Albspirit

Media/News/Publishing

Elira Luli: Përtej imazhit fals, duhet të themi të vërtetën ose t’i afrohemi asaj

 
Me ngacmoi statusi i artistit Robertit Aliaj Dragot ‘një popull me mentalitet emigranti’, që mu duk sikur e kisha shkruar vetë edhe mendoj se çdo shqiptar i zhgënjyer e gjen veten tek fjalët e Robertit, kur përshkruan si është katandisur patriotizmi i shqiptarëve në ditët e sotme.
Dikush mund të thotë, çdokush nga ne duhet të përpiqet dhe të kontribuojë për një imazh më të mirë të vendit – ai s’ka bërë mirë!
Unë mendoj se duhet të themi të vërtetën!
Sikurse u rrita me dashurinë ndaj vendit dhe ndaj vlerave kombëtare të vyera që e karakterizojnë këtë vend, mendoj se jemi duke humbur shumë. Im atë (një qytetar ‘par excellence”), s’ka reshtur së na foluri për historinë dhe kulturën shqiptare, pra të një prej popujve më të lashtë të historisë së njerëzimit dhe për politikën si nje vokacion në shërbim të vendit dhe shoqërisë.
Por këto vlera, jane çvleftësuar nga keqqeverisja, që po ezaururon edhe ato intelektualë të këtij vendi, të rinj, familje, duke e lëne vendin pa modele ose me modele të shtrembërta morale dhe atdhetare.
Informaliteti dhe klientelizmi janë bërë kriteret bazë në ndërtimin e institucioneve…
Shkelen njerëz me të dyja këmbët çdo ditë, sepse shqiptarët më shumë se asnjëherë më parë diferencohen sipas bindjes politike, si fillim porsa vënë këmbën në Administratë. Përmend Administratën sepse aty është vetë motorri i operimit të aparatit shtetëror dhe publik (jo partiak, kurrësesi).
Duke marrë parasysh ekspertizën që ofron një nëpunës civil në menaxhimin e burimeve të shumllojshme, si hallka e katërt e qeverisjes, rolin që ka për stabilitetin dhe vazhdimësinë brenda për brenda sistemit politik-shtetëror, ai është shndërruar në një ‘lolipop’ që vlen për punë vetëm në bazë të ngjyrës.
Sot, një nëpunës civil o është o s’është pjesë e sektit partiak, o është, o s’është pjesë e klaneve të bërrylave, lëpirjeve dhe spiunimeve… dhe patjetër mbeten shumë të tjerë jashtë, sado që i vlen lëkura, apo çfarë njohurish kanë. E këtu fillon shembulli i keq i trajtimit të punonjësve edhe përtej administratës…
Shkelet dinjiteti njerëzor çdo ditë me shërbimet që i ofrohen qytetarëve në çdo sektor, me nevojat bazë që i duhen, me diskriminimet dhe trajtimet që i bëhen-se varet kush je❓
Mos të flasim për #takstat e larta #varfërinë #papunsine #emigrimin për kushte të këqia.
Shkelet ëndrra e shqiptarëve për t’u ndjerë më parë qytetarë të lumtur e të realizuar në vendin e tyre, e më pas për t’u bërë më në fund qytetarë të Europës.
Prindërit e mi punojnë akoma sepse pensioni është i pamjaftueshëm, do ishte mirë të qetësoheshin mbas 40 vjetësh punë në arsim, (kontribut i pastër për brezat), por jo ata punojnë akoma.
Prindër të tjerë shqetësohen se për shkak se nuk kanë mbushur vitet e punës/pensionit (për arësye si emigrimi, heqjet nga puna, mos gjetje pune etj. etj…) nuk do mbijetojnë dot me pensionin që do i dali në fund.
Ndërsa, e ardhmja e brezit tim që ka kaluar shumë tranzicione duket e paqartë – e kur është e paqartë për ne – për fëmijët tanë duket mjaft e pasigurtë.
Besoj që të gjithë shqiptarët meritojnë, duan dhe kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë skenarëve propagandistikë, arrogancës, varfërisë, mungesës së meritokracisë në çdo fushë dhe diskriminimit për çfarëdolloj arsyeje, por sidomos asaj partiake.
Ka ikur koha e luftës së klasave, e kultit të njëshit, dhe e indoktrinimit – sot edhe me ndihmën e teknologjisë – sepse po nëpërmjet asaj teknologjie qytetari merr dhe informacion pa fund, nuk është më i painformuar.
Mjaft me përçarjet, me drejtim nga lart dhe me luftën/muret ndaj njëri-tjetrit për shkak të pamjaftueshmërisë!
Tirana është një kantier ndërtimi, rritet përditë dhe mbipopullohet përditë duke disbalancuar qytetet e tjera që rrezikojnë të dalin nga skema e qëndrueshmërisë. Mendoj se qytetarëve nuk u duhet vetem një kantier ndërtimi, por një kantier mundësish, madje të barabarta=dhe një zhvillim harmonik në të gjithë Shqipërinë.
Po, po vuajmë pandeminë sikurse të gjithë, pasojat që la tërmeti (vuajtje ende pa përgjigje), por situata nuk ishte më mire para, edhe më pas… duket se do jetë më keq.
Duhet të themi të vërtetën, që sidomos pas 7 vitesh ne nuk jemi më mirë. Jemi sipas kategorive… ose vend numëro, ose më keq ose tërësisht të margjinalizuar.
S’ka mbetur veç të themi të vërtetën!
Të paktën të jemi të sinqertë!
Please follow and like us: