Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Kaceli: Ju prezantoj Delbrin Demaj!

Arti i fotografisë në përgjithësi, dhe fotografia e natyrës së egër në mënyrë të veçantë, po merr një përhapje të pazakontë ndër shqiptarët kudo që jetojnë.

Kjo në sajë të teknologjive moderne të fotografisë që e kanë çuar këtë art të krijimit dhe fiksimit të imazhit, në majat më të larta!

Fotografia, në fakt, më shumë, është parë si pasion qysh prej krijimit! Ata më me fat arrijnë ta shëndrrojnë këtë në profesion apo edhe në nivele artistike që të befasojnë!

Ajo që më ka befasuar në këtë moment aktual të përhapjes masive të fotografisë ndër shqiptarët është numri, gjithmonë në rritje, i fotografëve të moshës më të vogël! Fotografët fëmijë janë fenomeni më i fundit i këtij procesi!

Janë këta fëmijë fotografë, si Joel Hila, Divjakë, vëllezërit Amal e Kejsan Mavriqi, Kamenicë etj. që po fillojnë të bëjnë diferencën qysh në hapat e para!

Një prej këtyre fëmijëve fotografë, është edhe vogëlushi nga Hajvalia, Prishtinë, Kosovë, Delbrin Demaj të cilin po kam dëshirë prej kohësh ta prezantoj!

11 vjeçari Demaj vijon klasën e gjashtë në shkollën “Shkëndia” Hajvali, komuna e Prishtinës. Pasionin për fotografinë në përgjithësi, dhe për fotografimin e jetës së egër  në mënyrë të posaçme, e ka marrë nga babai i vet fotografi i njohur shqiptar Lulzim Demaj.

Mësuesja e biologjisë, Sheribane Xheladini, thotë se Delbrini ka filluar të ketë një interesim dhe përparim jo të zakontë, për moshën, në lëndën e biologjisë. Veçanërisht kur spjegohet për faunën dhe gjallesat e egra! Në fokusin e Delbrin Demajt hyjnë portreti, peizazhi, e ma së shumti, pasioni kryesor, wildlife! Ku pas një konkurimi seleksionues ka arritë të marrë pjesë me një fotografi të këtij zhanri, në ekspozitën e përzgjedhur të shoqatës Wildlife Albanian Photographers të organizuar më së fundmi në qytetin e Prizrenit!

Delbrini thotë se i pëlqen të fotografojë martin peshkatarin, pupëzën, e më shumë shpendët grabitqarë. Këtyre të fundit iu ka mësuar edhe detajet e sjelljes që janë të domosdoshme për një fotograf të natyrës! Si hobby i dytë mbetet sporti i futbollit, ku shkon rregullisht në shkollën e futbollit pranë ekpit “FC Hajvalia 2020”, duke shfaqë talentin e tij edhe në këtë fushë!

Babai i Delbrinit, fotografi sportiv dhe i natyrës së egër Lulzim Demaj, thotë se është shumë i kënaqur kur sheh që djali po kërkon të trashëgojë ketë profesion të bukur. Ai ndjehet i surprizuar nga përparimet e të birit në këtë hobby! Dhe është i lumtur kur shikon se pasioni e mban larg lojnave elektronike, që shpesh kthehen në mani për moshat e vogla!

Të surprizuar ndihemi edhe ne të tjerët kur shohim përditë realizimet dhe përparimet fotografike të vogëlushit nga Hajvalia,  Delbrin Demaj! Të surprizuar dhe me shpresën e urimin që të vijojë gjatë e me sukses këtë rrugë të bukur të trashëgimisë kulturore shqiptare!

Please follow and like us: