Albspirit

Media/News/Publishing

Statuti i kuvendit të Rubikut që përmblidhte shtetin e ri shqiptar me vilajetet e Manastirit, Kosovës, Janinës dhe Shkodrës

Dr. Vitore TUSHA

Hartuar në mesin e vitit 1912.

Në kuvendin e Rubikut u mblodhën  përfaqësues të të gjithë vilajeteve të Shqipërisë me qëllim që të përgatisnin kuvendin e Kosovës. Ndër çështjet më të rëndësishme që u diskutuan në kuvend ishin zgjedhja e delegatëve të kuvendit të Kosovës dhe hartimi i projekt-statutit të Shqipërisë.

Ndërgjegja kombëtare në këtë periudhë ishte ngritur dhe pjekur për domosdoshmërinë që paraqiste miratimi juridikisht i një drafti të shkruar që për nga përmbajtja paraqet të gjitha normat e një ligji themelor të mjaftueshëm për të rregulluar funksionimin e shtetit autonom shqiptar.

Ideja për autonomi të Shqipërisë kishte filluar që me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Madje realizimi faktik i autonomisë arriti shkallën më të lartë me riorganizimin e Lidhjes Shqiptare, duke mënjanuar përkrahësit e Portës dhe me kthimin në janar 1881, të Komitetit të Lidhjes në Qeveri të Përkohshme, e cila veproi për një kohë të shkurtër.

Por Porta e Lartë nuk e njohu autonominë faktike të shqiptarëve. Kjo bëri që përpjekjet e tyre për autonomi të vazhdonin dhe për shumë kohë. Shqiptarët ndjenin nevojën e pushtetit të organizuar prej tyre. Ndjenin nevojën e pushtetit të tyre faktik dhe juridik, brenda kuadrit të autonomisë, pasi deri në atë kohë mbizotëronte mendimi se, sidoqoftë përfshirja e Shqipërisë në Perandorinë Turke, si një formacion politik autonom, ishte një garanci për ruajtjen e tërësisë së saj teritoriale.

Kuvendi i Rubikut ishte një nga përpjekjet për krijimin e shtetit autonom shqiptar. Vendimi më i rëndësishëm i marrë në këtë kuvend është hartimi i projekt-satutit të Shqipërisë.

Projekt-statuti përmban 10 nene.

Në pjesën hyresë të tij bëhet e ditur se përmbajtja e statutit ishte rezultat i:

Vullnetit të përfaqësuesve të të gjithë Shqipërisë, (“Të nënëshkruemit shefat e fiseve”). Ishte kërkesë për shtet autonom dhe i drejtohej Sulltanit.

Në të gjitha nenet e projekt-statutit vërehet varësia që do të kishte Shqipëria nga Porta e Lartë e perandorisë osmane, varësi që është tipike për autonominë. Ajo do të vazhdonte të ishte pjesë e pandarë e perandorisë osmane, nën sundimin e Sulltanit; në të drejtën ndërkombëtare do të përfaqësohej nga Ministri i Jashtëm i perandorisë, ushtria do të komandohej nga Sulltani dhe në ushtri do të flitej gjuha turke.

Në “projekt-statut”, pasqyrohen tri elementët e shtetit si territori, popullsia dhe pushteti publik që do të veprojë në një territor dhe mbi popullsi të caktuar.

Territori dhe popullsia e Shqipërisë si dy elementë të shtetit dhe premisa  të tij, gjenden në dispozitën ku thuhet: ”Shqypnia do të përmbledh vilajetet e Manastirit, Kosovës, Janinës dhe Shkodrës, det dhe tokë me hapësinat e tyne përkatëse”.

Të bie në sy fakti se në këtë rregull janë pasur në konsideratë të gjitha dimensionet e hapësirës që përkufizojnë dhe sot teritorin e shtetit.

Pushteti publik si një element i shtetit gjen rregullim në projekt statut kur thuhet:

“Shqypnia të ketë një qeveri kushtetuese të veten dhe një kuvend kombëtar me fuqi legjislative për të gjithë Shqypninë krejtësisht të pavarur nga qeveria dhe parlamenti në Stamboll, me përjashtim të drejtave funksionale të Sulltanit…”.

Parashikimi i një qeverie kushtetuese dhe një legjislativi të Shqipërisë të pavarur nga parlamenti dhe qeveria në Stamboll, tregon se synohej të krijoheshin organet përfaqësuese dhe ekzekutive të shqiptarëve.

Gjuha është parim i rëndësishëmi i një shteti, është karakteristike dhe njëkohësisht domosdoshmëri. Kështu njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare paraqet rëndësi të veçantë.

Projekt Statuti i hartuar në Rubik është një dokument, që tregon jo vetëm për dëshirat e aspiratat e popullit shqiptar për të ndërtuar shtetin e tij, por për një njohje mjaft të mirë e të gjerë, të elementëve të shtetit dhe të organeve të tij.

Please follow and like us: