SAZAN GOLIKU: PESHORJA
Me rastin e ditëlindjes së Adem Jasharit
Mbi prushin e luftës pa krye, pa fund
Hyjneshë e Drejtësisë pa parë askënd
e ngriti peshoren:
Në krahun e zemrës vendosi në pjatë
kokën
e prerë
të Adem
Jasharit
– rrethuar me rreze e yje të artë.
Arin e botës derdhi në pjatën tjetër –
peshorja s’lëvizi.
Pastaj vendosi pa zili
Afërditën e gjallë të re e të vjetër –
peshorja s’u tund.
Atëherë plot dyshim vuri vetë jetën –
peshorja magjike sërish s’u lëkund.
Globin hodhi mbi pjatë Hyjnesha syzënë –
s’u ul që s’u ul pjata fatlënë.
Mbi sup të Hyjneshës qëndroi Liria:
“Më lërë – i tha – përballë kokës së tij
ta qaj me lot gjaku si gjithë Shqipëria”.
Hyjnesha e bardhë e mbushur drejtësi
në pjatë e uli dhe… për habi
peshorja lëvizi… u barazua.
Koka e Ademit – në njërën anë në tjetrën – Liria.