Ndahet nga jeta piktorja Lumturi Blloshmi
Koronavirusi i ka marrë jetën piktores shqiptare, Lumturi Blloshmi. Ajo u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, pas tri javësh përballje me virusin në Spitalin Infektiv.
Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968 në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt).
Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Blloshmi ka qenë fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”.
Kritika e ka vlerësuar piktoren Lumturi Blloshmi si përfaqësuese të denjë të pikturës bashkëkohore shqiptare.