Xhoi Jakaj: Sot është dita e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut
Si një personazh që njëherë ne jetë me erdhi në dorë të drejtoj një institucion ku privohet liria, jam marrë shumë me ligjet dhe konventën e të drejtave të njeriut, ndaj po i sjell në mënyrë të reduktuar që t’i lexoni dhe të mbroni me çdo kusht të drejtën tuaj si dhe të luftoni çdo herë për to, pa bërë asnjë kompromis.
Nëse lejon të të shkelen njëherë, do bëhet rrugë dhe do t’iu shkelen vazhdimisht.
Jam në proces prodhimi të një libri për të drejtat e grave dhe fëmijëve që janë në konflikt me ligjin ose të privuar nga liria.
Mos përtoni t’i lexoni dhe të krijoni një ide më të qartë, ndërgjegjësoni veten e të tjerët që të drejtat tuaja janë të sanksionuara me ligj,
1-Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.
2-Organet e pushtetit, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
3-Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
4-Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
5-Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore ose sociale
6-Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.
Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.
7-Jeta e personit mbrohet me ligj.
8-Liria e shprehjes është e garantuar.
9-Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.
10-E drejta e informimit është e garantuar.
11-Liria e ndërgjegjes dhe e fesë eshtë e garantuar.
12 Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
13-Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të një shërbimi që rrjedh nga një gjendje lufte, nga një gjendje e jashtëzakonshme ose nga një fatkeqësi natyrore, që kërcënon jetën ose shëndetin e njerëzve.
14-Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj.
15-Liria e personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente.
16-Personi, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi c, duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim.
17-I paraburgosuri ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit. Ai ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të procedohet i lirë përkundrejt një garancie pasurore sipas ligjit.
18-Në të gjitha rastet e tjera, personi, të cilit i hiqet liria në rrugë jashtëgjyqësore, mund t’i drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 orëve për ligjshmërinë e kësaj mase.
19-Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj, me përjashtim të veprave, të cilat në kohën e kryerjes së tyre, përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit sipas së drejtës ndërkombëtare.
20-Nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ka qenë parashikuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës penale.
21-Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese.
22-Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.
24-Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë të vihet në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që i bëhet, për të drejtat e tij, si dhe t’i krijohet mundësia për të njoftuar familjen ose të afërmit e tij si dhe të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet, të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij si dhe të komunikojë lirisht dhe privatisht më të
25-Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme.
26-Kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet, nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë vetëm personi që i fshihet drejtësisë.
27-Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë per të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
28-Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij.
29-Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij,
30-Kushdo ka të drejtë të njihet me të dhënat e mbledhura rreth tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
31-Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.
32-Paprekshmëria e banesës është e garantuar.
33-Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
34-Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.
35-Asnjë shtetas shqiptar nuk mund të dëbohet nga territori i shtetit.
Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, dhe vetëm me vendim gjyqësor.
36-E drejta e pronës private është e garantuar.Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.
37-Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.
38-Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
39-Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
40-Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë,
41-Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.
42-Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.
43-Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur, vota e tyre është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
44-Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.
45-Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj.
46-Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme.
Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.
47-Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës.
48-Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.
49-Kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri ose kur është i paaftë për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj.
50-Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.
51-Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti.
52-Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal.
53-Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti.Kushdo ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj.
54-Kushdo ka të drejtën për arsimim.
Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
55-Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë.
Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
56-Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.
57-Liria e krijimit artistik dhe e kërkimit shkencor, vënia në përdorim si dhe përfitimi prej arritjeve të tyre janë të garantuara për të gjithë.
58-E drejta e autorit mbrohet me ligj.
59-Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, ka si detyrë plotësimin e kushteve të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë si dhe plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim.
60-Shteti ka detyrë, të mbrojë çdo individ në aspektin shëndetësor, fizik e mendor, ai ka detyrë për arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave me aftësi ndryshe..
Mos harro kurrë që liria dhe e drejta është mbi gjithçka!
Please follow and like us: