Blerta Tafani, në një rrëfim ekskluziv për të fshehtat e saj dhe botës televizive
Intervistoi Era Cela
Është një ndër spikeret me të njohura, më të bukura, më të dashura, por dhe me të përgatiturat në ekranin shqiptar, jo vetëm për rrjedhshmërinë e të përcjellurit të lajmeve përballë kamerave, por edhe për look-un e saj tejet të kuruar. Blerta Tafani, në këtë intervistë, na rrëfen se si e mban mend fëmijërinë, adoleshencën pse jo dhe rrugëtimin e bukur e të qënurit studente.
Gjithashtu në këtë intervistë ne nuk mund ta linim dot Blertën pa i nxjerrë ndonjë sekret që ajo nuk e kishte thënë asnjëherë më parë, ajo thotë se përballja për herë të parë me Tiranën e ka bërë që të kaloj në shok; gjithashtu Blerta tregon dhe për ndodhinë e të qënurit nënë duke shtuar se është gjëja më e bukur që njeriut mund t’i ndodhi duke pohuar se e gjithë bota rrotullohet pas vajzës, Antea.
Do të duket e çuditshme, por nëse ne kishim menduar se te qënurit e bukur të ndihmon në rritjen e shkallëve të karrierës, Blerta na tregon të kundërtën, ajo thotë që jo vetem nuk e ka ndihmua, por “më besoni që më ka penguar për t’u gjitur në karrierë të qënerit e bukur”. Për Blertën gazetaria nuk është kjo që bëhet sot, sipas saj televizionet janë shumë të varfëra në ide dhe pogramacione.
Si e kujton Blerta fëmijërinë?
Blerta Tafani: Fëmijërinë e kujtoj me mall. Ndoshta me kalimin e kohës njeriu bëhet më shume nostalgjik. Të paktën mua kështu më ndodh. Në çdo detaj që mund të has rrugëve të qytetit e që më kthen pas ëe kohë, humbas. Më duket edhe shumë e afërt, edhe shumë larg. Koha ikën shumë shpejt.
Besoj nga adoleshenca ke kujtime të bukura?
Blerta Tafani: Nga adoleshenca kam kujtime si të gjithë. Të bukura për kohën kur i kam jetuar. Ka gjëra që nëse i mendoj them se i kam bërë gabim. Por si adoleshente në çdo kohë do i kisha bërë njësoj. Është e vetmja periudhë të cilën do doja ta jetoja edhe një herë. Jam njeri që i qëndroj strikte disa rregullave. E ndonjëherë ndjej dëshirën e shkujdesjes së adoleshencës.
Blerta student, si do ta përkufizonte këtë rrugtim?
Blerta Tafani: Si studente nuk e kam shijuar shumë. Pothuajse fare. Që në nisje të universitetit kam filluar punë. Ka qenë një kthesë e madhe për jetën time. Në shumë pak kohë, u largova nga qyteti, nga familja. Fillova të jetoj vetëm, fillova universitetin, pastaj në shumë pak kohë nisa punën në një televizion të madh si Televizioni ‘Arbëria’ në atë kohë. Ishte me të vërtetë një pikë e fortë kthese për mua. Por ishte aq intensive sa nuk më la kohë të mendoja, të kisha dyshime. Doja vetem të ecja përpara në rrugën që sapo kisha nisur. Shkollën fillimisht e lashë pak pas dore, sepse më rrëmbeu magjia e televizionit. Por shpejt u mësova t’i ndjek paralelisht të dyja.
Çfarë dëshiroje të bëhesh kur ishe e vogël?
Blerta Tafani: Kur isha e vogël kam dashur gjithmonë të bëhesha një spikere lajmesh. Që nga koha kur unë mbaj mend, i kam thënë vetes që një ditë unë do jem në atë tavolinë dhe do i lexoj unë ato lajme. Gjërat më kohën ndryshuan. Nuk kishte më një televizion. Filluan televizionet private. Dhe ky ishte një shans i madh për ëndërrat e mia. Isha me fat.
Na trego një sekret që Blerta nuk e ka thënë kurrë?
Blerta Tafani: Nuk e kam thënë asnjëhere se përballja ime me Tiranën ka qenë një shok. Kur gjithçka nisi të bëhej realitet, ndryshimi im i menjëhershëm më trembi. Për disa ditë me radhe doja të lija gjithçka dhe të kthehesha në qytetin tim. Nuk isha mësuar me asgjë. U ktheva madje. Edhe prindërit donin që unë të studioja për gjuhë-letërsi e të isha pranë tyre. Por shpejt i dhashë vetes edhe një mundësi. E kisha ëndërruar aq shumë veten në një studio lajmesh, sa mesa duket nuk kisha më kthim pas. Dhe jam shumë falenderuese për zgjedhjen që bëra, dhe mundësitë që mu dhanë.
Blerta në nisjen e rrugëtimit të jetës si e mban mend daljen tënde të parë në ekran si u gjende aty?
Blerta Tafani: Jam gjendur rastësisht. Sigurisht që qëllimi im ishte ai. Por nuk e kisha menduar aq shpejt. Nga një seminar në Hotel ‘Tirana’ si studente, m’u ofrua të bëja një provë në studiot e Televizionit ‘Arbëria’. Ishte dashuri me shikim të parë. Unë dhe ekrani e deshëm njera-tjetrën. Që atë ditë kam ndërruar disa logo, por nuk jam shkëputur asnjëherë.
Blerta në etapën me të rëndësishme të jetës në atë si bashkëshorte dhe si mama e një vajze?
Blerta Tafani: Të gjitha etapat që të shenjojnë në jetë janë të rëndësishme. Por ardhja e një femije është ajo që jo vetëm nuk harrohet kurrë, por të ndryshon tërësisht. Është momenti të jesh plotësisht me këmbë në tokë. Të marrësh vendime të rëndësishme, shpesh të heqësh dorë nga disa gjëra që deri atëhere nuk i kishe menduar. Ashtu bëra edhe unë. Pas nëntë vitesh punë intensive në terren e në studio, mendova që kishte ardhur momenti të bëja një zgjedhje. Zgjodha studion, e në këtë mënyrë do kisha më shumë mundësi të shijoja çdo ditë me Antean, diellin e jetës time. Nuk jam penduar për asnjë moment. Të shohësh fëmijën tek rritet, është ndjesia më e vështirë për t’u përshkruar. Po përjetoj çdo ditë nga pak edhe fëmijërinë time. Kjo është periudha më e bukur. Them çdo ditë faleminderit.
A ka qënë një ëndërr televizioni?
Blerta Tafani: Televizioni ka qenë një ëndërr që fëmijë. Dhe vazhdon të jete. Kam ende plane. Kam ende një ëndërr që dua ta realizoj. Sigurisht në kohën kur ëndërroja nuk e njihja televizionin brenda. Magjia e ekranit është shumë ndryshe nga ajo që kalon deri sa arrin aty. Tani ka shumë banalitet. Por unë vazhdoj të shpresoj që do vijë një ditë koha e vlerës dhe e të bukurës.
Gazetaria nisi si punë dhe pastaj ty kthye në pasion apo nis si pasion dhe më pas u kthye në profesion?
Blerta Tafani: Gazetaria për mua nisi si një punë e bërë me shumë pasion. Punoja shumë. Punonim shumë të gjithë në atë kohë. Bëhej gazetari e mirëfilltë. Sadisfaksioni që mernim ishte shumë i madh. Kishte impakt lajmi. Kishte të vërteta. Kishte mund.
Nga 1 te 10 çfarë do të donte të ndryshonte Blerta?
Blerta Tafani: Tani do doja të ndryshoja shumë gjëra. Gazetaria nuk mund të jetë një zgjedhje kur s’ke çfarë bën tjetër. Gazetaria nuk mund të jetë një produkt konsumi. Gazetaria nuk është ajo që bëhet sot në një pjesë të mirë të portaleve, por edhe mediave të tjera. Televizoni veçanërisht sot ka arritur një zhvillim shumë të madh teknologjik, por një mjerim në ide, programe dhe njerëz.
Blerta, ju jeni një ndër spikeret me stil, sa kujdeseni për lookun tuaj?
Blerta Tafani: Për një spiker gjëja e parë e rëndësishme është ta ketë shtruar më herët rrugën për të arritur në studion e lajmeve. Dhe e bën këtë duke punuar fort si reporter, që më pas të jesh në gjendje të prezantosh mirë punën e një redaksie të tërë, në ekran. Më pas vjen look-u. Unë kujdesem shumë. Dua të jem e kuruar, e rregullt dhe me një figurë të pastër çdo herë që prezantoj lajmet. Është respekt për veten, për ekranin dhe teleshikuesit
Për një spikere, sa i rëndësishëm është paraqitja e jashtme?
Blerta Tafani: Nuk është look-u më i rëndësishmi. Artikulimi, shqipja e pastër dhe mbi të gjitha formimi dhe informimi. Të gjitha bashkë bëjnë një spiker të mirë. Por paraqitja është e rëndësishme të jetë korrekte, e pastër, një figurë që nuk të lodh.
A ju ka ndihmuar look-u për të ngjitur shkallët e karrierës?
Blerta Tafani: Do t’ju duket çudi nëse them se më shumë më ka penguar pamja ime sesa më ka ndihmuar? E theksova disa herë që gazetaria është ëndrra ime e hershme për të cilën kam punuar fort. Nuk jam gjendur rastësisht në televizion. Dhe nuk kam dashur kurrë që pamja ime të më përcaktonte. Mundi im vlen shumë më shumë. Por shpesh gjithë kjo është barazuar me zero. Sytë mesa duket për disa individë që drejtojnë sot, kanë dominuar mendjen dhe parimet e punës. E në këtë mënyre pamja më ka penalizuar. Unë s’kam ofruar dhe s’mund të ofroj kurrë më shumë sesa punën time, për të cilën jam e bindur që e bëj shumë mirë. Jo gjithmonë ka funksionuar kështu.
Për një spikere është më i rëndësishëm të jesh e bukur apo ajo ç’ka përcilln tek publiku?
Blerta Tafani: Publiku di ta vlerësojë të bukurën. Por sot ka një armik, që janë rrjetet sociale. Në televizione tërhiqen individë që janë bërë të njohur nga instagrami, në mënyrë nga më të ndryshmet përveçse me punë jo. Unë absolutisht mendoj që ajo që i përcjell publikut është shumë e rëndësishme. Jo çdo gjë që shet sot është e bukur. Por për momentin televizioni është në këtë fazë, që vlerat janë në plan të dytë.
Ju keni shumë sharm dhe stil, kush kujdeset për look tuaj?
Blerta Tafani: Për look-un kujdesem vetë gjatë gjithë kohës. Dhe sigurisht dy miket e mia Ujavara dhe Linda. Kanë duar të arta që duhet t’i provoni
Cili do të ishtë mesazhi që do t’i përcillnit atyre që duan t’i futen fushës së gazetarisë?
Blerta Tafani: Kam një mesazh. Atë që e thashë pak më lart. Gazetaria nuk është një profesion i zakonshëm. Nuk mund ta bëjë kushdo. Atë të vërtetën. Dhe duke qenë se unë besoj se shumë shpejt do kthehet koha e të vërtetës, e punës e të bukurës dhe të thjeshtës, kam vetëm një mesazh: punoni fort dhe besoni tek puna juaj.
Blerta Tafani përtej 18 viteve karrierë në katër televizione