Vargje poetike nga Sadik Bejko
TEK UNË JANË KËRRABA DHE MUSHKA
Po të kthehesha atje në malësitë e mia të djeshme,
ashtu si fëmija
që bie kokëposhtë nga shkallët,
do ta gjeja prapë atje fatin tim,
veten mbështetur në kërrabën e bariut
dhe në vithet e mushkës së fshatarit.
Po të mos ishin shkronjat, po të mos ishin librat,
Unë do të isha atje, në fatin tim,
në malësitë e mia të djeshme.
Atje rrugët e botës janë thikë e spicë, të gurta;
që të ngjitesh te bari i hollë, i hollë,
të ngjitesh te delja dhe buka,
të duhen patjetër kërraba dhe mushka.
Kur ulem në kolltukët e biblotekave,
në tryezat me libra;
Kur eci mbi parketet e verdhë me qilima,
Më duket se rrëzohem nga këto rrugë të buta.
E do rrëzohesha vërtetë njëzet herë ditën si fëmija,
Të forta po të mos ishin tek unë kërraba dhe mushka.
GURËT
Plot me gurë është vendi im, majat me pak borë,
me ullinj të hershëm në breg të detit,
vend që në mishin e njomë të tokës së tij
thellë i mban gurët.
Në fëmininë time gratë atje ruanin të bardha
nën shamitë e zeza kujtimet e burrave që ua mori lufta;
i rritnin të shëndetshëm me kujtimin e tyre
jetimët që nesër lufta mund t’ua dojë prapë.
Nuk ka pirë cigare dhe alkool hidhërimi në vendin tim,
hidhërimi atje në gurët e ftohtë hapte guvat e dhembjes
dhe mprehej në thepat e kthyer erës.
Vendi im në mishin e butë të tokës së tij,
ngulur në rrënjë i mban gurët.
Dashuria e gruas kurrë nuk piu cigare e alkool.
Në mishin e saj janë ngulur gurët, plumbat, sëpatat…
ajo u tregua e verbër ndaj tyre,
siç verbohet fyelli para se të nisë kënga,
si vajzat i verbohen thirrjes për t’u bërë nëna.
Gratë thjeshtë si toka me gurët u lidhën me burrat,
burrat që plaken me fytyrën e rrafshnatës,
së cilës bimësinë e rrallë ia rrudhosin
erërat që fryjnë nga deti.
Kohërat gdhendin gurë në fytyrën e njerëzve të mi,
gurë, ku nata e dimri ngrijnë në përqafim,
pesha e tyre i rëndoi deri në gjak
i hyri në mish tokës së bukur…
gurët aty kyçin rrezen e diellit, krahun e pëllumbit,
një vetull qielli midis dy maleve,
gurët edhe sot i rekrutojnë guroret, varrezat
gurët që mbarsin malin,
mbarsin e vjellin barkun e shtërpëzuar të halleve.
Nga “Rrenjet”, 1972.