Cikël poetik nga Neviana SHEHI
MAGJIA E DHJETORIT
Duke shtrydhur pikat e para
të gjoksit të reve
dimri njoftoi me zë të rëndë
për ardhjen e tij
tokë e tharë
erëra grindavece
që s’dinë se ç’duan
dhe përse ulërinë.
Të errët qiejt dhe të ftohtë
avioni i fundit që porsa e përshkoi
u zhduk menjëherë
duke vizatuar mbi të
një fashë të bardhë tymrash
të ngjashme me shallin tim
të porsa blerë.
Që nga dita e djeshme
mbi trupin tim është shtuar
edhe një pallto e rëndë dimri
dhe disa palë këpucë të tjera udhëtimesh.
Kujt duhet t’ia nis më parë
urimet e dhjetorit
pemëve në oborr
apo kujtimeve të strukur të verës
ty apo vetes
ta mendoj një herë
do kemi kohë boll.
Tashmë netëve të gjata
do më duhet të dëgjoj
uverturat e erërave
ankesat e pafundme të gjyshit
për therjen e kockave
këshillat e mamasë
për të mos hequr trikon
bisedat monotone të miqve
për dy vargjet përmbyllës të poezive
dhe simfonitë në katër kohë të shiut.
Këto po më pëlqejnë
sinqerisht ju them
ky shi është
një lavatriçe e stërmadhe e botës
për të hyre me rroba të pastra
në magjinë e dhjetorit…
STACIONET E MALLIT
Çdo natë udhëtoj
instinktivisht mbi trupin e shqetësuar
të botës sime të munguar.
I hipi një vagoni prej ere
që qëndron në këmbët e mia dhe
marr udhët e gjata drejt misterit.
Në portat e mallit takohem me motrën
ajo rri gjithmonë e veshur
me rroba të bardha
ka vetëm një karfice prej reje mbi flokë
dhe mezi pret të më përqafojë
nuk është mplakur fare
vetëm se ka harruar
gjuhën e mbitokës tashmë.
Flet një gjuhë të çuditshme nëntokësore
me theksime të buta të U-së
dhe bashkëtingëllores M
është bashkëtingëllorja më e theksuar këtu
bashkëtingëllorja e mallit.
Në momentin që sytë tanë takohen
krijohet një hark elektrik i papritur
dhe bëhet një dritë e çuditshme
si blicat e fotografëve të dikurshëm.
Ne nuk flasim
sepse në parajsë nuk lejohen zhurmat
vetëm ndjekim lëvizjet e dritave
në sytë tanë
pa zhurma pa fjalë.
Loja e dritave ka qenë dhe është
alfabeti ynë i panjohur nga të tjerë
ndërsa flasim në heshtje
dalloj të vizatuara
diku në sfond
kohët tona të fëmijërisë
të gjitha të mbështjella
nga një vel pafajësie
si fytyra e tejdukshme
e motrës sime.
Eh motër
tashmë që më vjen
për të qarë
po vjen dhe rojtari
motrës i duhet të rihyrë
brenda vetes së saj
ndërsa unë
brenda një vagoni prej ere
Eh
sa shpejt ndalon ky tren
në stacionet e mia të mallit…
I DASHURI IM PREJ FLLADESH
Mbasi trokiti disa herë lehtë
me gishtat e një reje
ai s’priti që t’ia hapë dikush derën
dhe ta ftojë për të hyrë
por hyri vetë
serioz dhe i pafjalë si gjithmonë
me ca jehona bubullimash
të ardhshme brenda vetes
dhe me zemërata të pa shkak shirash
ndonëse unë kisha disa orë që e prisja
në shtegun e pyllit
ai ju shmang vështrimit tim.
Kështu ka bërë e bën saherë
sa herë hyn brenda nesh.
Megjithatë
ky nuk është një shkak për t’ju zemëruar
dhe mbajtur mëri atij
përkundrazi
ky mund të jetë një nga shkaqet që
unë e dashuroj atë pafajësish.
Ndonjëherë
ai më kujton fytyrën e një burri
joshës
ndonjëherë
fytyrën e një dashurie të ëndërrt
që të ka mbajtur
dhe vazhdon të të mbaje peng
dhe kur zgjohesh
s’ka gjë se ka flokë të thinjura
si çdo fund viti dhe
të hedh pa ndjerë asnjë keqardhje bubullima
dhe shira zulmëmëdhenj përmbi trup.
Ai është i bukur
tërheqës dhe joshës
si gjithë burrat hijerëndë dhe fjalë pak.
Thonë se fjalëpakët
kanë kaq shumë siguri ne vetvete
dhe dinë të të joshin kaq lehtë
Kam parë miliona gjethe
në pemëtoren këtu pranë
që shkëputeshin me dëshirë
nga degët mëma të pemëve
vetëm për t’i bërë qejfin
dhe për të mbetur përjetësisht
në vështrimet e tij.
Ai s’di të flasë
s’di të ledhatojë
vetëm tund kokën e tij bubullitëse
duke ju çuar mesazhe
qiejve të rëndë vjeshtore.
Dhe prapë është i hijshëm
Serioz dhe çapkën njëherësh
mbasi ndjek sfilatën e fundit nudo
të pemëve të vjeshtës së vonë
vjen të takohet dhe me mua
Sepse ai është muaj i ardhjes sime në jetë
muaji që më bën të harrohem
me orë të tëra para pasqyrave
dhe ëndrrave të mia të bardha.
Në rininë time të hershme
më pëlqente të vrapoja dhe ta prekja
çdo grimcë të ajrit të tij me buzët e mia
si çdo vajzë e dashuruar.
Dhe këtë po vazhdoj të bëj sot
e shndërruar në adrenalinë që vrapon
po ngutem të takohem më të
i dashuri im prej flladesh
dhe ëndrrash të gjelbra vajzërore
që nuk rrëzohen asnjëherë
përkundrazi…
ZOGJTË GRI TË MËRZISË
Më qëlloi ta gdhij natën në një hotel të vogël
pranë një aeroporti
dhe s’fjeta.
Ngriheshin e uleshin avionët
me zhurma të forta
ndërsa mbi vështrimet e mia qielli po mbyllej
më kish ikur gjumi ndaj në një çast të tillë
njeriu s’mund të bëjë asgjë tjetër
përveç të pikturojë në heshtje konturet
e brishta të një malli të largët
mallin për ty…
Sa orë kishin kaluar që isha ndarë prej teje
katër apo pesë
s’e di
s’e di.
Unë di vetëm të llogaris orët e pritjes
dhe zogjtë e mërzisë që vijnë mbas tyre
në shpirt.
Nuk e kisha ditur që të kisha dashur aq shumë
dhe që çdo orë ndarje me ty
do të merrte përmasat e një viti
as që sekondat e këtij malli do më
ktheheshin në zogj të zinj
si korbi i Martin Camajt.
Më mjaftoi vetëm një natë pa gjumë
që të kuptoj se sa shumë që të kam dashur
dhe sa të dua akoma
dhe më shumë akoma
që dashuri të tilla të hyjnë me forcë nën lëkurë
duke zëvendësuar kështu edhe gjakun e jetës.
Sidoqoftë
mua më duhet të falënderoj zhurmat
e forta të avionëve që ulen e ngrihen
për çdo çast nga aeroporti
dhe imazhin tënd që më ndjek në çdo çast.
Nesër kur të kthehem sërish pranë teje
jam e sigurt që do të ndodhë
përsëri shndërrimi i madh
orët do të kthehen në përqafime
dhe zogjtë gri të mërzisë në pëllumba të bardhë.
Mbrëmë unë kam kuptuar
se sa shumë që të dua
dhe nuk më gënjyen shqisat.
Mbrëmë më qëlloi të gdhij natën
në një hotel
pranë aeroporti dhe kuptova
se sa mall të fal dashuria…