Sopranoja e famshme nga Mitrovica, Elbenita Kajtazi kujton fëmijërinë
Elbenita Kajtazi, sopranoja e njohur shqiptare që ka kënduar në skena të teatrove të operas në shumë vende të botës, flet me shumë mallë për fëmijërinë e saj.
Sopranoja shumë e respektuar në botën e artit muzikor, ka postuar në llogarinë e saj në Facebook një fotografi nga fëmijëria e saj e hershme, ku shihet me një shishe qumështi në duar. Ajo ka treguar se fotoja është shkrepur pas luftës në Kosovë, kur ishte 9 vjeçe, kur ka shitur qumësht për të ndihmuar familjen e saj pas luftës shkatërrimtare.
Vajza nga Mitrovica tregon se atëherë ajo ishte shumë e lumtur se kishte një punë dhe mund ta ndihmonte familjen dhe kujton se kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do ta realizonte ëndrrën e saj të hershme dhe do të arrinte të këndonte në skenat e operas.
Kajtazi ka thënë se ajo nuk do të harrojë kurrë se prej nga vjen dhe ka theksuar se është krenare me të shkuarën e saj.
Elbenita Kajtazi ka treguar gjithashtu se nga sopranoja e madhe shqiptare Ermonela Jaho kishte marrë dikur një këshillë shumë të vlefshme për gjithë jetën.
Postimi i Elbenita Kajtazit:
“Kjo jam unë, me një shishe qumësht shumë të shijshëm në duar, pesë muaj pas luftës, në Mitrovicë-Kosovë, më 26.10.1999 në 08:09 të mëngjesit!
Dua t’jua tregoj të gjithëve një histori të vogël. Para luftës ne i kishim dy lopë të bukura dhe shisnim qumësht në lagje, sepse dy lopët e mia të bukura e kishin qumështin më të mirë që ekziston dhe unë isha fëmija që ua shpërndaja qumështin fqinjëve tanë.
Gjatë luftës ne ishim refugjatë në Shqipëri dhe, natyrisht, duhej të linim gjithçka që kishim pas, përfshirë edhe dy lopët e mia të bukura që aq shumë i doja! I pashë për herë të fundit kur u larguam nga shtëpia dhe mendova se nuk do t’i shihja kurrë më, por unë dhe gjyshja ime i kërkuam kur u kthyem nga Shqipëria, kur lufta kishte mbaruar. Edhe sot që e tregoj këtë histori nuk mund të besoj se i gjetëm! Unë isha fëmija më i lumtur në botë kur i gjetëm ato. Kujtoj se u hodha lart nga lumturia!
Pas luftës, iu ktheva punës sime të vjetër, vazhdova të jem vajza që shpërndante qumësht. E doja punën time!
Mbrëmë, kur një shok ma dërgoi këtë fotografi, qava shumë, u emocionova shumë dhe kujtova ditën e kohën e saktë dhe gjithçka kishte ndodhur atë ditë! Ishte një foto shumë e bukur për ta parë, për të më bërë që gjithmonë të kujtoj se nga vij dhe të jem krenare për faktin se në të kaluarën isha një vajzë me ëndrra shumë të mëdha dhe, gjithashtu, se kisha një punë – të shpërndarja qumësht dhe të fitoja para për të ndihmuar familjen time me këtë punë, si një fëmijë vetëm 9 vjeç!
Kush do të mendonte se unë mund të bëhesha këngëtare e Operas… Atëherë nuk kisha ide se çfarë ishte opera, më besoni!
Ermonela Jaho më ka thënë se “asgjë nuk është e pamundur në këtë botë, dhe ju mund të arrini çdo ëndërr që e keni”.
Unë vërtet besoj në atë që më ka thënë ajo dhe ende shpresoj të realizohen ato që ka thënë!
#vajzaekosovës me ëndrra të mëdha”, ka shkruar Elbenita Kajtazi.
https://www.facebook.com/kajtazielbenita/photos/a.640591985995353/3513684628686060/