Albspirit

Media/News/Publishing

IZET SHEHU: LE NJË FJALË PA MA THËNË

Kushtuar babait tim

 

Le një fjalë pa ma thënë,
Midis buzëve dot s’ta kapa.
Lot i ngratë
Në të rënë
Drithërimën më la prapa.

Ç’doje, vallë, të më thoshje
Në atë çast të zbehtë në shuarje?
Jetë, o jetë, e kotë dhe boshe
Vjen e ikën nëpër muzgje.

Le një fjalë pa ma thënë,
Le një dritëz si një flutur.
Unë e mora, bëra këngë,
Bëra metaforë të bukur.

————————–

Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15 dhjetor 1942. Mbaroi gjimnazin në Lushnjë më 1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e TiranësFakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe. Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan. Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990. Është një prej inicuesve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”. Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare. U nda nga jeta më 25 nëntor 2012 në Tiranë.

Ka botuar këto libra:

  • “Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
  • “Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
  • “Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
  • “Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
  • “Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
  • “Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
  • “Fatkeqja e bukur”, novelë
  • “Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
  • “Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
  • “Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike
Please follow and like us: