Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Beatriçe Balliçi 

Fatit tonë të vonuar
Fatit tonë të vonuar
Më thuaj shpejt e shpejt
Diçka të lehtë,
Një fjalë si ‘kalorës’,
Një fjalë si ‘verë’,
Një fjalë që fluturon nëpër erë,
Se fjalët e mençura
Kokën na e lodhën
Dhe në breg s’na nxorrën asnjëherë.
Më thuaj shpejt e shpejt
Diçka të lehtë
Dhe mbushma përplot gotën!
Dhe mos u pendo, miku im,
Që në jetë ne ishim muskëtiere,
Se kurorë dinjiteti kërkuam,
Kurorë lirie të vërtetë!
Por fatit s’ke ç’i bën,
Fatin tonë ne s’e patëm kurrë në duar,
Fatin tonë idiot,
Fatin tonë të vonuar!
Së paku për mua
Nuk duhet asnjëherë të trishtohesh,
Së paku për mua
Në mos për veten tënde.
Duhet të jetosh sa më shumë,
Së paku për mua,
Të jetosh deri në frymën e fundit
Tani që i mundëm barbarët.
Duhet të qëndrosh në këmbë
I dlirë e i fortë si pelegrini që vështron
Veç faltoren e zotit.
Shpirtpastër të ndjehesh si fëmijë
Për fjalën e ashpër në revoltë
Për fjalën nganjëherë të pambrojtur,
Jo për fajin tënd
Por për frikën e të tjerëve
Që s’qëndruan dot
Dhe u përbaltën
Që kurrë s’të zgjatën një dorë miku
Në çaste vetmie e rreziku.
Sfidant ke qenë dhe je përsëri
Me gjithë luftërat që kurrë s’i deshe,
Goditjet pas shpine s’të lëkundën nga kodi yt i burrit e i burrërisë,
I mikut e i miqësisë.
Shpirt i pagjumë, i paqetë
Për të ikurit e tu shpirtplasur,
Për të vdekurit e tu pa varr,
Qetësohu, ka një gjyq hyjnor që s’fal!
Miku im, ti kurrë s’i tradhtove shokët
Edhe kur të tradhtuan,
S’i braktise ëndrrat
Bohem i lirisë e i dashurisë,
Aspiratë ishte gjer dhe frymëmarrja jote..
Në duart e tua fytyra ime
U rrethua me qiell, me pafundësi,
Të mrekullueshme kanë qenë ditët tona me diell,
Dhe perëndimet të ndritshme, gjithsesi!
Është cikël dashuria
Është cikël dashuria
Mos u ndje në faj
Me zemrèn e copëtuar në duar
Mos më bëj të qaj.
Është cikël dashuria
Dikur vdes dhe ajo
Si një trumcak në dëborë.
Mos qaj
Tani që po ikën rrugës ku
Veç vije.
Dhe mos u përpiq
Të gjesh njè shkak
Jo çdo përfundim e ka një përgjigje.
Është cikël dashuria
Si një zjarr i madh
Flakëron deri sa digjet.
Please follow and like us: