Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Gëzuar përvjetorin e lindjes, Kristaq Mitro!

Miho Gjini
Kristaq Mitro u lind në Vlorë, më 1 dhjetor të vitit 1948, ku kaloi edhe fëmijërinë e adoleshencën, tok me arsimimin fillor e të mesëm të tij, duke vazhduar më tej Shkollën e lartë të Aktorëve, me përfundimin e së cilës evidentoi me dinjitet emrin e vet si Regjisor Filmi. Por me një veçori të rrallë, duke qenë i pandarë në procesin krijues me një tjetër regjisor nga Vlora, me Ibrahim Muçon, si të ishin vëllezër siamezë! Qe një përputhje ideale idesh, përfytyrimesh, metodash artistike e praktikash, në procesin e krijimit që i lidhi këta të dy, si shokë e miq që të mos ndaheshin asnjëherë në krijimin e 12 filmave artistikë me metrazh të gjatë, të cilat tërhoqën vëmendjen e publikut shqiptar, jo vetëm për mesazhet e forta, nëpërmjet realizimit të një sërë karakteresh dramatiko-romantikë të personazheve, por edhe të një profesionalizmi të konsoliduar.
Vetëm në filmin e tyre “Dimri i fundit” ka më shumë jetë, mesazhe të fuqishme, patos e lirikë vizuale, se sa në shumicën e emrave të filmave tanë të krijuar në ato 50 vitet e “Dimrit te Fundit” të diktaturës më të egër që ka parë bota! Djali më i “vogël” i shkollës sonë! Ngaqë ishte imcak e shtatshkurtër, na u duk fare i vogël kur erdhi të konkurojë, por kishte në vetvete një zë të ngrohtë, komunikim të natyrshëm dhe botë të brendshme të pasur, që “i buronte” pareshtur nga sytë e kaltër, tok me një buzëqeshje fëminore krejt të pafajshme. E kështu mbeti gjatë katër viteve, duke i shtuar vetes, vullnetin për të punuar me ngulm, mësuar e ecur përpara, fantazinë e pashtershme, si edhe disa aftësi që kishte plus, sikundër qenë vizatimet e skicimet që bënte vazhdimisht me laps në dorë, për të konkretizuar mendimet e idetë e tij, portretizimet e mizanskenat e etydeve dhe të fragmenteve nga dramaturgjia e huaj dhe shqiptare. Sapo kishin nisur të formoheshin tek ai vlerat e regjisorit të ardhshëm, që më shtynte edhe mua të sugjeroja në dikasterin përkatës ku edhe punoja se, ky djalë nuk duhet çuar në Vlorë përsëri, por në Kinostudion tonë. E kjo do të ishte zgjidhja dhe zgjedhja më e bukur, që i dha shpejt shenjat e saj, duke e kurorëzuar Kristaq Mitron në ato 12 filmat që bëri, bashkë me Ibrahim Muçon.
Në laboratorin e krijimit të filmave Kristaq Mitro e gjeti veten shpejt aty ku u emërua, në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në vitin 1970. Dhe iu deshën plot dy vjet, që në vitin 1972, të debutonte me filmin e tij dokumentar “Basketbollistja Nr. 10”. Pas suksesit të merituar të këtij filmi, sidomos për imazhet e gjetura që ishin fiksuar aty dhe portretit të basketbollistes energjike, ai realizoi edhe 6 filma të tjerë të këtij karakteri, ku pikasi gjithashtu dokumentari virtuoz: “Përse qajnë fëmijët dhe njëmijë pse!”. Ndërkohë ishte pjekur miqësia dhe marrëveshja e një bashkëpunimi artistik me Ibrahim Muçon, për planet e reja krijuese.
“Kur zbardhi një ditë” ishte filmi i parë – një realizim i bukur kinematografik i tri tregimeve të shkrimtarit Anastas Kondo, ku ata të dy ishin asistentë të regjisorit Piro Milkani, i cili kishte studiuar në Çeki dhe, me këtë vepër kinematografike sillte një notë realizmi në atmosferën e kohës së luftës Nacionalçlirimtare, si një ngjarje e rëndësishme, kur jeta duhet të vazhdojë edhe kur pushtuesit e huaj janë gjithkund, në një rrethim të gjithanshëm e ku duhet t’u çohet mielli partizanëve në mal, të ndreqej një urë e shkatërruar, por edhe të çahet rrethimi për të shpëtuar kështu shokët e plagosur.
Në mënyrë të veçantë, episodi i partizanit Meço, qe një nga realizimet më interesante të tyre, jo thjesht nga një interpretim i shokut të klasës së Kristaqit, Timo Fllokos, po kryesisht për atmosferën, rrethanat e fiksuara bukur dhe për ritmikën e zhvillimit të veprimit, përmes detajesh, gjetjesh befasuese, kontrastesh e dinamikës së imazhit në atë ngjitje në kambanore, kur vërshëllenin pareshtur plumbat, deri aty ku bie kambana e që bie edhe heroi, me një gjëmim kambane të shurdhët, të pabujshme, në romantikën me ngjyrime lirike të aktit të vetëflijimit heroik. Një portret filmik i përkryer prej regjisorit Milkani, por edhe i asistentëve të tij!
Vegimi regjisorial, në natyrshmërinë e vet, përcillet edhe më tragjikisht si akt i heroizmit masiv e jo më në trajtën individuale, si në rastin e partizanit Meço, tek filmi i tyre i parë i përbashkët i “Vëllezërve Siamezë”, i Kristaqit dhe i Ibrahimit: “Dimri i Fundit”, realizuar me shumë pasion, drejtë një afirmimi të sigurt artistik në vitin 1975 në kohën e një dimri të vërtetë e të acartë, me dëborë të dendur, kur aktorët duhej të interpretonin në atë thëllim real të të ftohtit dhe kur, nga goja e aktorëve dilte vazhdimisht avull e frymëmarrja e tyre sforcohet, në një kohë kur ritmika e luftës dhe natyra përreth bëhej më e papërballueshme, paralel me atë të rrethimit të forcave gjermane.
Të pazakonta janë këtu portretet e grave që lëvizin në një grafikë filmike nga më të rrallat. “Tokë e përgjakur”, realizuar në vitin 1976, është vepra e tyre e dytë, e rëndësishme për nga vlerat edhe kjo, e cila e përforcoi besimin se, këta dy djelmosha, mund të bënin filma e mund t’u besohej pa asnjë ngurrim realizimi i tyre, si të rinj që ishin, – një film realist, emocional, ku të mbeten në mendje dy nga vrasjet më të realizuara, si imazhe të forta realiste, ajo e Mitit në pjesën e parë dhe ajo e Mullisit në pjesën e dytë. Tingëllimi i gjëmës individuale merr natyrshëm tiparet e një akti tragjik shoqëror që të rrëqeth, por edhe ngre peshë revoltën kolektive, me mjetet shprehëse të artit të vërtetë.
Po këtë tension të kuadrit filmik e të portretit aktoresk do të kishte edhe filmi “Nusja e shtetrrethimi”, i realizuar në vitin 1978, ku pasqyrohet po ajo tematikë guerrilase e kohës së luftës, me personazhe të rinj, përmes një fabule të thjeshtë e reale, të shkruar prej Elena Kadaresë, që merrte jetë e figurshmëri prej kamerës interesante të Bardhyl Martinianit, me mjete të reja shprehjeje. Për të mbërritur një vit më vonë në një kulminacion tjetër, sikundër qe filmi “Liri a Vdekje”(1979), me një skenar letrar të goditur, ku tonet realiste qenë edhe më të shtrira e të vetvetishme, në subjektin e një filmi që evidenton anën intime e njerëzore të heroit, që e shpie luftëtarin e pavarësisë kombëtare drejt udhëve më të natyrshme të flijimit të heroit, i cili nuk stonon e nuk “kërcet” as në skenarin letrar e as në realizimin filmik, por jepet natyrshëm e me vërtetësi, si vlerë e lindur vetiu dhe e ndikuar prej rrethanave konkrete. Por edhe si kërkesë estetike e mjeshtrave në fjalë, ku fantazia e regjisorëve përputhet mrekullisht me ato të skenarit te Vath Koreshit. Nuk e pati këtë tingëllim artistik edhe skenari tjetër i filmit “Në prag të lirisë” (1981), që s’ishte gjë tjetër, veçse një inskenim i ekranizuar i romanit të Shefqet Musarait “Para Agimit”, ku mbeti po ajo shtrirje fort e shpërndarë e subjektit, në një kompozicion të tillë, ku intimiteti dhe veçantia humbet e eklipsohet gradualisht nga tone të përgjithshme të karakterit dokumentaresk. Mitro e Muço bëjnë këtu një tentativë artistike për ta zbutur këtë efekt ilustrativ të politizuar, nëpërmjet një episodi dashurie prekëse, dramatizuar enkas në psikologjinë njerëzore e megjithatë nuk e përjashtuan dot atmosferën ideologjizuese të romanit të Musarait në skenarin e filmit të tyre. Por do të shpreheshin bukur në një vepër kinematografike pasardhëse, sikundër qe “Njeriu i mirë” një vit më pas, më 1982, ku vinin fort bukur mesazhet e novelës së Dritëro Agollit përmes edhe një skenari të menduar mirë prej Nexhati Tafës, ku me guxim goditet burokratizmi pushtetor, si edhe korrupsioni i njerëzve, kur vjen puna për të fituar favore e “hapje shtigjesh”, nëpërmjet pagesave dhe hatëreve. Të dy regjisorët marrin kurajën që të paraqesin modelin e një kryetari komiteti, në të kundërtën e atyre “shallapëve ordinerë”, që drejtonin pushtetin vendor atëherë, si edhe gjithë këtij fenomeni të përhapur në të gjithë vendin, për të shprehur kështu gjendjen aktuale, rrezikshmërinë e fenomenit dhe mahisjen e kësaj plage! Nga ana tjetër, Kristaq Mitro, së toku me partnerin e vet, sjellin këtu një notë të dukshme realizmi, për të thënë publikisht se si duhet të jetë ky model i kohës së atëhershme, me thjeshtësinë njerëzore dhe vlerën e një shoqërie të përparuar, – një aludim, me të vërtetë i guximshëm për kohën e frikshme që po jetonim. Si vallë shpëtuan edhe pa u “hyrë gjembi në këmbë” këta dy djem kurajozë!? Mandej e përforcojnë mesazhin e tyre etiko-moral, paskëtaj, në vitin 1983 në filmin poetik “Apasionata”, përmes një episodi ku rrëfehet se si rrezikon dashuria përmes shpirtligësisë e manisë për të “gërmuar” në biografinë e njerëzve. Atje trajtohet depersonalizimi i njeriut përballë egoizmit prindëror dhe rrëfehet me finesë se sa delikate është qenia njerëzore kur, pa u menduar gjatë, mund ta lëndosh njeriun tënd. E kështu egoizmi thyhet nga humanizmi. Nga ana tjetër dashuria është aq delikate, si një gjethe që mund të bjerë përtokë, ndërsa vyshkja e saj ka përbrenda histori njerëzore … dhënë përmes ekranit me interpretime realiste, në një regji filmike të kulturuar, me mjete shprehëse vizive të një kategorie estetike të lartë dhe bashkëkohëse. Dhe, sikur e plotësojnë veten me mesazhet e së ardhmes, të një shoqërie të emancipuar, të përparuar e moderne me filmin “Duaje emrin tënd” (1984), me skenar të Nasi Lerës, duke rrëfyer me mjeshtri se sa duhet që të vuajë njeriu i ndershëm për të rifituar dinjitetin e personalitetin e vet! Dhe e gjitha kjo do të kishte një proces psikologjik të dhimbshëm, prekës, si edhe me një konflikt të mprehtë e të ashpër, rrjedhoja e të cilave, zgjon vetvetiu revoltën e brendshme të kujtdo njeriu të ndershëm që e sheh filmin nga salla e errët! Është pikërisht ky mesazh i fuqishëm i së ardhmes që i shtyu këta kineastë thuajse “të çmendur” që të vazhdonin edhe më tej, me idetë e mesazhet e tyre të guximshme, me filmin tjetër “Telefoni i një mëngjesi” (1987), kur themelet e shtetit të dikurshëm kishin filluar të lëkundeshin dhe kur bazat e një shoqërie të korruptuar qenë bërë edhe më të dukshme. Dhe kineastët shprehen edhe më hapur për këtë traumë të rrezikshme, që ka mahisur e topitur dinjitetin e personalitetin e njeriut, kur “i këputen krahët” nga arrivizmi dhe sidomos nga futja e interesit në “barkun” e njerëzve të vegjël, për të helmuar shpirtin e njerëzve të thjeshtë në një kohë tepër të gjatë. Nuk kam mundur të shoh edhe një film tjetër, sikundër qe filmi i tyre “Një djalë e një vajzë” në vitin 1990, përsëri me skenar të Nasi Lerës për të pohuar rishtas vlerën etiko-morale të këtyre kineastëve në shigjetimin e atyre “plagëve” që sollën rrokullisjen e një shteti të kalbur, të brejtur nga krimbat e korrupsionit, që e deformuan njeriun e asaj kohe, e korruptuan, duke shprehur, sikundër thamë, me kurajë qytetare, ato fenomene frenuese që sollën ndërkohë protestat e gjalla të studentëve e rilindjen edhe një herë të Kombit. Me siguri që regjisori Kristaq Mitro, ai imcaku i dikurshëm, që erdhi me plotë droje në Shkollën e Aktrimit, ka patur të bëjë në këtë proces krijues të notave novatore të një filmi me vlera sociale, që ecte në shinat e së ardhmes bashkëkohëse. E quaj mençuri të “vëllezërve siamezë” Mitro-Muçaj, që forcat e tyre krijuese i provuan me skenarë letrarë të zgjedhur, duke hyrë në hullinë e begatë të letërsisë së shkruar po nga autorë me stof të mirëfilltë letrar, sikundër qenë Dritëro Agolli, Vath Koreshi dhe Nasi Lera, të cilët garantonin vërtetësi, ndërtonin artistikisht fabulën, paraqisnin konflikte reale dhe personazhe të besueshme, me dialogë lakonike, që evitonin shtjellimet boshe, parazitizmin e përsëritjeve dhe forconin ritmin e brendshëm të filmit. Një ndër garancitë e sukseseve të tyre, por edhe të sjelljes së jetës në ekran, duke “thyer” kështu edhe mosbesimin e fillestarëve të rinj, që gjoja “s’dinë se nga lidhet gomari”! Prej këtu, pas 12 filmash të përbashkët, të sigurt tani për forcat e tyre krijuese, mundën të dalin përballë spektatorëve të kinemasë edhe të vetëm. Dhe tashmë mesazhet e një pastërtie të moralit, Kristaq Mitroja do t’i shprehte plotësisht me nivel artistik, me emocionet e veta, i çliruar shpirtërisht, në filmin dokumentar “Haleluja” që realizoi tërësisht i vetëm, kushtuar vizitës dhe meshës së parë në vendin tonë, të Papës Gjon Pali i Dytë. Këto ditë që po shkruajmë këto radhë Kristaq Mitro, është kthyer prej një Festivali Filmi Vjenez me filmin “Nusja e Shtetrrethimi” dhe përgatitet ta prezantojë filmin “Dimri i Fundit” në Festivalin e Filmit të Bolonjës në Itali. Ai qëndron tani para meje, po aq i ndrojtur, modest e me një buzëqeshje të ndritshme. Erdhi në shkollë i vogël e me flokë paksa të zeza e kaçurrela dhe tani i ka krejt të zbardhura. E mua më duket sikur është po ai djali imcak që erdhi i ndrojtur e i heshtur para nesh, por ama edhe më i etur të bëjë gjëra të mira. Është dekoruar me urdhrat “Naim Frashëri” i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Marrë nga Miho Gjini, Libri-Album “10 plus 1. Portrete artistësh”, 2020, f. 68-76.
————————

Kristaq Mitro është një regjisor shqiptar, lindur më 1 dhjetor të vitit 1948 në VlorëShqipëri. Artist i Merituar i Popullit dhe një një regjisor që ka përfaqësuar Shqipërinë në arena të ndryshme dhe sfida botërore. Ai është një nga regjisorët më të famshëm të kinematografisë shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e filmit shqiptare.

Disa nga regjitë e Kristaq Mitros

Please follow and like us: