Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Çfarë shkruante Rugova më 28 nëntor 1968?

Frank Shkreli

 

(Me rastin e 76 vjetorit të lindjes së Ibrahim Rugovës)

 

Më 2 dhjetor të vitit 1944 ka lindur Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës

Sivjet po e kujtoj ditëlindjen e këtij burri të madh të kombit, jo me fjalët e mia, por me fjalët e tij: Pasi jemi ende në frymën e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, me kënaqësi po shpërndaj një artikull të Ibrahim Rugovës, shkruar me rastin e 28 Nëntorit të vitit 1968, në një prej gazetave të Prishtinës së asaj kohe. Titulli i shkrimit është “Pavarësia Kombëtare -28 Nëndor 1912- 28 Nëndor 1968“.

Për ata që mund të kenë harruar, sidomos për ata fatzezë, shumë prej të cilëve – atëherë e sot — të influencuar nga idetë sllavo-komuniste, ende flasin keq dhe gjithnjë nuk duan t’i njohin meritat e këtij udhëheqësi unik të kombit shqiptar – duhet kujtuar se viti 1968 – kur është shkruar artikulli — ishte një periudhë e rëndë në historinë e Kosovës, por edhe e lavdishme – ndoshta ndër datat më të spikatura të historisë kombëtare të shqiptarëve.

Ishte viti i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës për të drejtat e tyre, demonstrata që fillimisht shpërtheu në Prizren, me 6 tetor, 1968, e që më vonë u përhapen anembanë Kosovës, duke kërkuar të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar shqiotar dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës.  Demonstratat e vitit 1968 ishin vërtet një kryengritje popullore e shqiptarëve që e shkundi nga themelet regjimin komunist jugosllav të asaj kohe, megjithëse demonstratat u shtypën brutalisht nga regjimi komunist jugosllav. Por, demonstratat patën edhe suksesin e tyre, pasi çuan në themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe në miratimin e ligjeve të reja të favorshme për shqiptarët, përfshirë Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës.

Ishte pra, në këtë periudhë të tensionuar politike dhe mjaft të rrezikshme për intelektualët e Kosovës, të asaj kohe, siç ishte Dr. Ibrahim Rugova, kur Presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës e shkruante artikullin “Për Pavarësinë Kombëtare” që po e sjellim më poshtë në faksimil, të botuar në nëntor të vitit 1968.

Më thënë të drejtën, mua nuk më habiti fare ky shkrim, pasi Dr. Rugovën e kam njohut si një atdhetar të palëkundur, në idetë dhe në besimin e tij, në vlerat kombëtare, sidomos në pavarësinë dhe bashkimin kombëtar – siç e kishte titulluar edhe shkrimin – prej vitit 1968, pra.

“Viti 1912. Zgjedha otomane zënë të hiqet. Ketë e bëjnë ata që me shekuj ndien peshën e saj, peshën e saj të ndyet çkombtarizuese, vëllavrasëse dhe coptuese. Edhe toka e Mëmëdheut është e zgjuar. S’duron më këmbën e ndytë poshtëronjëse që fikte njomsitë pa lindë fare. Bota dëgjon për këtë. Ballkani ushton. Trimat ende, në të gjitha anët…”, shkruante Ibrahim Rugova, ndër të tjera, në nëntor të vitit 1968.

Ndonëse shkrimi ishte botuar dy muaj pas demonstratave të Kosovës është kollaj të shihet se Rugovës, “gjuha i shkon aty ku i dhemb dhëmbi”, ndonëse i referohet “kuçedrës së Anadollit”, ai sikur shkruante edhe për situatën e atëhershme të shqiptarëve nën kuçedrën komuniste të Jugosllavisë: “… nuk kemi asgjë se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po, ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtërat tonë të djegur për tokën e strëgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshëvet. E shpurëm më tej dhe do ta shpiejmë gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur…”.

“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, ka thënë Ibrahim Rugova.

Ata që e kanë njohur Dr. Ibrahim Rugovën besoj se e dinë se Dr. Rugovës mund t’ia prisnin kokën, por mendimet nuk do të mund t’ia ndryshonin kurrrë.

Ky shkrim më poshtë është edhe një provë tjetër për këtë thënie. Lexim të këndshëm.

Please follow and like us: