Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Ardhja e demokracisë…

Kur komunizmi po jepte shpirt, ne u mblodhëm për ta dënuar. Vërshuam në sheshin “Demokracia”, si mijëra rrëke e përrenj në një lumë të madh e të potershëm: uturonim, brohoritnim, përshëndetnim të njohur e të panjohur, shanim me zë të lartë e shkumëzonim kundër diktaturës. Në vorbullën e atyre ditëve të turbullta, ndonëse vinim nga rrugë të ndryshme, e njihnim mirë njëri-tjetrin. Kishte diçka që nuk e thoshim e nuk na vjen mirë ta themi as sot: nuk kishim qenë ndonjëherë trima. Komunizmin nuk e kishim dashur, por as e kishim kundërshtuar. Më saktë, e kishim duruar në mënyra të ndryshme.
Do të ishte e padrejtë të mohonim atë forcë joshëse që idetë komuniste ushtronin mbi njerëzit, duke bërë për vete edhe idhtarë të bindur e militantë të frymëzuar nga qëllime fisnike, për të cilat ishin gati të sakrifikonin jetën. Të futur në vathë nga kjo retorikë e bujshme idealesh si dhe nga “aftësia për t’u dhënë strehë deleve të uritura”, as që e merrnim dot me mend se “disa nga të këqijat më të mëdha të epokës lindin nga ide dhe elementë që prej një kohe të gjatë janë ngritur lart si të mira”. Por, sikundër ka thënë dikur Thorean, “nuk ka erë më të keqe se ajo që vjen nga e mira e prishur” (R. Nisbet ‘’Në kërkim të bashkësisë’’ T. 1996 fq 253)
Për komunizmin (ose, së paku, për variantin e tij të aplikuar) nuk ishte e lehtë të krijoje një vizion real as nëpërmjet librave, as nëpër konferenca shkencore. Komunizmin duhet ta provoje mbi kurriz. Por atëherë ishte shumë vonë për të shpëtuar nga kthetrat e bishës.
Si shumë popuj të tjerë të Europës, edhe ne shqiptarët nuk e përballuam dot magjinë e “sirenave”. Hymë në komunizëm duke brohoritur, ashtu siç po brohoritnim pas 50 vjetsh për vdekjen e tij. Kishim vuajtur e ishim nënshtruar të gjithë pak a shumë njëlloj. Përveç ca idealistëve të nëpërhënur, që mbetën të tillë gjithë jetën, të tjerët, sipas hallit e rrethanave, kishin gjetur ndonjë arsye më tokësore për të rënë në paqe me vetveten, që nga më e thjeshta, “nevoja për bukën e gojës”, e deri te më e mençura “nuk i bihet murit me kokë”. Arsyetimi ishte i bazuar, mbështetur në një realitet vërtet imponues. Gjithsesi, i pamjaftueshëm për ta çuar komunitetin drejt një “shkatërrimi të tillë të indit shoqëror” (Klod Lëfor). Rezistenca ndaj antinjerëzores kishte qenë e dobët. Më tepër se hallexhinjtë për bukën e gojës, vegjetonin specie të tilla shoqërore, si: ca miopë me “syze patriotike”, ca sakatë kulturorë me “paterica politike”, ca indiferentë dremitës e ca “guximtarë” pëshpëritës të qoshkave; të gjithë kokulur ndaj variantit zyrtar të ideologjisë e të moralit, me bindjen se atdhe ishte Partia, demokraci e vërtetë – diktatura proletare, liri – disiplina e kazermës, ndërsa dinjitet – degradimi moral i njeriut. Të gjithë së bashku këndonim atëherë për “jetën e lumtur socialiste”, të cilën poetët e quanin “pranverë”… Bukur, vërtet. Një pranverë me bilbilë policësh.
Po, a ishim të lumtur!?… Nuk është aq lehtë ta hedhësh poshtë “a priori”. Lumturia është gjithnjë e kërkuar, e ëndëruar, e ndjekur këmba-këmbës, por asnjëherë e arritur në tërësinë e vet, asnjëherë e plotë, rehatuese dhe përfundimtare. Mbetet përherë një tepricë e parealizuar nevojash që të bën të vuash, një shqetësim konstant me kërkesa në rritje për kushte më të mira e kënaqësi të reja, pa përmendur këtu “luksin” e kureshtjes intelektuale (e njohur pak tek ne) dhe shpirtin kërkues drejt të panjohurave. Komunizmi kishte në dorë “çelësin e artë” edhe për zgjidhjen këtij problemi në një mënyrë fare të thjeshtë: duke reduktuar nevojat e njerëzve deri në një minimum rrëqethës. Ai provoi se, edhe kur një shoqëri nuk arrin dot të prodhojë realisht kënaqësitë e duhura, mund ta ngrerë artificialisht vlerën e jetës, duke zvogëluar sasinë e nevojave. Sipas kësaj matematike, që Steiner e shpreh në formë thyese, komunizmi ishte i aftë t’i “kënaqte” njerëzit me lugë të zbrazur, i bënte ata mjerisht të lumtur ose lumturisht të mjerë.
Komunizmi dha shpirt me një solemnitet befasues. Drama ishte zgjidhur papritur me një “deus ex machina”, ndërsa ne, protagonistë e antagonistë, të mbijetuarit e holokaustit, më kot gërvishtnim historinë e ngacmonim kujtimet për të gjetur diku gjurmë dinjiteti e heroizmi. Ç’kuptim kishte?! E njihnim të gjithë njëri-tjetrin. Kishim po aq motive të flisnim sa edhe të heshtnim, falë një pakti mirëkuptimi që mund të arrinim me të kaluarën. Por kjo nuk ishte e lehtë, veçanërisht në Shqipëri, ku askush nuk u pendua për asgjë. Gjithsesi, njerëzit u takuan ato ditë me lirinë, u zgjuan e flakëronin në ekstazë aq shumë vullnete të ndrydhura e fjalë të pathëna kurrë. Po, si do të ishte ajo!? Të gjithë prisnim. Ishin ditë të turbullta ngazëllimi, dyshimi, pasigurie dhe shprese.
Liri… Për të kishim lexuar e dëgjuar shumë, kryesisht nëpër histori të huaja. Kishim për të një ide të turbullt e të pafiksuar mirë, si për një objekt pa kordinata. Në traditën tonë nocioni “liri” nuk ka patur ndonjëherë lidhje me individin, por me ca entitete autoritare që sugjestionojnë aq shumë komunitetin, si: atdheu, kombi, fisi, partia, klasa etj. Çdo liri tjetër ka qenë për ne e karakterit retorik, fluide, e pamatshme, e nënkuptuar brenda ambalazhit “liri, pavarësi, sovranitet kombëtar”. Shqiptari nuk ka njohur liri individi as atëherë kur kombi, shteti dhe propaganda pretendonin se ishin të lirë e të pavarur. Bile, e vërteta është më e hidhur: shkalla e lirisë së individit shpesh ka qenë në përpjestim të zhdrejtë me lirinë kombëtare. Jo rrallë, liria kombëtare, në duar të tiranëve tanë, ka prodhuar robëri më të skajshme sesa perandoritë e huaja. Nuk është aspak për t’u çuditur që individi në “lirinë” shqiptare, si anëtar i kooperativës bujqësore socialiste, ishte ekuivalenti modern i bujkrobit të mesjetës së hershme paraturke.
Demokraci… Nën tribunat e vjetra, njerëzit brohoritnin të gëzuar për tribunarët e rinj. Ata vinin kryesisht nga rrethi i ngushtë i elitës komuniste, ishin miq e të afërm të “viktimës”. Por ishin me ne. Askush nuk kishte të drejtë t’i paragjykonte. Ishte aq e bukur sa edhe e papritur mënyra sesi Qyteti kish mundur të ruante qytetërimin, si kish mundur të mbante gjallë, të fshehura diku thellë, ca elemente të asaj ndjeshmërie e shpirti njerëzor që e ndante nga barbaria, ndonëse për një kohë të gjatë ishte zvarrisur, rjepur e përdhunuar nga komunizmi. Kudo zotëronte një frymë e përgjithshme tolerance, u rikthyen natyrshëm në leksikun e përditshëm fjalët e harruara për paqe, lutjet fetare për mirësi, pendesë e dashuri njerëzore. Kishte shumë shpresë e besim.
Vetëm diku, në grupe më të vogla, pëshpëritej se asgjë nuk ishte e sigurtë, se ishin përsëri ata që kishin qenë, gjithnjë ata… Nuk ishim të qetë. Na brente krimbi i dyshimit, një cimbisje e fshehtë, e papërcaktuar, bile absurde në atë atmosferë gëzimi. Kishte shumë gjëra ku dyshonim. Ndofta fjala “dyshim” nuk është gjetje e duhur leksikore për të shprehur gjuhësisht atë që provon shpirti njerëzor. Dyshimi ose mëdyshja ligjëson dualizmin, dymundësinë, ndërsa qiejt ku bredhin mendimet, janë më të hapur, tallazet e shpirtit më të gjera dhe pusi i dhimbjes më i thellë.
Ishim të lodhur, të dobët e të përthithur nga emocionet. Kishim provuar besëlidhje e pabesira, vëllazëri e vëllavrasje, një përvojë dhe kalvar i gjatë. Përse duhet të vazhdonim kështu, të ngujuar nëpër kala e tabu, duke përbuzur e përjashtuar reciprokisht njëri-tjetrin? Përse? Po vinte demokracia….
Rrugë e sheshe gumëzhinin. Nxitonin si mizat e dheut “të vegjlit” e Qytetit, ata të vegjlit e përjetshëm që gjithnjë robtohen për të nxjerrë bukën e gojës duke çapitur nëpër rrugë të ngushta, me pak ajër, pak qiell e pak dritë. Së fundi, demokracia do të ishte Qyteti i të vegjëlve, aty ku mund të merrnin frymë lirisht edhe të dobëtit e të pambrojturit. Kjo ishte një aspiratë po aq e vjetër sa edhe mashtrimi i luajtur me të. Se komunizmi e bëri të voglin më të vogël se kurrë, një qenie të panjohur, të humbur e të paemër.
Së fundi, po ndodhte e papritura e madhe: ishin dekompozuar stereotipet, ishte shembur Muri e kishin humbur kuptimin e dikurshëm simbolet. Gurët, bunkerët e kalatë përcillnin mesazhe të reja.
Koha e gjatë në Mur nuk kishte kaluar pa pasoja për gurët (gati të gjithë kishin gjymtime, pjesë të humbura e plagë), ndërsa çlirimi nga Muri, takimi sërish me tokën, qiellin dhe ajrin e lirë, shpërtheu me një ngazëllim të rrallë. Gurët e ndienin se nuk do të ishte aq e lehtë të përballonin vetminë e lirisë, se në jetën e tyre mund të shfaqeshin kërcënime të reja të panjohura, por nuk e duronin dot më robërinë e Murit, atë shtrëngim llaçi e izolim suvaje që i kyçte përjetë në varr. Ishin kthyer sërish tek emrat e përveçëm, kërkonin origjinën, historinë, prindërit.
Sheshi “Demokracia” rritej e rritej çdo ditë. Midis turmës entuziaste, të tërhiqnin vëmendjen ca njerëz të thyer në moshë, me fytyra të vrara e me sy të futur thellë në kokalla. Ishin ata më fatkeqët, njerëzit e galerave, të burgosurit, të internuarit, viktimat e genocidit klasor. Ishin ata të paktë që guxuan hapur të kundërshtojnë diktaturën e që morën prej saj plagë të pashlyeshme. Shumë prej tyre kishin humbur gjithçka: fëmijët, familjen, të afërmit. Me një modesti e sinqeritet mallëngjyes, ata përshëndetnin me dorë në drejtim të tribunave, pa pritur kurrë që t’i njihte a t’u përgjigjej dikush. Për ta ende nuk guxonte të fliste njeri. Nuk ishte koha… apo ndofta koha nuk do të vinte kurrë?
Oratorët falënderonin që nga tribuna Presidentin komunist Ramiz Alia si promotor të demokracisë. Njerëzit diçka pëshpëritnin vesh më vesh. U dëgjuan edhe ca fishkëllima që, gjithsesi, u mbytën shpejt nga buçima e altoparlantëve. Më tej, një grup të përndjekurish vazhdojnë të flasin për burgje, pushkatime, varje në litar, tortura me hekur të nxehtë dhe thyerje kockash. Numërojnë me një qetësi të çuditshme ditë hetuesie, burgu e kampi. Faqe të grisura jete, relieve të mjera plot baraka, të sëmurë, qeli e gardianë. E, nëpër to, edhe ndonjë shaka e humor. Një familjaritet i pazakontë me Vdekjen që, padashur, të ngjall frikë.
– E, o Qani! Ja, erdhi më në fund Demokracia.
– Erdhi, por vonë… shumë vonë. Nuk e arritën dot të gjithë.
– Vonë vërtet, po Zoti është me ne. Zoti nuk na harroi.
Zoti, atdheu, liria, dinjiteti… Disi të veçantë në leksik e frazeologji, ish të burgosurit ishin më konfidencialë me Demokracinë, më bindës se oratorët e më të qetë se altoparlantët. Si të njohur të vjetër, ata shkëmbenin edhe ndonjë rromuz e i hidhnin asaj ndonjë thumb, komunikonin me të më lirshëm, duke përdorur aty-këtu ca “fjalë plaka e të harruara” të brumit autokton, ndaj të cilave ajo duket se reagonte me ndrojtje, me një buzëqeshje të vonuar, disi enigmatike.
Më vonë, koha do t’i ndriçonte disa enigma. Demokracia do të vinte në provë saktësinë ose falsitetin e vet dhe shoqëria, vlerat e saj morale me qëndrimin ndaj ish të burgosurve politikë.
(Fragment nga libri im ‘’Kristale në errësirë’’)
Please follow and like us: