Sabina Darova: Vaji i ullirit
Skicë
Rastësia solli që ditën e djeshme një mik, më dërgoi një fotografi të vajit të ullirit që kishte prodhuar me ullinjtë e tij, si dhe një tjetër të më dhuronte një shishe me vaj të përpunuar në të ftohtë, të porsa sjellë nga Shqipëria.
Instinktivisht si zakonisht, hoqa tapën dhe afrova flegrat e hundës mbi buzën e shishes. Ky zakon tashmë prej 25 vjetësh që ndodhem në Itali, për të kërkuar aromën e vjetër, që fëmijëria dhe rinia e parë ruan në kutizat e kujtesës. Dhe sado cilësor që mundet të jetë vaji (hidhësia interesante në gojë si dhe djegësia pikante në grykë), po nuk pati aromën që kujtesa njeh, vlerësimi mbetet mëdyshës.
Përpara syve m’u fiksua gjatë ngjyra jeshile e thellë e vajit. Ndjeva të më lëvronte një ngrohtësi gjaku në vena, sepse ajo ngjyrë filloi të krijojë besimin e shijes dhe të asaj arome që e kaluara insiston me forcë në kujtime. Ndoshta edhe pse, kjo fotografi vinte nga Kruja, qyteti i ullinjve të lashtë.
Lëngu ngjyrë smerald, më shkundi përpara syve çarçafët e bardhë që shtroheshin poshtë pemëve, si një pëlhurë në të cilin projektohet një film i vjetër pa zë. Filluan të marrin jetë konture formash njerëzish dhe shkopinj të gjatë që godasin me forcë mbi degët e pemëve. Pema tundet nën trysninë e goditjeve dhe mbi çarçafët e bardhë, rrëzohen me rrëmbimin e breshërit pranveror kokrrat e vogla të ullinjve. Në mbledhjen e ullinjve marrin pjesë e gjithë familja. Femijët kërkojnë me sytë e shndritshëm ato të pabindurat që fshihen pas fijeve të barit.
Kujtoj duart që skuqen nga të ftohtit tek kërkojnë të ngrohtin, ndërsa fusin kokrrat në xhepat që fryhen. Më pas, tek drejtohen për t’i zbrazur me mburrje pranë grumbullit të mbledhur. Gratë ndihmohen me përparëset e punuara prej tyre në tejzgjah. Së fundi lidhja e cepave të çarçafëve si një shami dhe me përkujdesje, derdhja në thasë bezeje të trashë, të cilët ngarkohen mbi samarët e gomarëve, që drejtohen drejt shtëpive. Pér pak ditë do të qëndrojnë të strukur pranë njëri tjetrit në haur.
Dita e “ dasmës “ afron, dhe gratë kontrollojnë cilësinë e magjeve ( govatat). Shputat e këmbëve të tulta mbështeten në fillim me ndroje e dalëngadalë fitojnë ritmin e sigurinë e shtypjes së ullirit. Këta, ndjejnë gudulisjet prej ujit të ngrohtë që jua zgjeron poret. Mes ofshamash kënaqësie, brumi i njëtrajtshëm fillon të shpërbëhet në një masë të lëngshme ngjyrë smeraldi. Aroma e këtij lëngu pushton muret, hap dyert e mbyllura me lloz e rrëshqet përgjatë gurëve të kalldrëmeve shekullorë.
Buzëqeshja shndrrit në fytyrat e grave, të cilave ai vaj ju depërton në lëkurë duke ju përcjellë një nur të mistershëm, të cilat i bën akoma më të bukura.
Burrat pa e dhënë veten nga kjo pamje magjepëse, ëndërrojnë natën.
Për çdo vit ky rit, kjo traditë që mbush damixhanet e qelqta për ta ruajtur këtë mirësi natyrore në hark kohor sa më gjatë.
Mbrëmja ka rënë dhe mbi tryezë shtrohet buka e porsapjekur në furrë. Në qendër vendoset tasi plot me ullinjtë me qepën e grirë hollë. Gryka e shishes nga lart fillon të derdhë mbi ta vajin e ri.
Nuk ka të paguar ai çast, kur kafshata e bukës zgjatet mbi pjatë dhe si një sfungjer fryhet nga thithja e vajit të mrekullueshëm. Mbyll sytë, marr frymë thellë dhe vendos midis buzëve copëzën e bukës.
Yjet të vemendshme, përkulen mbi oxhakët e çative, pothuajse i prekin dhe bëhen mesazhere të qiellit për këtë çudi tokësore.
Please follow and like us: