Albspirit

Media/News/Publishing

Ç’strategji ka zonja Manastirlliu për vaksinimin?

Eden Babani, Bruksel

Gjatë një debati të paradokohshëm në Opinion për masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me situatën e pandemisë dhe me vaksinimin e popullatës, zonja Manastirlliu dashur-padashur la të kuptohej se deri atëherë, domethënë deri në çastin që po fliste, nuk ishte bërë gjë prej gjëje nga ana e shtetit. Pyetjeve të drejtpërdrejta të moderatorit dhe të gazetarëve, iu përgjigj duke rrotulluar nëpër gojë shpesh e më shpesh fjalën “strategji”, një alibi si me u fsheh pas gishtit. “Strategjia jonë, si ministri është…”, “Qeveria ka strategji të veçantë edhe për vaksinimin…”, “Kemi në studim edhe strategji të tjera”.

Strategji e strategji, deri në bezdi. Të vinte të pështjellët ta dëgjoje. Aq sa, në një rast, moderatori ironizoi teksa i bëri një pyetje të drejtpërdrejtë dhe iu lut që të përgjigjej thjesht, pa përmendur fjalën strategji.

Nëse zonja Ministre nuk e di se historikisht fjala strategji vjen nga fusha e artit luftarak, le të mësojë ca më shumë. E re është, ka kohë të lëçitë, sepse njeriu mëson duke u plakur. Mund të pyesë edhe zotin  Kryeministër, strateg i përmasave botërore, i cili përballjen me virusin Covid-19 e ka konsideruar luftë, aq sa pranverën e shkuar nxori në rrugë autoblinda, tanke e ushtarë me kallashnikovë, gati të qëllonin me breshëri mbi armikun e padukshëm. Mund të pyesë edhe kolegun e saj, Ministrin e Brendshëm, një ish-ushtarak, i cili flaku nishanet e gjeneralit, që t’ia  hynte politikës..

Ma do mendja që, me ndihmën e tyre, do të kthjellohet sadopak se strategjia është tërësia e veprimeve të koordinuara në funksion të fitores. Së këndejmi, edhe objektivat që politika i vë  vetes për t’u përballur me Covid-19.

Mbase dy strategët e famshëm rilindës do ta sqarojnë se strategjia parakupton më së pari logjistikën, mënyrat për të kombinuar transportin, vend-vendosjen, dhe gjithçka duhet për të mbajtur trupat gjallë. Madje, pa logjistikë, strategjia s’është veç flluskë sapuni.

Në rastin konkret, logjistika për vaksinimin e popullatës do të nënkuptonte tërësinë e mjeteve dhe të mënyrave që lidhen me organizimin relativ të shërbimit shëndetësor, detyrë mbi detyrat e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë situatë të rënduar pandemie. Për rrjedhojë, edhe  sigurimin e vaksinës, transportin, ruajtjen që të mos vdesë, dhe shpërndarjen e saj, deri në çastin e injektimit në individë të veçantë.

Për sa më sipër, nga ana e shtetit është bërë fare pak, nëmos gjë prej gjëje. Madje dyshoj se strategjia e vetme e qeverisë është “imuniteti i tufës”, çka e përjashton nocionin logjistikë. Të tjerat janë llafe për të kaluar radhën.

Në fillim të këtij muaji, bash të mërkurën më 2 dhjetor, nëmos gaboj, Dr. Berisha demaskoi fshehjen e qëllimshme të rasteve të infektuara.

“Me qëndrimin antitestim për të ulur me mashtrim numrin e rasteve të infektuara në vend, epidemiologu i pagdhendur i Surrelit po aplikon de facto praktikën e dështuar dhe me pasoja tejet të rënda të imunizimit natyral me COVID-19 të shqiptarëve. Kështu, ai dje shënoi një rekord të zi botëror në luftën kundër COVID-19. Dje, në mbarë vendin, u testuan vetëm 2173 persona nga të cilët rezultuan pozitive 835 raste të reja me COVID-19… Ky raport dëshmon një qëndrim kriminal të qëllimshëm nga epidemiologu tutkun i Surrelit mbasi de facto është heqje dore nga hetimi epidemiologjik dhe zbulimi i virusit të COVID-19 dhe kalimin në praktikën e njohur botërisht si të dështuar, atë të imunizimit natyral të popullatës (tufës)”.

Sigurimi i një sasie të madhe tamponesh për testimin e Covid-19, që u shpall dje me aq bujë, i ngjan kofinit pas të vjelave. Tashmë, për mungesë të tyre, virusi po hedh vallen e trimërisë anekënd vendit.

* * *

Po sjell për lexuesin e interesuar disa nga masat që ka marrë Qeveria Federative e Belgjikës, për vaksinimin e popullatës, që, siç deklaroi zyrtarisht Kryeministri Alexandër De Croo, do të fillojë më 5 janar të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, specialistët e fushës kanë sjellë dhe po sjellin përherë e më shumë hollësi sesi do të sigurohet transporti dhe menaxhimi i vaksinave të prodhuara nga kompania Pfizer, të cilat duan ruajtur në temperaturë -70°C, çka mund të arrihet me të ashtuquajturin “akull i thatë” ose me frigoriferë specialë.

Christophe Cuigniez, Drejtor Menaxhues i Cryonomic, një kompani e specializuar për makinat e prodhimit të “akullit të thatë”, shpjegon se vaksinat e para shteti i ka kontraktuar nga Pfizer, pikërisht nga rrjeti prodhues në Purus, një qytezë në provincën e Anversës. Prej andej, do të transportohen me kamionë në aeroportin e Brukselit, në një zonë të përqendruar, administruar nga kompania Medista, e specializuar për ruajtjen dhe transportimin e prodhimeve mjekësore.

Christophe Cuigniez, ka shpjeguar gjithashtu se akulli i thatë është CO2 (oksid karboni) në formë të ngurtë. Në një kasë të izoluar, ka thënë ai, vendoset “akulli thatë” dhe vaksina. Brenda kasës, sigurohet një temperaturë prej -80°C. Në këtë mënyrë transportohen edhe vaksina të tjera specifike, gjak ose organe jetësore të njeriut.

Para tre-katër ditësh, shtypi belg shkruante se aeroporti i Brukselit vlonte nga përgatitjet për pritjen dhe transportin e kasave të para me vaksina, të cilat do të shpërndahen jo vetëm brendapërbrenda territorit belg, por në gjithë hapësirën e BE-së e më gjerë. Këto përgatitje me amplitudë ndërkombëtare, Ministri i Shëndetësisë i Belgjikës, Frank Vandenbroucke, i ka vlerësuar si mision i shekullit. Kamionët e parë me 800.000 vaksina Pfizer / BioNTech kanë mbërritur tashmë përmes tunelit të nënujshëm të kanalit të La Manche në Britaninë e Madhe, ku autoritet vendase kanë ligjësuar përdorimin e tyre.

Tjetër problem, është ruajtja e vaksinës, deri në çastet e përdorimit, për çka Vandenbroucke ka dhënë shpjegime, gjatë një konference për shtyp. Pa folur për strategji si zonja Manastirlliu, ai ka thënë se një rol tepër të rëndësishëm për këtë qëllim, luajnë spitalet.

Pas Zaventemit (aeroporti i Brukselit, EB), vaksinat do të dërgohen si jashtë vendit, ashtu edhe nëpër spitalet e Belgjikës. Për të koordinuar shpërndarjen e tyre, është ngarkuar  Agjencia Federale e Medikamenteve, sqaroi ai. 

Janë disa spitale, të cilat kanë instalime të posaçme që mundësojnë temperatura ekstreme… Në të tjera spitale Pfizer mund të instalojë hapësira që lejojnë ruajtjen e vaksinës… Në një farë mënyre, spitalet do të jenë qendra të decentralizuara” – ka siguruar Ministri opinionin publik.

Në përfundim, pyetjet e mia: A i di zonja Ministre këto e plot të tjera si këto? Nëse i di, pse s’i zbaton, nëmos të gjitha, disa syresh? Nëse s’i di, a ka vullnet të mësojë, që të mos dështojë? Apo mos vallë i falet  “imunitetit të tufës”, sikundër edhe shefi i saj, pa le të dalë ku të dalë, le të shuhen disa mijëra jetë njerëzish?

Please follow and like us: