Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Kadri Roshi në teatër, film dhe jetën njerëzore…

Kadri Roshi prej filmit dhe prej “teatrit në ekran” u bë i dashur, u bë një mik intim në familjet shqiptare. Këtë status ai e përfitoi si aktori që përcjell mënçuri, urtësi dhe ironi, herë dhe të përziera të dyja bashkë. Nuk luante heroin, por personazhin e vogël, karakterin e njeriut të mençur, praktik, që fatkeqësitë i përcjell filozofikisht… një filozofi e truallit, një filozofi e mbijetesës.
Po luante atë që e ka të përhershme, të pandarë, si hallkë, si vazhdë të ekzistencës fatin e keq… dhe prej kësaj nuk i trembet asnjë të papriture në jetë. Kur ndodh që shpesh t’i thuash kokës tënde, jetës tënde: ik pirdhu, edhe fatit i thua: Ik pirdhu dhe “Të fala sat’ ëme”!
Batutat e Kadriut përçonin mendimin esencial të kësaj ekzistence të rrezikuar, lëngun shtrydhës të egzistencës në shtrëngesë ekstreme. Ndaj ai pa role të mëdha, ngjiti… shfaqi veten, veten tonë, ashtu siç ishim… pjellë të kohërave fatakeqe.

Kam një kujtim personal me Kadriun.
Aktorët e Teatrit në Kryeqytet për pak, fare pak shpërblim monetar i shihnim si recitues në promovime librash. Një shërbim që atyre u bën nder. Ata i zbukurojnë aq shumë këto veprimtari. Ndodhte që dhe Kadri Roshi vinte si recitues në promovime.
Në këto promovime më ndodh që të jem i papërgatitur, por me që jam në sallë, ma japin fjalën pa më pyetur dhe duhet të shpreh një mendim… mendim që nuk e kam…
Për të dalë nga situata, rrëshqas dhe them se do të recitoj aty për aty, 1, 2 poezi të librit. Kaq bëj. Dhe ulem.

Në një nga këto promovime, ç’të shoh? Mbas meje i jepet mikrofoni Kadri Roshit dhe ai ngrihet dhe interpreton poezi të librit, reciton si ai… mjeshtërisht.

Takohemi me Kadriun me nga një gotë në duar në koktejin që pason promovimin.
Ai ishte idhulli i fëminisë, i vatrës së familjes… batutat e tij i dinim dhe e imitonim sa mundnim.
Tani ai më vjen në krah. M’i ngul ata sytë e zgjuar dhe zhbirues. Pastaj Kadri Roshi, vetë ai, më thotë: Pse nuk ma jep mua këtë zërin tënd. Po sa mirë që më recitoje.
Mjeshtër, mos më bëj me turp, i them.
Jo, jo, më thotë, zërin tënd t’a kam zili. Pse nuk ms jep mua.
Merre, po munde, i them. Mua nuk ka ç’më duhet…
Qeshim të dy.
Kadriu ishte aq njerëzor, sa vinte e më bënte dhele, më përgëzonte për recitimin tim amatoresk.

Please follow and like us: