Albspirit

Media/News/Publishing

Fjala e Fishtës në Kongresin e Manastirit që përloti muslimanë, ortodoksë e katolikë, por para së gjithash shqiptarët

Kongresi Manastirit nuk është i rëndësishëm vetëm për alfabetin dhe gjuhën. Kongresi është momenti kur kombi shqiptar po bashkohej dhe po e merrte formën përfundimtare. Rëndësia politike është më e madhe se ajo gjuhësore apo kulturore. Sepse, procesi politik i rilindësve, përmes gjuhës po e krijonte kombin.

Në shënim të këtij përvjetori duhet t’i kujtojmë disa momente apo detaje të rëndësishme të Kongresit kur të gjithë intelektualët shqiptarë, sikur edhe populli, e kishin gjithnjë e më të qartë se Perandoria Otomane do të përfundonte dhe se tokat shqiptare po rrezikoheshin nga fqinjët. Më poshtë e keni një përshkrim të shkurtër që e shpjegon situatën në sallë gjatë dhe pas përfundimit të fjalimit të Gjergj Fishtës:

Fjalët e At Gjergj Fishtës patën ndikim të fuqishëm dhe lanë përshtypje të thellë në shumë njerëz. Pasi që ai përmendi shkurtimisht një punë të madhe që kishte bërë klubi ‘Bashkimi’ i Shkodrës, të cilin ai e përfaqësonte, fjalimin e përfundoi me këto fjalë:

…Nuk kam ardhë këtu ta mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin. Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë…

Duke iu referuar këtyre fjalëve, Gjergj Qiriazi, njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit, shkroi: ‘Nuk mund t’i përshkruaj lehtë këshillat e vlefshme që na i dha Fishta. Ishin aq të rëndësishme sa që të krishterët dhe myslimanët nuk mundën t’i ndalnin lotët. Kur At Gjergj Fishta e përfundoi fjalimin dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rrjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë që ndodhi në prezencë të rreth 300-400 njerëz, nga të cilët dy të tretat ishin myslimanë, la përshtypje jashtëzakonisht të thellë te të gjithë ne”. (Marrë nga libri: ‘National Education During Albanian Reneaissance’, faqe 231-2, të autorit Hysni Myzyri)

Please follow and like us: