Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: Studentët e 8 Dhjetorit i kanë bërë Shqipërisë dhuratën më të bukur

 

Të gjithë që dimë shkrim e këndim, nga unë i pari, veç japim mend, këshilla, urdhëra, direktiva nëpër fb, TV e media të tjera se si të veprojnë të tjerët e ne vetë mjaftohemi me këto dhënie mendsh.

Praktika komuniste që, në të cilët bëmë luftën, duam pushtetin, se na takon, u përcoll në gjithë mënyrën e jetesës e sjelljes në Shqipëri e Kosovë.

Çdo akt i fortë në histori, siç ishte 8 Dhjetori i studentëve, shpesh është keqkuptuar dhe vazhdon të përcjellë konflikt. Nuk besoj se studentët hynë në grevë urie dhe bënë 8 Dhjetorin  bashkë me qytetarët e Tiranës që të merrnin pushtetin, por besoj se ata e bënë luftën e tyre për Lirinë e Demokracinë.

Ata që i shoh sot të zhgënjyer me 8 Dhjetorin, që qahen se nuk u përfillen për zyra e poste e grada, dua të besoj se kanë patur pritshmëri pushteti e jo Lirie.

Studentët e 8 Dhjetorit i kanë bërë Shqipërisë dhuratën më të bukur, vranë frikën e shqiptarëve dhe meritojnë nderim përjetë.

Ata që kanë mbetë 30 vjet në pritje të çelësave të ndonjë zyrë pushteti, le të presin se ndoshta ua lëshon ndokush në duar ndonjë tufë çelësash pushteti…

8 Dhjetor 2020.

——————————————————–

Kush është Rexhep Shahu

Rexhep Shahu është shkrimtar i njohur. Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimin në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithfarë lloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri… Ka jetuar me mineral kërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri.

Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë.

Rexhep Shahu ka botuar 10 libra : “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi, Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë, Tiranë 2011; “Apologji për Udhën e Kombit”, Tiranë 2012; “Bukën Tonë të Përditshme”, Tiranë 2014 “Qyteti i Lutjeve”, Tiranë 2014 dhe “Sytë e Lirisë” – monografi, kushtuar heroit kaçanikas Ismail Raka.

Rexhep Shahu është kryetar i Klubit të Poezisë, organizatë Kulture që synon të mbledhë bashkë gjithë poetët shqiptarë në hapësirën e tyre dhe në diasporë.

Please follow and like us: