Albspirit

Media/News/Publishing

KUPTIMI I XXVIII NȂNDORIT/Për djelmnin shqiptare

MUSTAFA KRUJA

Po më duhet edhe mue me shkarravitun diça për numrin e veçantë të “Shqiprís së Ré” qi do dalë ditën 28 nëntor. S’e pata kët mendim. Por “Shqipëria e ré” e di t’a fusi njerin në valle edhe kur s’e ka zanat kërcimin a s’âsht në fel me kërcye.

Pra po shkruej. Por ça me shkrue? Ju them të drejtën se m’âsht dashun t’a lodh  mjaft mênden për me gjetun nji themë qi t’i përshtatej rasës dhe kohës bashkë e qi mund të këndohej pa mërzí të madhe prej kënduesve të ksaj fletoreje.

Ah të kishem qênë dhe un poet, sa m’a kishte ânda me i a çue dikuj zêmrën peshë e ndonji pikë lot mallëngjimi ndër sy, ashtu si m’a pat bâmë mue disa vjet përpara D. Lazër Shantoja me “Kuvêndin e Deshmorvet” po në rasën e 28 Nëntorit ! Por mue kët cilsí m’a ka mohue natyra. Nuk dij me shkrue vjersha. E jam fort pak i aftë me gixilue zêmra. Më vjen mâ tepër për dore me i thirrë mêndes, gjykimit të ftohtë se sa me i nxitun kazanit të gjakut.

Prandej edhe dava me i a sjellë fjalën t’eme kryesisht djelmnís, e cila e ka gjakun në vlim të natyrshëm dhe ka nevojë mâ shumë për argumenta qi munt t’a shtien në nji kujtim të thellë mbi kuptimin e mâ së madhes ditë të historís së kombit t’onë, se sa për ligjerata qi t’a mallëngjejnë e t’i ndezin gjakun.

*****        

Plot  20 vjet para, më 28 – XI – 1912, nji kuvênd burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisín e Ismail Kemalit, i shpalli botës mbarë se Shqipnija, aty e mbrapa, do t’ishte vetëm e Shqiptarvet, se këta do t’ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj’ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gjâ të vet, se i hueji  nuk do të guxonte mâ me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve.

Hân’ e yll po perëndojshin për jetë, po zhdukeshin nga horizondi i atdheut t’onë ; ishte tue lemë dielli i lirís. Nji flamur i madh zhdridhej rreth nji shtize të gjatë në dritoren e nji shtëpije të moçme ku ishte mbledhun kuvêndi : flàmur i kuq, si gjaku i dëshmorvet të tij, me shqipen e zezë dykrenshe në mes flàmur i Skanderbegut, qi po valonte për të parën herë n’ajrin t’onë mbas katër shekujsh e gjymsë.

Atypraty nji zâ i rreptë buçitte prej qinda krahnorësh e naltohej në qiell si nji lutje e fjeshtë e e kulluet dalë prej zêmrash të lame nga çëdo mëkat : rroftë Shqipnija !” Brohorí të padame e lot mallëngjimi…

20 vjet para ! Ju djelm të rij të Shqipnis së lirë s’kishi lemë edhe ose ishi edhe të njomë. Sod, 20 vjet mbrapa, ndokush nga ju mund të pyesë mallëngjyeshëm : “ku janë ata burra qi ngritën për të parët flàmurin kombtar ?” E un ju përgjigjem : mâ mirë mos pyetni për ta. Historija, ata qi meritojnë të kujtohen, do t’u a tregojë brezave t’ardhshëm. Ka pasun ndër ta apostuj lirije a së paku asish qi e kanë pritë e deshirue këtê me gjithë zêmër. Këta kanë vdekun a rrojnë të ngîmë e të kënaqun tue pamë mundimet e sakrificat e tyne të shpërblyeme nga realizimi i idés e i deshirit qi kan ushqye. Ka pasun dhe njerz të rrëmbyem prej nji rryme të pakuptueme, si lânda qi merr me vete nji lumë për me e lânë të zhytun në ledh të ndonji bregu a me i a falun detit. E mâ në fund ka pasun edhe shpekulatorë, farizij të kohvet t’ona, të cilët ndjekin çëdo rrymë qi t’u përshtatet interesave të tyne, qi ndërrojnë lëkurë e qime simbas stinës. Në qoftë se ju do të kërkoni me njohun e nderue kênd nga deshmitarët e ditës 28 Nëntor 1932 po ju siguroj se mâ të parët qi kanë me ju dalë përpara si fatosa të pavarsis shqiptare kanë me qênë këta të fundit. E ju, para fytyravet të tyne, keni për të humbun të tânë shijen e idealit të thjeshtë që ushqeni !

Kujtoni pra e nderoni vetëm dëshmorët e paemën qi kanë bâmë veten flî për t’i a mbërrîmë asaj dite e mâ vonë për të ruejtun frytin e saj, ata qi s’u dihen a së mund t’u përmênden emnat. Mu nj’ashtu sikur nderohet sod gati në të gjithë botën kujtimi i ushtarit të panjohun ramë deshmuer n’altarin e Atdheut.

*****

“Por, do të më thoni, çfarë deshmorësh kur të gjithë e dijmë se Shqipnín s’e bânë Shqiptarët por Evropa?”

Po, kështu thonë përnjimênd ata qi s’kanë çue as nji gisht dore për Shqipnín e lirë ; jo vetëm, por as qi kanë besue kurrë në nji “mrekullí” t’atillë e ndoshta as sod s’u besojnë syvet të vet. Janë pesimistat e paqortueshëm, ata qi s’e njohin historin e kombit të vet, qi s’e kuptojnë forcën e gjakut qi u vlon ndër dej.

E ça me thânë mbandej për nji tjetër kategorí Shqiptarësh, për ata qi jo vetëm s’kanë besue se mund të bâhej e mund të qëndronte Shqipnija Shtet i lirë, por kanë luftue me të tâna armët qi kanë mundun të përdorin, prej fjalës e deri ke martina e mavzeri, për mos me lânë qi të ngrihej nji Shtet shqiptar, e mbrapa, si u ngreh, për me e shêmbun? E mbasi panë se Shqipnija u bâ, po rron dhe do të përparojë, edhe kundër vullnetit të tyne, atbotë i a nisën me bërtitun me sa u punoi zâni: “rroftë Shqipnija”, e u vunë me e shfrytue, me e kullotun.

*****

Shqipnín e bâni Evropa ashtu si bâni Jugoslavín, Çeko-Slovakín, Polonín, Rumanín e madhe e Shtetet e Baltikut, për me folë vetëm për sà i përket kontinentit t’onë. Nuk besoj të ketë ndër këto Shtete gjind qi t’u a dijnë për nderë vetëm të huejve lirín e tyne.

Shqipnín e bâni kombi shqiptar vetë. E bâni forca e ksaj race krenare e kreshnike qi qe e zonja me u bâmë ballë me shekuj, si shkâmb graniti, valve mâ të rrepta qi e rrahën pa mëshirë në të djathtë e në të mângjët, përpara e përmbrapa, në të katër anët. Qe mâ se dymijë vjet nuk qenë të zotnit me i a ndërrue karakterin e vet as Helinët e vjetër me qytetnimin e madhnueshëm të tyne, as Grekët e rij me armën e fés të përdorun pa fé shkrupulli kundër nesh, as vala slave qi mbuloi Balkanet me tërbim qyshë prej të shtatit shekull, as sundimi romak e as shpata e Osmanllijvet. Shqiptarët ndërruen fé, por jo kurrë kombsí. As fuqija magjike e besimit nuk i bâni me e mohue gjakun e me e harrue gjuhën e tyne. Aty ku s’e përpini shumica e madhe për me psue proçesin e natyrshëm t’asimilimit Shqiptari mbeti gjithmonë Shqiptar, me doket e zakonet e veta, me gjuhën e vet.

Dhe mbet Shqiptar me armë në dorë. E ruejti kombsín me forcë, tue derdhun gjak e tue u strukun, vëlla me shqipen, ndër malet e veta të papushtueshme. Mbet i egër, ndoshta, jashta qytetnimit, por mbet Shqiptar. Luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsín e tij ; luftoi për lirí.

E ça do të thonte Evropa përpara këtij fakti të gjallë e të pashlyeshëm në shekullin t’onë kur parimi i kombsis âsht imponue si bazë e politikës ndërkombtare ? Duhej të ndodheshim në nji botë të sundueme fund e majë prej Gjorgjeviqash për me pamë të mohueme kombsín shqiptare.

E si do t’a mohonte Evropa të qênët  e nji kombi i cili qytetnimit të saj e fés së krishtênë i ka dhânë nji Fatos si Skanderbegun e shumë gjak të derdhun për at qytetnim, për at fé e për lirí të vet.

*****

Evropa bâni Shqipnin ? E pse mos me thânë mâ mirë, mâ drejt se Evropa e cungulloi, e përgjysmoi Shqipnin ? Shkëputi pjesët mâ të mirat të saja e i futi ndën zgjedhë të huej, shumë mâ zí se ishin, ku po ndrydhen e shkretohen pa pikë mëshrire, jashtë çëdo ligje njerzore. Evropa po hesht para ksaj mizorije në mâ të madhen apathí. Jo, djelmnija shqiptare s’ka si u beson përrallave të Shqiptarvet pa sedër kombtar e pa besim në veten e tyne e kombin e vet. Ajo do t’i përbuzë gjithmonë ata qi mohojnë forcën e vërtytet e racës, gjakun shqiptar të derdhun për lirí ; do t’i urrejë anmiqt e djeshëm e të kurdohershëm t’idés kombtare.

*****

Dita XXVIII Nânduer âsht pa dyshim mâ e madhja ditë gzimi për kombin t’onë. Por në kët ditë gzimi të pashoqe s’âsht e mundun për né mos me e çue mênden edhe ke vllaznit t’anë qi vuejnë në nji robní politike ndër mâ të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet. Ata e dinë se Shteti shqiptar âsht tepër i vogël për me i shpëtue sod nga zgjedha. Me gjithë këtê kanë plot të drejtë me pritun prej nesh qi në mos tjetër të marrim pjesë me zêmër në zín e gjâmën e tyne, ashtu sikur çëdo gzim i ynë gzon e mbush me shpresë edhe zêmrat e atyne fatzezve. Shpresa e tyne e dashunija e jonë për ta janë nji peng sigurimi për kohën e ardhshme, mbasi botën  e ka bâmë natyra rrumbullake e mbas natës s’errët do të lejë pa tjetër drita e diellit. Në qoftë se jemi të dobët materjalisht le të jemi të fortë moralisht, tue njohun e çëmue të drejtat t’ona e tue shpresue gjithmonë. Kjo shpresë duhet të mbushë e të nxejë sidomos zêmrat e djelmnis s’onë qi do të përgatisë e të trashigojë kohën e ardhshme.

*****

Lirija e nji kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjâje e gjaku, me vetmohimin e secilit qytetas qi e gzon e e trashigon. Nuk âsht burim pasunimi të veçantë, a mâ mirë me thânë burim po, por jo mjet, siç e quejnë shpekulatorët pa shkrupull e pa ndërgjegje qi s’e kanë lodhun kurrë mênden për atdhe veçse për t’a shfrytue. Ajo âsht nji ideal qi ushqen shpirtin e atyne qi e kanë dhe siguron lumnín e kolektivitetit, të mbarën e të mirën e popullit. Të popullit qi e fiton dhe e ruen me gjakun e tij.

Lirija i gjân nji bime delikate qi lyp mâ të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë mâ të mira e mâ të plota. Toka e ksaj bime âsht edukata shoqnore e patrijotike e popullit. “Shqipnija u bâ, tash duhet të bâjmë Shqiptarët” po thomi edhe na tue marrë hua nji frazë të formulueme për nji tjetër komb mâ se nji gjymsë shekulli përpara.

Kjo âsht barra mâ e rândë e mâ e shênjtë qi i bie djelmnis shqiptare, ajo qi do të sigurojë t’ardhmen e Shtetit t’onë e bashkimin e të tânë kombit ndën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra, djelmní !

“Shqipëria e Ré”  Kostancë (Rumani) 1932.

Please follow and like us: