Akuzat ndaj lufëtarëve të Kosovës nga Prokurori Special, viktima gjunjëzohet para kriminelit
Eneida Jaçaj
Akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit etj, për një sërë krimesh njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë 1998-2000, të ngritura nga zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë, është një nga ngjarjet më të trishtuara që pas luftës Kosovë-Serbi. Prokurori i Specializuar i Hagës nxori një aktakuzë prej 10 pikash për të lartpërmendurit dhe për një grup më të gjerë të cilët ishin pjesë e UÇK-së gjatë luftës, për një sërë krimesh kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vrasje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe tortura etj.
Një njeri me një SNQ normale, në kuptimin parësor logjik, sigurisht që do të ishte kundër torturave çnjerëzore dhe vrasjeve, nga cilido qoftë. Por lind pyetja: a mund të barazohen krimet e UÇK-së me vrasjet makabre dhe çnjerëzore të Sllobodan Millosheviçit?!
Këto akuza të pretenduara nga Prokuroria Speciale mbi ish luftëtarët UÇK-së, a mund të justifikohen para tankeve dhe mitrolozëve të Millosheviçit, që nuk kurseu as fëmijë dhe as gra shtatzëna?! Serbët në tokë të huaj dogjën, vranë e plaçkitën çfarë gjetën para, e donin të bënin ligjin në dhe të huaj. Sa trima u vranë për liri, e sa nëna veshi me të zeza dora gjakatare e serbit, që loti ende nuk u është tharë edhe sot që Kosova ka fituar pavarësinë?! Kosova e lirë u ngrit mbi gjakun e luftëtarëve të saj, mbi luftën e lavdishme që bëri UÇK-ja me trimat e saj, por sigurisht edhe nga mbështetja e madhe që ofroi SHBA.
Mbaj mend vitet 1998-1999, kur gra, burra, fëmijë e të moshuar, të ngrënë dhe të pangrënë, me torbet në krah, lanë shtëpi e katandi, e morën rrugën duke bërë natën-ditë e ditën-natë drejt Shqipërisë e viseve të tjera, për t’i shpëtuar dorës së kriminelit famëkeq Millosheviçit. Këto akuza të Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit e të tjerëve, përdhosin luftën e Kosovës, gjunjëzojne viktimën para kriminelit! Edhe nëse janë bërë krime, kanë ardhur si pasojë e luftës për çlirimin e vendit. Sigurisht që kanë qenë momente të vështira për ushtarët e UÇK, momente tensioni, të cilët mund të jenë detyruar të kryejnë edhe krime, por janë të justifikuara dhe nuk mund të barazohen me krimet e serbëve.
Nëse këto akuza do të faktoheshin dhe Thaçi me shokë do të dënoheshin, Serbia do ta përdorte si avantazh në favorin e saj duke shtuar pretendimet për territore, dialogu Kosova- Serbi do të minohej dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, as që do të mendohej.
Duket sikur Gjykata e Specializuar e Hagës është ngritur me qëllim për të goditur shqiptarët e Kosovës. Këtë dyshim e ka ngritur edhe drejtori i Komitetit për Punë të Jashtëme, Eliot Engel, i cili tha se gjykata ka si juridiksion edhe mbi autorët serbë të krimeve, por nuk e ka ushtruar atë juridiksion përkundër faktit se krimet e shumta janë kryer nga forcat serbe. Madje, ai i ka kërkuar Drejtësisë Amerikane të hetojë punën e kësaj gjykate dhe të ndërpresë marrëshëniet nëse zbulon se po heton vetëm shqiptarët. Pra, do të ishte më e ndershme dhe e drejtë të hetoheshin së bashku; edhe shteti serb të jepte llogari për krimet makabre, vrasjet, pasi së pari ishte vetë ky shtet që pretendonte territore në një shtet tjetër, dhe krimet më të shumta janë bërë vetë nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Do të ishte e udhës që shtetet e fuqishme të ndërgjegjësonin Serbinë, për të kërkuar falje për krimet në Kosovë, dhe jo sot në mënyrë të befasishme të dilnin disa akzua ndaj luftëtarëve të Kosovës, për të përdhosur e hedhur baltë mbi luftën heroike për çlirimin e shtetit më të ri. Këto akuza jo vetëm që i shërbejnë Serbisë, por vinë edhe si një shuplakë tinëzare dhe e pabesë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nëse Thaçi dhe gjithë bashkëluftëtarët do të dënoheshin, çfarë kuptimi do të kishte më pas lufta e Kosovës, po trimat si Adem Jashari që dhanë jetën për liri?! Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme!
UÇK-ja ishte një faktor unifikues në vite krenarie dhe sakrifice, dhe kjo luftë u zhvillua kundër shtypjes së forcave të presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç. Thaçi dhe gjithë bashkëluftëratë e UÇK kanë mbështetjen e gjithë shqiptarëve. Shpresoj që SHBA-të, si një faktor kyç në pavarësinë e Kosovës, të reagojnë duke e parë sa më drejtë atë çka po ndodh në Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe t’i rikthehet edhe një herë respekti, dinjiteti UÇK-së, që në fakt gjatë këtyre muajve fatkeqësisht është përdhosur dhe nëpërkëmbur!