Albspirit

Media/News/Publishing

Dr.Ymer Elezi: Aron Solomoni, kolegu ynë, që bëri emër në Izrael

Mjeket veterinere shqiptar te gjeneratës se Aron Solomonit, gjenerata e re por edhe shume shoke e miq te tij ndjehen krenar qe biri i tyre i Vlorës edhe pse e ndau jetën ne dysh mes Shqipërisë dhe Izraelit ai kurrë se ndau mendjen nga Shqipëria, duke e përfaqësuar atë denjësisht dhe me krenarinë e një shqiptari edhe ne atdheun e tij te dyte, Izraelin!

 

Dr. Ymer Elezi
President i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar Shqiptar

Aron Solomoni, djaloshi biond dhe me trup shtatlartë si prej atleti, u rrit dhe u edukua në lagjen Muradie të Vlorës ku ndër vite ka jetuar një komunitet i përhershëm hebre!

 

E pikërisht në këtë lagje ishte vendosur edhe familja e madhe Solomoni që kishte emigruar qysh herët nga Janina për në tokat shqiptare dhe falë kodit të mikpritjes  i futi këta banorë të rinj ne gjirin e vete dhe ata u ndjenë këtu si ne atdheun e tyre te dyte-Vlorën mjaft kontraverse, por krenare dhe mjaft spontane, virtyte këto që ti dhuron deti i bukur dhe klima mesdhetare për të patur një botë shpërthyese dhe të skajshme përtej limiteve të të zakonshmes!

E pra, djaloshi me sy gështenjë dhe me një të folur te qete prej mendimtari u rrit dhe u edukua në një familje me tradita kulturore ku gjyshja dhe nëna ishte mësueset e tij e para, që injektoi ndjenjat e popullit te martirizuar hebre, si dhe i dha mësimet e para të gjuhës greqishte, duke kultivuar tek ai dashurinë për gjuhët e huaja qysh në fëmijëri!

Si fëmija e fundit e familjes Solomoni dhe ku vëllezërit e tij me te mëdhenj kishin përfunduar studimet e larta në dega të tjera, Aroni pas përfundimit me rezultate maksimale te gjimnazit “Ali Demi” Vlore, fati e solli në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare Tiranë dhe pikërisht këtu ai shpalosi dhe tregoi me vepra vlerat e tij të vërteta përmes përkushtimit për ta arritur rezultate të larta por duke manifestuar një sjellje dhe kulturë mjaft mbresëlënëse!

Si bashkëkohës dhe shok i afërt i tij, gjatë periudhës studentore, Aroni mund të konsiderohet si një nga studentet më seriozë e me këmbëngulës dhe me të programuar deri në detaje, në gjithçka dhe për gjithçka, aq sa në përfundim të të gjithë ciklit studimor ai mundi të arrijë vlerësimin maksimal në të gjitha lëndët e programit akademik.

Pas përfundimit të studimeve, Aroni nisi jetën profesionale te mjekut veteriner në NB “Kanan Maze” Kotë, Vlore, ku punoj për 15 vite, periudhe ku ai shpalosi të gjithë bagazhin e tij si specialist shembullor dhe tregoi me vepra në punë se kishte njohuri të thella shkencore e profesionale dhe ndërkohë provoi se ishte edhe shume i afte në aplikimin e dijeve dhe metodave te reja shkencore në prodhim dhe në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, ku natyrisht atij përparësi i jepnin edhe njohja e disa gjuhëve të huaja, ku përfshihej edhe gjuha frënge e mësuar student!

E pra sot ne Vlorë ka mjaft kolegë bashkëkohës, miq e shokë që e kanë njohur, kujtojnë dhe vlerësuar nga afër punën dhe aftësitë e Aronit, të cilat kanë mbetur pas si një vepër e mirë e tij…

 

Ishte viti 1991, kur pas një ftese dashamirëse te shtetit te Izraelit për te pritur te gjithë bashkatdhetarët e vet ne atdheun e tyre edhe familja Solomoni si mjaft te tjera pas shumë vitesh banore e këtij të dashur la pas Vlorën për te udhëtuar drejt tokës te te pareve te vet, tokës mëmë, ku hebrenjtë e kishin ëndërruar nder shekuj !

Dhe Aroni tani pas rreth 30 vitesh kujton impresionin e pare me token qe ja kish futur ne gjak gjyshja e tij qysh herët ne fëmijëri!

Izraeli është një oazë dhe mrekulli mes botës arabe!

Është shteti që edhe pse i krijuar vonë, të mahnit për nivelin e lartë të zhvillimit teknik dhe teknologjik në të gjitha degët e ekonomisë, të prodhimit dhe në sektorët e tjerë jetik të shtetit dhe të shoqërisë!

Është shteti që të entuziazmon për multikulturalizmin e shtrire ne te gjithë vendin dhe kultura te perandorive me te fuqishme te kohës si: romane, bizantine, helene, armene, otomane, britanike, spanjolle, franceze, arabe etj ku secili ka lëne nga një gjurme në arkitekture, gjuhë, doke dhe zakone.

Është shteti brenda të cilit gjenden disa vepra unike në botë, si Muri i Lutjeve, i ngritur nga Herodi, ku ka mbetur ende i gjallë riti 2000-vjeçar i pelegrinazhit pre ekzistencën e kombit hebre, deti i vdekur, i shtrire si syri ne zgavrën e një truri ne fund-jete qe  tërheq mijëra turiste me çudite e tij kuruese e sfiduese për te lexuar gazetën mbi ujë pa ditur fare not, mbetet mrekulli mbi këtë bote, Muzeu i Holokaustit ku spikat egërsia për shfarosje te hebrenjve, por populli shqiptar fale besnikërisë dhe humanizmit te tij është ne krye te te gjitha vendeve, qe nuk dorëzoi asnjë hebre ne duart e nazizmit, katedralja e Jezu Krishtit ne Jerusalem, ku paqja e vendosur midis feve tregon se popujt duan te jetojnë ne harmoni me njeri-tjetrin.

Është shteti qe ka një bashkësi heterogjene kombësish dhe kulturash  dhe ku fliten rreth 80 gjuhe ndryshme te sjella nga hebrenjtë nga vendet nga kane ardhur dhe janë ne bashkëjetesë te përhershme dhe ku ne çdo familje fliten 2-3 gjuhe, dhe ku njëra patjetër është anglishtja !

Një popull me mjaft kulture, punëtor, arsimdashës, i kujdesshëm por edhe shume krenar për veten, shtetin dhe kultin e kombit te tyre!

**

Izraeli është shteti qe duket si një trëndafil shumëngjyrësh e i gjelbër ne mes te botes arabe e ku për te kontribuon çdo qytetar i tij dhe tanimë atij do te bashkohej edhe komuniteti hebre i shkuar nga Shqipëria, i cili shpejt do te përshtatej  me jetën mjaft dinamike dhe me zhvillimin shume te larte te tij!

Aroni, si një intelektual dhe specialist me një përvojë te admirueshme pune ne Shqipëri e nisi jetën e re jo me lutje, qarje e me pritje po me integrimin ne profesionin e veterinerit!

Këtu përfshihen një sere programesh studimore qe nisin me mësimin dhe aftësimin e gjuhës hebraike, pastaj u vazhdoi studimet për një vit ne universitetin e Tel Avivit për njohjen e gjuhës teknike dhe shkencën e veterinarisë e me vone ne universitetin hebraik, fakultetin e veterinarisë  te Jerusalemit për specializim për problemet e shëndetit te popullit, për sëmundjet zoonotike dhe mbrojtja prej tyre, e konsideruar si doktorate!

Pra për ekuivalentimin e nivelit të njohurive Aroni kaloi ne 6 kurse teorike ku skema e vlerësimit ishte nje proces zinxhir, para një komisioni prej 6 vetesh, ku pas çdo pyetje në secilën lende duhet të marrësh vlerësim pozitiv për të vazhduar tek lënda tjetër po nëse në një lëndë merrje vlerësim negativ, procesi ndërpritej dhe i gjithë provimi s’kishte më vlerë dhe duhet te përsëritet nga e para!

Dhe ndërkohe ky provim kryhet me kohe, brenda një ore, kurse Aroni e ka marre vlerësimin brenda 25 minutave!

Pas ridiplomimit për mjek veteriner Aroni nisi punën në zyrën rajonale në Beer Sheva ku punoi për rreth 26 vite të mbushura me mbresa, kujtime dhe përvojë për gjithçka të bërë në shërbimin veterinar!

Tani qe kane kaluar vite Aroni thotë se mjekësia veterinare ne Izrael ka një status te larte vlerësimi dhe është një profesion shume i nderuar dhe e barasvlershme me mjekësinë humane, qe natyrisht gëzon edhe me një suport te fuqishëm shtetëror dhe social.

Ndërkohë është bere edhe një dege shume e preferuar për te rinjtë, po dhe shumë e vështirë për t’u regjistruar, pasi duhet të kesh një diplomë të shkollës së mesme me shkallen e vështirësisë 5 dhe të kalosh provimin e psikometrisë dhe nga 800 pike, për t’u kualifikuar duhet të marrësh mbi 740 pikë, po ky test ka bërë që kush nuk fiton këtu shkon për të studiuar ne Evrope e Amerikë kurse diplomat e jashtme të kenë koeficient të ulët vlerësimi.

Shteti i Izraelit zbaton standardeve te larta te arsimimit, përfshirë përgatitjen edhe te mjekeve veterinere me cikël studimi 7-vjeçar, të përdorimit te teknikave dhe teknologjive mjaft të larta në shërbimet mbështetëse si në laboratorët veterinar të kontrollit të shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore, të përdorimit te pajisjeve e instrumenteve moderne për inspektim, të nivelit teknologjik te larte te industrisë përpunuese, tashme është kthyer në një superfuqi e vërtetë ne rendimentet e prodhimeve bujqësore dhe ato blegtorale.

 

***

Izraeli ka sipërfaqe prej 24 mije km dhe popullsi rreth 9,2 milion banore, kurse shërbimi veteriner është i organizuar ne 6 rajone dhe ne dy nivele: ne shërbim shtetëror, i cili kryen masat vaksinuese dhe ne shërbim privat qe ofron shërbim për të gjitha patologjitë e tjera ne ferma!

Ja disa tregues qe vështire se do ti gjesh ne një vend tjetër dhe për vitin 2019 Izraeli ka :

– 723 tufa mjelëse me 117556 krerë lope gjithsej dhe ka prodhuar 1.5 miliard litër qumësht,

– rendiment mesatar 11852 litër/ krerë ne vit, nga një race lope e kultivuar ne vend

– prodhuar 42000 ton djathëra të forta dhe 109.000 ton djathëra te buta si gjiza kotexh etj

– tregtuar 465 milion litër qumësht lope e qumësht kakao etj.

– 78 tufa dhi dhe ka prodhuar 14 milion litër qumësht, me proteine 3,53%, yndyre 3.85%

– 45 tufa dele dhe ka prodhuar 10 milion liter qumësht me proteine  5%, yndyre 5.61%

– prodhuar 300 kokrra veze/ krerë

Natyrisht këto janë vetëm disa tregues te cilët vetëm një vend si Izraeli, i bën realitet dhe i ka në masivitet…

Aron Solomoni edhe pse në vendin e te pareve te tij prej rreth 30 vitesh dhe ku ka mbyllur një karrierë te suksesshme ne mjekësinë veterinare, ai kurrë se ka hequr mendjen nga Shqipëria, vendi ku lindi dhe kaloi fëmijërinë dhe rininë, ku u arsimua dhe mori emrin mjek veteriner nga një trupë akademike profesorësh të paarritshëm te Fakultetit të Mjekësisë veterinare dhe ku nisi punën dhe ku njohu kolegë, miq e shoke te shumte!

Po kush ka shkuar ne Izrael, përfshire edhe shtetarët shqiptar dhe nuk ka dëgjuar për punën plot pasion tr këtij mjeku veteriner.

Dhe gjithçka qe ka ruajtur me nostalgji nder vite për Shqipërinë ai ja ka transmetuar bijve te tij Or, qe ka përfunduar shkollën e mesme shkëlqyeshëm dhe tani kryen stazhin njëvjeçar ne Radio Ushtria dhe Gal e cila sapo mbaroi shkollën e mesme me rezultate te larta por edhe  ajo do shkoje për te kryer stazhin njëvjeçar ne ushtri, një parakusht ky për te vazhduar arsimin e larte, por edhe bashkëshortes, një zonje e fisshme nga komuniteti hebre!

Mjeket veterinere shqiptar te gjeneratës se Aronit, gjenerata e re por edhe shume shoke e miq te tij ndjehen krenar qe biri i tyre i Vlorës edhe pse e ndau jetën ne dysh mes Shqipërisë dhe Izraelit ai kurrë se ndau mendjen nga Shqipëria, duke e përfaqësuar atë denjësisht dhe me krenarinë e një shqiptari edhe ne atdheun e tij te dyte, Izraelin!

Please follow and like us: