Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Ujëra të nëndheshëm

Ujërat rrjedhin përposh, revan, të paqta, pa ndalim,
shtresave, humbellave, rrënjëve, damarëve të jetës.
Rrëpirave të dilemave, imagjinatës në shpërthim,
harlisur në festa lirie, harmonie, pa egoizëm urrejtës.
Ujëra që i gjejnë vetë udhët, pa pyetur për ligj a dekret,
pështjellë me avuj durimi që s’duken, s’bëjnë ndalesa.
Ndonëse ua fshehin horizontet, hapësirat, errërat, qiejt,
për to ka rëndësi mostrubullimi, frymëmarrja, pesha.
Ujërat që rrokullisen duke gabuar përherë e më pak,
në lojën e mundësive, itinerarit të mistershëm fluror.
Nuk njohin varësi hierarkike, rrezik a pendim pa shkak,
nderojnë veç pemët me rrënjët e ngulura thellë në tokë.
Ujërat sovrane, fërshëllima, heshtje të befta, të shenjta,
pa gromësima gjumi, pa frikë zjarri, pa triumf të forcës.
Bredharake, të lira, në fqinjëri trubulluese me zotin!
Derdhin kohëve freski guximi mushkrive të tokës…
Ujëra gurgulluese që nën dhe vraponi të kthjellta,
sa me zili m’i bëni ëndrrat e mia të fshehta…
Please follow and like us: