Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Kostas Varnalis vjen në shqip nga Arqile Garo

Kostas Varnalis: I LAJTHITURI
Në krye, larg e shumë më përpara turmës së tmerruar, ecën
duke kërcyer e duke kënduar dikush që ka lajthitur.
Kisha grua dhe cangadhe,
kisha Lenon cicëmadhe,
po nuk bëra prokopi.
Në ç’harem vallë ka qëndruar,
në ç’jastëqe prehet shtruar,
nga po ha e ku po pi?!
Por veç sa të kthehet rrota
e të hyjmë mu në Stamboll,
skllave plot edhe hanëme,
rreth e qark do kemi boll.
Aj! Jevgjiti me gërnetë,
dajres do t’i bie vetë,
hapuni më bëni vënd!
E vura festen mënjanë,
mengadalë, të heq sevdanë,
të hedh një valle të rëndë.
Bëje thagmën damixhanë
me rakinë zinxhir,
bëju çezmë e më rri pranë,
porsi çupë e mirë!
Qofshi mirë, paçi shëndet,
me çapraze, me gajret,
ju, oxhaqet e mbëdha,
goxhabashë edhe bejlerë,
më dhespotë e kadilerë,
-gaz e lodra, hokada!
Ah, të kisha njëmijë duar,
të pushtoja mikun,
dhe dy brirë or të uruar,
të trembja armikun!
Të mbajë gjatë e të marrë dhenë
masakra, mbani shëndenë,
o ju dijetarë të penës!
Lartësoni emrin tonë,
lani lavdet me jehonë,
dhe hallall qumësht’ i nënës.
Të kishim një kumandar,
diell që verbon,
ta kish lafshën një kandar,
zërin si trompon!
Ti merr fshatrat e Moresë,
Rumelinë lidhe me besë,
t ’i gëzosh e me shëndet!
Veç andej nga Dardanelet,
ku gëlojnë peshqit si delet,
është i imi vilajet!
Jam mavri e brekëçjerrë,
një gisht zhuli mbi xhaketë,
morri përmbi kanatjerë,
zhgalur flokët për ibret.
Po kam mënde të ndriçuar!
Në sofa të shënjtëruar,
seç u shtrova seç u trasha,
porse barkun e ndjej bosh,
veç që fryhet sa një kosh,
-më bëhet ushqimi hasha!
Shkëlqen dielli, ndrin dita,
e unë jam një bukurosh!
Dhe një mi që kollofita,
Zot i madh, ti rrofsh e qofsh!
Mishi, kockat, duart, sytë,
në baltë do treten një ditë,
o Atdhe, qofsh i bekuar!
I ke të tutë afendikonjtë,
armiku le të kthejë patkonjtë,
ti, do rrosh i lumturuar!
Për haraçin, për fëminë,
e gjen vetë kararin,
tjetër është ta falesh tinë,
tjetër të ta marrin.
Fallco qënkërka kjo botë.
S’ rrojta˙ ëndërrova kot,
Një jetë porsi zabërhan,
por do t’ ju gëzoj, Liri,
e Vërtetë e Dashuri,
sapo të kaloj Matanë.
Të kishim një kumandar,
djall, shejtan e puft,
të ashpër e kokëtharë,
të na bënte luftë!
Të lëshohesha atëhere,
të sajoja ca xhuhere,
e me mënden përmbi re,
t’ i bashkoja që të tërë
pa kufij e në një vlerë
po ti ndarjen ku e pe?!
Ta shoh botën këmbë përpjetë
vëllanë, hasëm e zuzar,
hasmin ta kem vlla përjetë
e padrejtësisht të vrarë.
Një gjyle në çaçkë të kokës e shpuri direkt Matanë, në mbretërinë
e Lirisë, të Vërtetës e të Bukurisë! Nuk arriti ta shohë botën me
këmbë përjetë.
Shqipёroi: Arqile Garo
Please follow and like us: