Nikollaq Neranxi: Metamorfoza e nje deputeti, Taulant Balla nga politikan, në agjent marketingu!
Nga Nikollaq Neranxi
Nuk arrija t’u besoja syve teksa shihja këtë video! Taulant Balla, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke i bërë marketing të pastër dhe të pacipë një kompanie private. E pashë videon deri në fund për të kuptuar arsyen e vizitës së një deputeti në këtë kompani private, por nuk gjeta asgjë. Mendova mbase dikush atje ka bërë ndonjë shpikje që do ta çojë përpara ekonominë ose ka bërë ndonjë vepër tjetër në shërbim të komunitetit, por përsëri nuk gjeta. Ishte një kompani duke bërë punën e saj të përditshme dhe Taulanti që vinte vërdallë duke bërë reklamë. Tani, une e kuptoj mirë që pushtetarët sot ndihmojnë miqte e tyre ose më keq, promovojnë bizneset e tyre, por jo kaq hapur, dreqi e mori! Ju ka plasur cipa fare!
Taulant, kam një pyetje për ty: “Mbi çfarë kriteresh u bazove kur e quajte kompaninë e mikut tënd ose tënden, “si standardin më të lartë të lëndëve të para të industrisë prodhuese ushqimore”? Kur e the këtë, a mendove se po iu bën padrejtësi kompanive të tjera që kryejnë të njëjtin aktivitet?
Natyrisht që nuk e mendove dhe as të bëhet vonë fare!
Pra ti “impresionohesh” nga një kompani që ka punësuar 50 vetë dhe nuk të bën përshtypje Kompania Neranxi, për shembull që bën një aktivitet të ngjashëm, që ka punësuar mbi 400 veta dhe iu jep bursa falas 1000 të rinjve çdo vit, që të bëhen specialistë të kulinarisë!
Apo nuk shkon aty ti, meqë pronari nuk di t’i bëjë fresk asnjë pushteti, madje ka edhe kurajo të denoncojë?!
Ky është një precedent shumë i rrezikshëm dhe për këtë arsye, jam konsultuar me avokatët e mi dhe ata bien dakord që kjo është një shkelje e rëndë ligjore (ligje që i ke miratuar vetë) si dhe cenim i konkurrencës së lirë. Kështu që në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, por edhe si sipërmarrës, ju bëj me dije se kemi vendosur të hapim një proces gjyqësor ndaj deputetit Balla dhe më pas ndaj çdokujt që e përdor mandatin për interesa personale!
Takohemi në gjyq Taulant!
Shënim: Ne nuk po e publikojmë videon që publikoi në faqen e tij në Facebook deputeti Taulant Balla, për të mos bërë reklamë të papaguar!