Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Mustafa V. Spahiu

 

ANAMORAVA PO TRESON

 

 

Dhe Anamorava me shtratin memec,

Himne përmallimesh i stisa pa ndalë

Finoke mes brigjesh rr’shqet me valë;

Sypërlotur e vështroj si voglaku kec…

 

Dy brigjet valëzat i rrahin hiç paprerë,

Ëndërroi fat – bebëzaprushkulluar, se

Jeta është një flamurkë e dashuruar;

O mend! Mos më shpieni n’humnerë!

 

Shoh një kurrillë larg me të vërtetë,

Flatrat hapur hapësirës ç’po shket –

Heshtjet tona çudi! s’i thërret kush!

 

Shquaj një flutur – peshqit lundrimit,

Mbi rè i them yllit të fundit të agimit;

Ditën tjetër fat-dëshirën ma rimbush!

E enjte, 3 shëndré 2020, në Dardaninë Ilire.

 

B  Ë  R  SH  E  N  I

 (Taxus baccata)

 

Bërsheni ashtit ka zjarr të padukshëm,

Specie me buzëqeshje të mesditës, që

Malit numron çdo pëllëmbë të rritës, si

Kullëndriçuese paksa gejzer i trukshëm.

 

Edhe mbi pishat lartësohet në vetmi –

Palcë rrënjësh të futur thellë në mal…

Me rreze hëna blanë rrugën s’e ndal;

As shtrëngata s’ia hudhën me stuhi.

 

Ilirët të përzgjodhën jarboll bërshen,

Yjet të rrin mbi ty qiriri në shandan.

Pellazgët të selitën rribës në Ballkan,

Shekujsh ngulitur thellë denbabaden,

 

Me kostum gri lartëson vetëdijen, sa

Kurajoz përballesh me t’thatin përherë,

Qoftë behar, ndoçkë acar t’larit ke erë;

Rrufenat dot nuk ta godasin as hijen, ca

 

Edhe mbi ahat lartësohesh filli në vetmi,

Zemra jote rrënjësh shkundullon mal…

N’gji trishtilit strofullën mirê ia ke fal, as

Tramundanat nuk përleshën me ty…

 

Moshën trungut – moshën s’e tregon,

Bjeshkëve iu merr granit dhe qëndresë

Klimat e reja të krijojnë rritë – shpresë;

Mesnatës mozaikun e kohës orienton…

 

Bërshen pikturë e ruajtur me një xhelozi,

Kërrokamë e korbit të vjen poaq lëmeri!

Jij i amshuar në bukuri dhe madhështi –

Admiron metaforë – vargjesh përjetësi…

E hënë, 30 nëntor 2020, në Dardaninë Ilire.

 

NË KËRKIM TË FJALËS

 

Majëmalesh çapitem mërli për t’zbuluar,

Zymbylin e artë t’fjalës s’matet me safirë,

Bredh e bredh pas fjalës më të dëlirë, që

Lot’i kroit ndofta ma jep sapo i bruflluar.

 

I qasem suvales rreptë q’i vërsulet gurit,

Damarët i klithin – fjala del e mahnitur…

N’gjak fshehur-prushit gjatë thekritur;

Lindur yjesh rritet me shkëndia t’unurit.

 

Vjen prej atje ku s’vijnë t’acartat erëra,

Ose nga luginash me freski kopshtie…

Bëhet fener vargjesh në rimash poezie.

 

Me vjollca e zambakësh ia beh pranvera,

Fjala del petalesh të një trëndafili, me –

Mrekullira cicërimesh nën gjuhë bilbili.

E enjte, 3 shëndré 2020, në Dardaninë Ilire.

 

NJË MIKES

 

 

Mos ëndrro mëshirim as fare respekt,

Ti e trishtuar s’pranoj falje pasandaj;

Të mirat përmbyse pa asnjë grimë faj,

Ke një parandjenjë – kërkon pretekst!

 

Mos po gjenë tek unë dashuri sadopak,

Tërmet’i tmershëm kupto e kam kaluar…

Kot, qetësinë e shpirtit jam duke kërkuar,

Ajo që ndizej në rini e mbylli një kapak!

 

U përballa me t’gjithë ato duf brengime!

Mbaje vëth në vesh – kristal do ta dish…

S’t’u ofrova n’dorë me shpatë-tehdyfish,

Pranverisht ta dhurova këtë zemër time!

 

Lutesh si për lirinë dhe të flakë harrimin,

Oh, jo!, kaluan gjurmë e vjet varg e varg,

Horizonti është zbê brigjet mbetën larg;

Lulediejtë kthyen kokat me perëndimin.

 

Mike, me shpifje finoke m’ke mashtruar!

Për lutjet e përgjërimet tani ti rri e vuaj…

Shoqes tënde pendimet n’kartë ia thuaj;

Mbase mua pa karar m’kishte nënçmuar

 

Unë s’jam keqbërës le të flet shpirti im;

U ndamë n’dy anije – ti mbete pa burrë,

Ndarjen e sime grua se kam pritur kurrë!

Qeshja e buzëve dinake janë përfytyrim.

E hënë, 30 nëntor 2020, në Dardaninë Ilire.

 

SHTËPIA IME DERI MË 1959

 

Në fshat vë flatrat-shtërg fluturoj,

Kulmit zbres n’hajatin madh’shtor

Me gëzimesh luaj nëpër oborr, në

Degësh mani si akrobat qëndroj,

 

Shtëpisë ia kërkoj pamjen e vjetër

Zë be se mes vargjesh nis bisedoj

Edhe djalëria ime linkthi që mbaroi;

Ato imazhe nuk kthehen dot tjetër!

 

Sythellë e kam ngulur vështrimin,

Për dyer e dritare-modestin dekor,

Unë q’ika prej vendit tim verilindor;

Dridhem në mes fshatit në trishtim.

 

Im at kishte të zhuritut një dëshirë,

Ta ngrihte një shtëpizë me dy kate

Dhe djersët e tija të na sillnin fate,

Një mëhallë t’thosh sa bina e mirë!

 

Për shtëpinë e moçme lot’i nxehtë,

Dikush më jep zemër qartë m’thotë:

Poet bëre jetën tënde kuptimplotë-

Kupat mbushi verë dhe zbrazi vetë!

E mërkurë, 2 dhjetor 2020, në Dardaninë Ilire.

 

SI TA MBROJ MOSHËN

 

Si hije rèsh po kaloj tokës së shenjtë?

Brumin e çelikut me gjuhë po e gatuaj…

N’vendim tim po ndihem krejt i huaj, më

Kërkon mbrojtje mosha ime e shtrenjtë!

 

Si t’i mbrojë sytë hynere kanë shikuar…

Kur s’mu ankuan as për turp t’papritur!

Ulur qepallash: “Mjaft, të mërzitur!” me

Ninëzash drejt duke pikas t’pashpjeguar.

 

Si ta mbrojë moshën duhet për t’u sqaruar,

Membranën e turpit s’duhet t’ma shpojnë!

Humbjet e mëdha bota t’m’i magnetizojnë;

Pasandaj ndjesa s’ia vlenë për ta peshuar!

 

Errësirës thërras diellin t’m’ndriçon natën,

Si ta mbrojê moshën këmish’e leckosur…

Damarësh e futi gjelbërimin e pasosur, e

Nga Perëndia me zemër e kërkoi uratën!

E martë, 01 dhjetor 2020, në Dardaninë Ilire.

 

 

 

Please follow and like us: