Ndue Ukaj: 28 Nëntori
Festa e madhe e 28 Nëntorit na kujton golgotën nëpër të cilën kemi kaluar si komb dhe njëkohësisht na tregon se ç’dashuri përvëluese kanë treguar për kombin shumë brezni.
Luigj Gurakuiq, patriot i kulluar, udhëheqës fisnik dhe njeri i kulturës së lartë, duke kujtuar këtë të kremte, ai na porosit që krahas gëzimit dhe dëfrimit, prej kësaj ngjarje të mësojmë:
“E Kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë pra per ne të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vëme të gjithë dorën në zëmër e të pyesim vetën t’onë ndë a kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën qe kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pà turp e t’i njohim fajet t’ona, te harrojmë hidhnimet e anmiqësitë qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njani tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të miren e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderimin e flamurit t’anë”.
Shumë vite më vonë, Ibrahim Rugova, po ashtu patriot i kulluar, udhëheqës fisnik dhe njeri i kulturës së lartë në tekstin “Pavarësia kombëtare”, të botuar te ‘Bota e re’, më 28 nëntor 1968, na kujton këtë përpjekje të mëdha. U dashtë të kalonin pesë shekuj vuajtje e trishtim, që në qiellin shqiptar, të ngritej flamuri i Skënderbeut, simbol i lirisë, identitetit kombëtar dhe i pavarësisë:
“U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar, u ngrit simboli i gjakut-Flamuri.
Mirë që u mashtruan gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit nga gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren-fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shporrëm më tej dhe do të shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur”.
…
Në këtë kremte të madhe, krahas ngazëllimit, festës me flamuj, është e udhës të pyesim: Ku janë shqiptarët sot? Dhe pse, një pjesë e tyre, ndjejnë turp të flasin për vlerat e historisë së kulturës së tyre? Pse ata vazhdojnë të vërtiten nëpër kriza të shumta politike dhe shpirtërore? Pse ata ofshajnë me dhimbje për atdheun e tyre të tkurrur, për pafuqinë për t’u konsoliduar dhe për zhvillimin tejet të ngadalshëm ekonomik?
Si udhëhiqen sot shqiptarët? A kanë ndonjë parim të menduar, ndonjë ide sublime, apo udhëhiqen sipas mendësisë bashibuzuku popullore, kudo rafsha mos u vrafsha, me të cilën qesëndisej dikur shqiptari i ditur, Krist Maloki.
…
Shqiptarët sot nuk vuajnë prej ndonjë armikut të jashtëm, si dikur, por ata vuajnë për shkak të mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve të tyre të brendshme, për shkak të pazotësisë për t’u bashkuar e për t’u lartësuar si komb, dhe për të ecë përkrahë kombeve të përparuara.
Sot në hapësirat shqiptare, flitet e shkruhet për gjithfarë interesash e temash, duke filluar nga ato më banale, deri te temat e mëdha globale, por pak ose aspak nuk flitet për interesa të natyrshme kombëtare.
Madje, shqiptarët, sot, nuk e kanë të qartë nëse kanë interesa kombëtare. Të tilla që lidhen me ontologjinë, gjuhën, kulturën, historinë dhe identitetin e tyre, por edhe të tilla që tejkalojnë hapësirat e tyre të ngushta politike.
Duke e lënë anash dalldinë patriotike, gërvalljet e ulërimat, ata nuk kanë një strategji të qartë për interesat e tyre – në kushtet e stome politike -në botën e trazuar, ku gëlojnë gjithfarë interesash.
…
Shqiptarët mund të ankohen në shumëçka e për shumëçka, por askush ata sot s’ i ndalon që të bëjnë tekste të përbashkëta në fushën e arsimit, të hartojnë politika të përbashkëta në fushën e shëndetësisë, të diplomacisë dhe të ekonomisë. Sot, ata askush ata s’i pengon që t’i harmonizojnë objektivat dhe synimet kulturore, përveç shpirtngushtësisë, inferioritetit dhe arrogancës, herë të Tiranës e herë të Prishtinës.
…
Shqiptarët, ndonëse kanë sendërtuar shumë aspirata, ata nuk janë të lumtur. E ndodh që ata të jenë të trishtuar në atdheun e tyre, madje, duke e konsideruar shpeshherë si atdhe të përkohshëm, dhe kjo ngjet, meqë ata ballafaqohen me mungesa banale, duke filluar nga rryma, uji, buka, etj.
…
Shqiptarët kanë shumë sfida, por mendoj se detyrë parësore e tyre është lartësimi i ndërgjegjes kombëtare, siç kërkonin të diturit, e prej të cilës vjen besimi te vetvetja dhe te shteti. Sepse, neve na kanë mposhtë ndjenjat e fatalitetit, prandaj kudo dëgjon shqiptarë që rënkojnë e thonë: nuk jemi më të zot se kaq.
Faik Konica, në vitet e para të pavarësisë kombëtare, teksa shihte shqiptarët e e çakërdisur e të habitur, thoshte se, na duhet të formojmë ndërgjegjen kombëtare, kurse Anton Harapi, kërkonte naltimin e saj. Pa dyshim, një detyrë të tillë, dikur e bënin me shumë dashuri mendimtarët dhe iluministët shqiptarë të viteve të 30- ta, ku shquheshin Konica, Merxhani, Fishta, Noli, Frashëri, Harapi e shumë të tjerë, të cilët kishin vetëdije të lartë intelektuale dhe qytetëruese. Dhe sot ata përfaqësonte një elitë shembullore dhe mund të na shërbejë si oksigjen për të pastruar ndërgjegjen tonë.
Në prag të 28 nëntorit, shqiptarët e sotëm janë po aq të trullosur sa shqiptarët e fillimeve të para të pavarësisë: me dije të mangët e të mbetur prapa botës së qytetëruar.
Ata – as sot- assesi nuk po munden dhe nuk po dinë ta gjejnë rrugën e lartësimit dhe të përparimit. E lartësim i ndërgjegjes nuk mund të bahet me batakçinj, politikanë arrogantë e të paditur. As me opinion publik të çorientuar dhe pa etikë kombëtare e profesionale.
Në ditë të shënuara kombëtare, neve na mbërthen zjarrmia patriotike, shfaqim mall e dashuri, por kjo zgjat shumë pak. Aq sa zgjat festa, ndërkaq, të nesërmen vazhdojmë avazin e vjetër. Dhe bëhemi të egër, mosdurues, përbuzim historinë dhe vetë idenë çka përfaqëson 28 nëntori.
Në mënyrë që 28 nëntori i vitit të ardhshëm të jetë më i begatshëm për ne, duhet të jemi më të bashkuar dhe të guxojmë të themi: nuk është turp ta duash vendin tënd, historinë dhe kulturën tënde. Përkundrazi, është vlerë, vyrtyt dhe shenjë e qytetarisë.