Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Mëngjes në provincë

Laureshat endin pëlhurën e ditës me cicërima të bardha
nata fshihet thellë te një grua me trup xixëllonje
blic i këmbëve të hijshme vret më bukur se vetëtima
pelerina e një pashke sot është rrobë e preferuar për horra
gris natë për të gjetur vendin tënd të shenjtë ku fle zjarri
nën çurgën e frikës së ndarjes që ngroh bufi në lëvozhgë
hape këmbët për të kapërcyer apo për të formuar ylberin
bari i zi kreshpërohet poshtë luginës te shtjella e zjarrtë
aty ku ngjizen gjenitë, horrat dhe vdekëtari i thjeshtë
e gjithë turma kruspulloset nën kapota të murrme ushtari
lypsari me fytyrë guri me zor ndahet nga rrugica e imët
me të cilën fjeti gjithë natën nën qiellin e mbjellë me lofata
jorgani i qyramidheve digjet në diellin që rri pezull mbi vesë
nepërka ime ende fle e qetë brenda duarve të mia prej qelqi.

Please follow and like us: