PARANOJA E POLICIA SEKRETE, JETA NËN REGJIME TOTALITARE
Botohet libri “Shteti dhe Shoqëria në Shqipërinë komuniste 1945-1990”
“Çdo libër që përshkruan jetën nën këto regjime, që tregon kontrollin total, censurën, paranojën, policinë sekrete, kampet e përqendrimit, kampet e punës, zhvendosjet dhe ekzekutimet; çdo libër që nxjerr në shesh kultet e personalitetit që i fuqizojnë këto regjime: çdo vepër e tillë është një thesar”. Botimi më i ri i ISP, – thotë studiuesi Afrim Krasniqi, – hedh dritë mbi të shkuarën.
30 vjet nga ndryshimi i sistemit, – për shumicën e studiuesve, Shqipëria e periudhës 1945-1990 është një periudhë më shumë e jetuar sesa e studiuar. Numri i studimeve dhe botimeve është minimal, ligjërimi gri dominon dhe imponon formimin e brezave të rinj, dhe kështu, vendi me një diktaturë unike më staliniste sesa shumica e ish-bllokut lindor, vijon të jetë vendi me tranzicion unik, i pafuqishëm të ndahet me dinjitet, kurajë dhe reflektim me të kaluarën e tij.
Në funksion të kontributit modest shkencor për të plotësuar boshllëkun e krijuar dhe për të trajtuar profesionalisht elementët e zhvillimet thelbësore të periudhës 1945-1990, Instituti i Studimeve Politike (ISP), mbështetur nga programi “Transition” i MPJ të Çekisë, vjen me botimin “Shteti dhe Shoqëria në Shqipërinë komuniste 1945-1990”. Kënaqësi të isha bashkëeditues me prof. Vera Stojanova, e cila në parathënien e librit me të drejtë shprehet: “Çdo libër që përshkruan jetën nën këto regjime, që tregon kontrollin total, censurën, paranojën; policinë sekrete, kampet e përqendrimit, kampet e punës, zhvendosjet dhe ekzekutimet; çdo libër që nxjerr në shesh kultet e personalitetit që i fuqizojnë këto regjime: çdo vepër e tillë është një thesar”. Botimi është bërë me kontributin e studiuesve Irena Nikaj, Romeo Gurakuqi, Ilir Kalemaj, Sonila Boçi, Lazer Stani, Hasan Bello, Dorian Koçi, Kastriot Dervishi, Alkida Lushaj etj.
Prof. Ass. Dr. Afrim Krasniqi dhe Prof. Vera Stojanova janë redaktorët shkencorë dhe iniciatorët e bashkëpunimit midis ISP dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Çeke. Më poshtë abstrakti i punimit të Dorian Koçit.
Procesi i sovjetizimit të Shqipërisë (1945-1953)
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, si rezultat i mbizotërimit të lëvizjeve të majta në rezistencën antifashiste në Ballkan, u përvijua qartë një influencë sovjetike, për të cilën Bashkimi Sovjetik nuk ishte investuar aspak. Marrëveshja e njohur mes Uinston Çurçillit dhe Stalinit në Moskë më 9 tetor 1944 për ndarjen e Europës Juglindore në zona influence përfshiu në mënyrë të natyrshme edhe Ballkanin. Kjo marrëveshje ndryshoi thelbësisht edhe raportin e forcave dhe të aleancave që kishte pasur në Ballkan para shpërthimit të Luftës. Zhvillimi i rezistencës dhe i luftimeve kundër forcave të boshtit kishte ndryshuar edhe marrëdhëniet midis popujve dhe qeverive që do të dilnin nga Lufta. Fillimi i Luftës së Ftohtë në Europë po reflektohej edhe në Shqipëri: udhëheqja shqiptare, e papërvojë për sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, po ndiqte me verbëri kursin e vetorientimit politik drejt Bllokut Lindor. Këtë kurs e kishte përcaktuar vetë Enver Hoxha në Plenumin e 4-t të KQ të PKSH-së, ku u shpreh mendimi për ta orientuar politikën e jashtme të shtetit shqiptar drejt BRSS dhe “për një politikë më të prerë me Perëndimin”. Shqipëria, si një vend që sapo kishte hyrë në orbitën e vendeve që po kalonin nëpërmjet një sovjetizimi të shpejtë, kryesisht me ndihmën jugosllave, rezervohej të vendoste marrëdhënie të afërta me Perëndimin për të shmangur çfarëdolloj influence që Perëndimi mund të projektonte përmes kërkesave të drejtpërdrejta në adresë të shtetit shqiptar. Në fakt, qeveria shqiptare nuk është se po i trajtonte me kujdes të veçantë interesat e saj të drejtpërdrejta, sepse para se të ishte autonome në marrjen e vendimeve, i duhej t’u nënshtrohej interesave dhe strategjisë mbrojtëse të Kampit Lindor, ku kishte aderuar me dëshirë. Legata sovjetike ishte hapur në Tiranë më 10 janar 1946 dhe të nesërmen, ambasadori Çuhevin kishte paraqitur letrat kredenciale. Ndërkohë Shqipëria kishte hedhur hapa të mëtejshëm drejt sovjetizimit të saj edhe me zgjedhjen e llojit të republikës dhe qeverisjes. Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, u mblodh më 10 janar 1946. Një ditë më pas e shpalli njëzëri Shqipërinë Republikë Popullore. Me shpalljen si Republikë Popullore, Shqipëria u shkëput nga pikëpamja kushtetore, nga regjimet e së kaluarës. Shqipëria pas prishjeve të marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë në prill-qershor 1948 vendosi marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Sovjetik. Në këtë mënyrë Shqipëria hyri në fazën e dytë të sovjetizimit të vendit – kësaj radhe, drejtpërdrejt në lidhje me vetë Bashkimin Sovjetik dhe jo më me ndihmë jugosllave. Procesi i sovjetizimit të vendit përfshiu Kushtetutën dhe legjislacionin, ekonominë, ushtrinë, sigurimin, arsimin, kulturën, artin, fenë, propagandën dhe gjithë imtësitë e jetës shoqërore. Ndërkohë me sovjetizimin e saj të plotë, Shqipëria kishte kaluar nga statusi i vendit gjysmë satelit në statusin e vendit satelit. Shkëmbimet dhe ndihma politike, ekonomike dhe kulturore e Bashkimit Sovjetik për Shqipërinë ishin intensifikuar shumë. Nuk kishte fushë të jetës ku të mos ndihej prania sovjetike. Në politikën e jashtme: Shqipëria ndiqte hap pas hapi politikën dhe diplomacinë sovjetike duke iu përshtatur në çdo drejtim gjeostrategjisë së saj. Në këtë mënyrë ishin hedhur bazat e forta të sovjetizimit të plotë të Shqipërisë, që edhe pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik do të qëndronin të forta, deri në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.