Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Tirana dhe Prishtina zyrtare, ende pa një rezolutë për dënimin e genocidit serb në Kosovë

Çerçiz Loloçi

Tirana zyrtare ka ngritur një komision parlamentar për hetimin e raporti të ish-prokurorit zviceran Dik Martit dhe sidomos për kryeakuzën e tij se në një banesë të braktisur në një fshat të thellë të Burrelit është kryer trafik organesh. Asokohe Dik Marti deklaroi dhe e pasqyroi në një raport më 11 Qershor 2007 se shtëpia e verdhë në Burrel i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si sallë operimi për të zhvilluar kontrabandën e saj me organe njerëzish, kryesisht serbë dhe romë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i dy qeverive shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë: Ish-presidenti Topi tha se “raporti i Dik Martit është i stimuluar nga ultrancionalistët serbë», ish-kryeopozitari Rama shtoi se “jam me mendimin e Sali Berishës se Dik Marti është një sharlatan”, ndërsa ish-presidenti Hashim Thaçi pohoi se “Dik Marti duhet shpejt të sjell fakte për këto akuza, përndryshe duhet të llogaris edhe një padi penale prej meje”.

Deklarata mohuese rreth kësaj ngjarje dhe raporti në tërësi bënë edhe administratori i parë në Kosovë Bernard Kushner, përfaqësues së NATO-s e SHBA-së, si dhe zëdhënësja e EULEX-it në Prishtinë Kristina Herodes që pohoi se “pas një hulumtimi të gjatë të rastit hetuesit e EULEX-it nuk gjetën dëshmi të egzistencës së ‘shtëpisë e verdhë’, të cilat do të konfirmonin akuzat rreth kontrabandimit me organe njerëzish”.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve më 25 Janar 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (APKE), ku bën pjesë edhe Rusia e Serbia, me 169 vota pro, 8 kundër dhe 9 abstenime miratoi rezolutën për hetimin e trafikimit e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë; mes miratuesve ishte delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ilir Rusmajli, ndërsa votuan kundër Shpëtim Idrizi dhe Damian Gjiknuri.

Përpara miratimit u zhvillua një debat i gjerë. Deputeti socialist nga Franca, Zhan Klod Frekon ka thënë se ky raport duhet të merret me rezervë se duket si një përmbledhje thashethemesh. Milenko Doriq nga Kroacia, me profesion mjek, ka shprehur shetësimin se si mund të kryhej transplantimi i organeve në ato kushte dhe mjedise të vështira. Ai ka shtuar se pak klinika mjekësore në rajon mund të bëjnë transplantimin e organeve, sepse kërkohet një operacion i komplikuar, me mjekë të kualifikuar dhe kushte të duhura. Një deputet nga Monako ka konfirmuar se kërkesa për nxjerrjen e këtij raporti ishte iniciuar nga Kosaçev nga Duma e Federatës Ruse. Ndaj këtij raporti u paraqitën 21 amandamente, kryesisht nga Shqipëria, Turqia dhe Gjeorgjia, por shumica e tyre nuk u miratuan.

Kryesisht për luftë politike dhe jo vetëm ka zëra pro dhe kundër votimit të delegacionit shqiptar në APKE, nisur nga fakti se fund e krye ishte një raport i pavërtetë. Madje koha provoi se ishte i tillë, pasi disa krerë të UÇK që u thirrën si të pandehur në gjykatën ndërkombëtare të Hagës dhe morën pafajësinë, përfshi dy herë Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, nuk e patën akuzën monstruoze të trafikimit të organeve.

Si një nga autorët e librit “Holokaust, dosje pa koment për krimet e Millosheviçit”, Qershor 1999, së bashku me të ndjerin Agim Neza, kemi shkuar edhe vetë në të quajturën ndërtesë fatale, ‘Shtëpi e verdhë’, por përkundër nesh atëhere në Shqipëri dhe sidomos në veri të vendit ishin vendosur qindra gazetarë e korrespodentë perëndimorë të angjecive dhe gazetave më të famshme dhe në asnjë prej tyre nuk është raportuar diçka e tillë apo e ngjashme.

Sa më sipër duket absurd, në mos fasadë, angazhimi i parlamentarëve shqiptarë për hetimin e një akuze të kotë, ndërsa do të ishte me vlerë që dy qeveritë shqiptare, pra Tirana dhe Prishtina zyrtare, madje edhe qeveria e Shkupit për të ngritur një komision tripalësh për të hetuar krimin serb në viset shqiptare dhe për ta paditur Beogradin në gjykatën ndërkombëtare të Hagës për krime kundër njerëzimit.

Janë bërë neveritëse akuzat dhe retorika e partive shqiptare me heronj dhe tradhëtarë përkundër grumbullimit të krimit shtetëror serb dhe paditjes në një gjykatë të pranuar ndërkombëtarisht.

 

Please follow and like us: