Albspirit

Media/News/Publishing

Analisti hebre: Pse Izraeli ia kishte borxh SHBA-së njohjen e Kosovës?

Yonatan Touval, analist pranë Institutit të Izraelit për Politikat e Jashtme Rajonale, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se njohja e Kosovës nga Izraeli, 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, vjen në një kohë kur pozita e palestinezëve në skenën globale është në një pikë të ulët. Shqetësimet se pavarësia e Kosovës do t’i nxiste ndjenjat secesioniste në Izrael, nuk janë më dominuese, sipas tij. Touval thotë se Izraeli ia kishte borxh SHBA-së njohjen e Kosovës, sidomos për faktin se administrata Trump ka ndërmjetësuar marrëveshjet e tij të normalizimit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetet e tjera arabe. Izraeli i detyrohet shumë SHBA-së – disa do të thoshin edhe për ekzistencën e tij, thotë Touval.

Zoti Touval, vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është sigurisht një zhvillim i mirëpritur nga të dyja vendet. Por, çfarë mendoni se ka ndryshuar tek Izraeli, marrë parasysh se ai ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës gjatë 12 vjetëve të kaluar?

Kjo është një pyetje e mirë. Mendoj se refuzimi i Izraelit për ta njohur Kosovën ka pasur të bëjë gjithmonë me arsye të lëkundshme. Ka pasur të bëjë me ankthin rreth asaj që unë do ta quaja ‘paralale imagjinare midis Kosovës dhe Palestinës’, në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Pra, ka qenë i shqetësuar se [pranimi] i shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, do të siguronte precedent legjitimues për palestinezët, do ta inkurajonte pakicën e brendshme palestineze arabe të shkëputej [dhe] do të mund të impononte një zgjidhje ndërkombëtare për konfliktin izraelito-palestinez. Unë mendoj se këto ankthe, këto shqetësime për këtë paralelen imagjinare midis Kosovës dhe Palestinës janë zbutur në mënyrë të konsiderueshme gjatë 12 vjetëve të kaluar. Për këta 12 vjet, qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë, historia ka treguar se ajo nuk ka pasur ndikim negativ në konfliktin [e Izraelit] me palestinezët. Qëndrimi i palestinezëve në skenën globale është në një pikë të ulët. Ata nuk janë në pozitë për ta shpallur pavarësinë e tyre. Edhe sikur ta bënin, veprimi i tyre ndoshta nuk do të fitonte mbështetje të gjerë universale. Pastaj, kur bëhet fjalë për ndjenjat secesioniste në mesin e popullsisë arabe palestineze të Izraelit, është gjithnjë e më e qartë se këto ndjenja janë dobësuar shumë dhe nuk paraqesin kërcënim real për Izraelin. Kështu që të gjitha këto shqetësime dhe ankthe nuk kanë më forcë aq dominuese në psikikën politike izraelite.

Në një opinion për ueb-faqen Haaretz keni shkruar: “Fakti që Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vendosur tani që është e gatshme ta njohë Kosovën, ndodh para së gjithash për shkak të presionit amerikan”. Pse do t’i nënshtrohej Izraeli presionit amerikan?

Izraeli i detyrohet shumë SHBA-së – disa do të thoshin edhe për ekzistencën e tij. Tradicionalisht, nëse SHBA-ja i kërkon diçka Izraelit, që nuk është shqetësim ekzistencial për Izraelin, Izraeli e siguron atë. Në rastin e Kosovës, [presidenti amerikan Donald] Trump e ka pyetur Netanyahun nëse është i gatshëm ta njohë Kosovën, sidomos nëse Kosova angazhohet për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem. Siç e dini, kjo është një çështje me rëndësi të madhe për Netanyahun. Dhe, meqë nuk ka pasur ndonjë çështje rreth ekzistencës [së Izraelit], Netanyahu ka thënë me lehtësi ‘po’, sidomos për faktin se ai i ka borxh Trumpit për ndërmjetësimin e marrëveshjeve të normalizimit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetet e tjera arabe.

Si mendoni, cili do të jetë reagimi i autoriteteve palestineze dhe i shteteve arabe?

Palestinezët nuk mund të jenë të kënaqur. Por, ata kanë probleme më urgjente tani, kur disa shtete arabe dhe myslimane kanë nënshkruar, ose janë në proces të arritjes së marrëveshjeve dypalëshe të normalizimit me Izraelin. Andaj, nuk mendoj se në kontekstin aktual, vendosja e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Kosovës është shqetësuese për palestinezët, ose për vendet e tjera arabe që janë rezistente ndaj idesë së normalizimit me Izraelin. Çështja e vetme shqetësuese këtu për palestinezët mund të jetë synimi i Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem. Ky do të ishte një veprim simbolik që e minon pozicionin palestinez dhe të shumicës së komunitetit ndërkombëtar, që thotë se statusi i Jerusalemit duhet të zgjidhet plotësisht në negociatat midis Izraelit dhe palestinezëve dhe, vetëm pasi të zgjidhet, qyteti ta fitojë njohjen si kryeqytet i Izraelit.

Marrëdhëniet Kosovë-Izrael janë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Uashingtonit. A e shihni këtë marrëveshje si pjesë të një serie marrëveshjesh që Shtëpia e Bardhë i ka ndërmjetësuar midis Izraelit dhe vendeve të tjera nga Lindja e Mesme, dhe si ndërlidhet Kosova me to?

Trump sigurisht që e sheh atë si pjesë të një serie marrëveshjesh. Ai po ndërmjetëson, ka marrë një hov diplomatik, sepse po përpiqet të prezantojë suksese të njëpasnjëshme përpara zgjedhjeve të nëntorit. Padyshim se marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës nuk ka asnjë lidhje me Izraelin. Por, Trump e ka detyruar këtë lidhje dhe kjo me të vërtetë i ka hutuar të gjithë, përfshirë Izraelin. Askush nuk e di se si ka lindur. Por, Trump thjesht mund të ketë parë një mundësi kur udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë kanë nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, që t’iu kërkojë atyre hapjen e ambasadave në Jerusalem. Dhe, e ka futur në agjendë. Do theksuar se prej se SHBA-ja e ka zhvendosur ambasadën e saj në Jerusalem, më 2018, vetëm Guatemala dhe Hondurasi e kanë ndjekur shembullin. Trump dëshiron të shohë zhvendosjen e ambasadave atje, si mënyrë për legjitimimin e vendimit të tij për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jerusalem.

Siç po e thoni edhe ju, marrëveshja e Uashingtonit parasheh hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe transferimin e ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem. Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera, si Turqia, e cila është investitore e madhe si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, kanë paralajmëruar kundër një vendimi të tillë. Si mendoni se do të zhvillohen gjërat?

Po, kjo është shumë interesante. Dhe, mendoj se e kemi parë tashmë Serbinë duke u zmbrapsur nga premtimi që ka dhënë. Kështu që, presioni i BE-së mbi këtë çështje do të peshojë në mënyrë të konsiderueshme, sidomos kur bëhet fjalë për Serbinë, e cila ka hapur bisedimet për anëtarësim në BE. Sa i përket Kosovës, është më pak e qartë se si do të rrjedhin gjërat. Nëse Trump rizgjidhet, Kosova thjesht mund të shkojë përpara dhe ta hapë ambasadën në Jerusalem, me shpresën se një gjest i tillë do t’i shpaguhet në Uashington. Por, nëse [kandidati demokrat Joe] Biden zgjidhet [president i SHBA-së], do të varet ndoshta nga ajo nëse Izraeli kërcënon me tërheqjen e njohjes së Kosovës, nëse Kosova nuk e hap ambasadën e saj në Jerusalem. Pra, duhet të shohim se si do të rrjedhin gjërat.

Por, shumë kanë argumentuar, sidomos në Kosovë, se Bashkimi Evropian nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet e jashtme të Kosovës, marrë parasysh faktin se vetë BE-ja nuk është unike në njohjen e Kosovës; pesë shtete të saj refuzojnë ta njohin…

Po, saktësisht. Ky është një argument shumë i vlefshëm. Kështu mendoj se do të deklarojë edhe Kosova nëse vendos ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem. Mendoj se do të varet nga presione të ndryshme: nga Uashingtoni, nga Trump nëse rizgjidhet, nga Jerusalemi nëse qeveria aktuale është ende në detyrë… Me siguri që do të ketë presion të konsiderueshëm mbi Kosovën për ta hapur ambasadën në Jerusalem. Dhe, Kosova mund ta bëjë atë. Siç e thatë edhe ju, ajo do të ketë argument të fuqishëm përballë Brukselit.

A mendoni se rezultati i zgjedhjeve në SHBA do ta ndikojë zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit?

Unë mendoj se pa marrë parasysh se kush zgjidhet në nëntor, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shtyjnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe pajtim midis Kosovës dhe Serbisë. Trump sigurisht që do të dëshirojë të zbatojë marrëveshjen e fundit. Biden mendoj se ka qenë për kohë të gjatë mbështetës i pajtimit kosovar-serb. /REL, shtator 2020/

Please follow and like us: