ajo kohë gjenerata të pafundme njerëzish, miliarda e miliarda qenie që kanë menduar, vuajtur e vdekur. Dhe të vjen të ndohtit për këto lloj arsyetimesh.
Fetarët, duke adhuruar kultin e shenjtorëve të tyre, të Krishtit apo Muhamedit, s’ bëjnë asgjë tjetër veçse përpiqen t’u afrohen atyre, pra veç t’i imitojnë në mënyrë qesharake ata. Nuk mjafton që nuk janë në asgjë dhe për asgjë origjinalë, por veç kësaj, vetë historia ka treguar luftërat që janë bërë në emër të këtyre besimeve, zullumet e paudhësitë, ndarjet dhe urrejtjet e pafundme midis njëri- tjetrit, djegiet e persekutimet etj.
Dhe jo vetëm mes njerëzve me fe të ndryshme, por edhe midis njëri- tjetrit. Sa izma janë shpikur që atëhere, sa gjak është derdhur, sa njerëz janë poshtëruar dhe pa mendoje, sikur një njeri me shpirt të lirë dhe i dashuruar me jetën e vet, me individualitetin e tij, të varroste veten mes këtij mishmashi pa fund e krye trurësh të sëmurë.
Pra, ajo pyetja e mëparshme, nëse ka jetuar ndonjë njeri i pakorruptuar në këtë botë dhe nëse jeton ndonjë ende sot, fillon ta mundojë njeriun tonë. Edhe nëse ka jetuar ndonjë vërtet si i tillë, i duket gati si ëndërr dhe paqenësi, përderisa figurave të tilla kaq të mëdha si ajo e Krishtit apo Budës, u shkojnë pas njerëz të mbrapshtë, hipokritë dhe me çdo lloj korrupsioni në shpirt. Në këtë pikë, duke parë këtë turmë të pafundme qeniesh, detyrohet të bëhet profan me pahir.
Si ka mundësi- mendon ai- tërë ato që janë thënë nuk janë shfrytëzuar prej askujt për të përmirësuar, së paku, jetën e njeriut, meqë një ndryshim i rrënjshëm i tij nuk është i mundshëm? Si ka mundësi që këta njerëz, sapo dalin prej faltoreve, i zhysin duart gjithnjë e më tepër në gjak dhe e mbushin shpirtin gjithnjë e me më shumë urrejtje? Atëherë, përse do të më shërbejë mua një figurë si ajo e Krishtit? Përse do të më duhet ta vras mendjen për ferrin e parajsën, për mëkatet e shenjtërinë, kur kam përpara jetën reale, jam i gjallë dhe i mbushur plot me dëshira, të cilat askush nuk i do sa i dua unë, sepse janë fund e krye vetëm dëshirat dhe idetë e mia…
 Ka njerëz që gjenden gjithnjë duke folur për besimet e njerëzve, për triumfet e tyre, duke futur në mes organizatat apo grumbullimet e urryera në të cilat bëjnë pjesë. Njerëz për shërbimet që po i bëjnë atdheut të tyre, njerëzimit, etj. Çfarë nuk shpikin ata dhe duan medoemos që gjërave t’u vënë një vulë apo etiketë, t’u japin një emërtim, t’i pagëzojnë, t’i përdhosin. Këta hetues të ethshëm trurësh, hiqen sikur duan të rimëkëmbin botën, (por vetëm sipas mënyrës së tyre) dhe nga ana tjetër ‘shpata’ e tyre e urrejtjes vazhdon ende të korrë pamëshirshëm shpirtra të pafajshëm e të pambrojtur njerëzish.
Fundvitet ’90.

 

Please follow and like us: