Vera Kurti: Pa aguar mirë…
Është mëngjes
pa aguar mirë
nën driten e abazhurit
dhe heshtjen e ftohtë të natës
shkruaj për fëmijët.
Çudi,
para pak çastesh
një mjegullnajë e ftohtë
më kaloi shpirtit.
Jam mësuar me zgjime të hershme
nën melodinë e orkesterimit të këngëve të zogjeve
tash, është dimër
e zogjtë nuk di ku i zë nata
e ku i zbardh dita.
Dhe vazhdoj të shkruaj
Befas,
a thua se e pa mjegullnajën
që më kaloi shpirtit,
një cingërimë e lodhur zogu,
ia behu në kopshtin,
që sheh nga dritarja e dhomës
e fika abazhurin
që t’i shquaja trupin
shihja veç terrin e natës
përshkuar tej për tej
prej cicërimës së zogut.
Vallë,
kur rrugën e gjatë nisën,
ta kenë harruar
ta kenë lënë vetëm
të jetë i pafuqishëm për udhëtime të gjata
e tash s’di ku të shkojë
…
Ah,
natë e dimërt,
edhe mëngjesin e ke të vonë,
edhe dritën e ke të grinjtë,
edhe floket i ke te thinjte…
Dhjetor, 2017-të
Përsëriten mëngjeset