Albspirit

Media/News/Publishing

Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO. Pse largimi i saj nga BE dhe potencialisht nga Aleanca do të ishte një humbje strategjike për SHBA

Janusz Bugajski

 

 

Tensionet midis Turqisë dhe aleatëve të saj në NATO po intensifikohen. Disa zyrtarë madje po spekulojnë se vendi duhet të përjashtohet ose pezullohet nga NATO. Lëvizjet drastike të kësaj natyre nuk janë të prirura të kenë sukses por largimi, që përshkallëzohet, i Turqisë nga SHBA dhe BE është vetëshkatërrues për Perëndimin dhe ndihmon kundërshtarët kryesorë të NATO-s.

Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo sulmoi qeverinë turke gjatë një takimi virtual (zhvilluar) së fundmi mes ministrave të jashtëm të NATO-s. Ai akuzoi Ankaranë për rritje të  tensioneve me aleatët në Mesdhe dhe për afrimin e saj me Moskën, përmes blerjes së sistemit të mbrojtjes kundër-raketë S-400 të prodhuar nga Rusia. Blerja nga Ankaraja e sistemit S-400 gjithashtu është dënuar nga Kongresi Amerikan, pasi kjo mund të vërë në rrezik sekretet teknike të avionëve luftarakë amerikanë të fshehtë F-35.

Uashingtoni duket i gatshëm t’i vendosë ndëshkime Ankarasë. Ligji për Kundërvënie ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve parashikon sanksione ndaj çdo vendi që angazhohet në një “transaksion të rëndësishëm” për asetet e mbrojtjes me Rusinë, Iranin apo Korenë e Veriut. Përveç kësaj, SHBA ka ndaluar dërgimin e planifikuar të 100 avionëve luftarakë amerikanë F-35 në Turqi.

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu është përgjigjur duke akuzuar Pompeo se mban anën e Greqisë në mosmarrëveshjen me Turqinë dhe se ka refuzuar t’i shesë Ankarasë armët anti-raketë Patriot, të prodhuara në SHBA. Ai gjithashtu e sulmoi Uashingtonin (duke thënë) se ka mbështetur forcat kurde në Siri, të cilat kërkojnë të copëtojnë Turqinë, edhe pse Turqia e ndihmoi SHBA në luftën kundër ISIS.

Krerët e BE, gjithashtu, po kërcënojnë me sanksione Ankaranë, për mosmarrëveshjen e saj me Greqinë dhe Qipron për shpimet për gaz (natyror). Zbulimi i burimeve të energjisë në det të hapur në Mesdheun Lindor i ka përkeqësuar mosmarrëveshjet e vjetra mbi ndarjen e Qipros, sovranitetin kombëtar në Detin Egje dhe pretendimet për raftet kontinentale.

Tensionet u rritën pasi Turqia dërgoi një anije studimi për të nxjerrë hartën e perspektivave të shpimit për energji në ujëra gjithashtu të pretenduara nga Greqia. Gjermania, mbajtësi aktual i presidencës së BE, dështoi të ndërmjetësojë (një marrëveshje) mes Athinës dhe Ankarasë dhe u indinjua kur Turqia rifilloi kërkimet e saj për gaz pranë Qipros.

BE ka mbështetur Greqinë në këtë mosmarrëveshje dhe i ka vënë sanksione Turqisë për kryerjen e kërkimeve sizmike në brigjet veriore të Qipros. Turqia dhe Greqia tashmë i kanë shtuar pretendimet e tyre territoriale duke hartuar zona ekonomike detare ekskluzive dhe konfliktuale. Mosmarrëveshja gjithashtu ka përshkallëzuar mosmarrëveshjet e tjera me BE-në mbi politikat e Ankarasë në Libi dhe Siri.

Largimi i Turqisë nga BE dhe potencialisht nga NATO do të ishte një humbje strategjike për SHBA, pasi vendi është me rëndësi të madhe për sigurinë e Aleatëve. Pas SHBA, Turqia është vendi me ushtrinë më të madhe në NATO; ka më shumë trupa, tanke, artileri dhe aeroplanë luftarakë sesa Franca apo Britania e Madhe, si dhe një flotë të konsiderueshme. Turqia është midis nëntë shteteve ushtarakisht më të fuqishme në botë, me gati njëqind aeroporte që munden të mbështesin operacionet ajrore të NATO-s në rajonet e afërta.

Dhe, në Bazën e Forcave Ajrore Incirlik nën kontrollin e personelit amerikan, mban në ruajtje rreth pesëdhjetë armë bërthamore amerikane B-61.

Turqia përfshihet në pesë rajone të paqëndrueshme – në Ballkan, në Detin e Zi, Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme dhe Kaukazin – ku interesat perëndimore sfidohen nga Rusia dhe Irani. Në veçanti, vendndodhja gjeografike dhe ushtria e fuqishme e Turqisë e bën atë spirancën e kahut jugor të NATO-s kundër revizionizmit rus.

Në Ballkan, edhe pse “neo-otomanizmi” nuk ka të ardhme dhe Turqia nuk është një model politik për asnjë shtet që aspiron anëtarësimin në BE, Ankaraja është një kundërvepruese e rëndësishme e bashkëmatshme me Rusinë, e cila manipulon pan-sllavizmin dhe pan-ortodoksinë për të zgjeruar ndikimin e saj. Forcat turke kanë marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse të NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, kompanitë turke kanë investuar në rajon dhe lidhjet kulturo-fetare mbeten të forta, sidomos me popullsinë boshnjake që e shikon Ankaranë si një aleat të vyer kundër presionit serb.

Ideja e një aleance turko-ruse për shkak të blerjes së raketave S-400 është hapatazi e ekzagjeruar. Të dy fuqitë kanë bërë luftëra të panumërta në të kaluarën, pavarësisht transaksioneve ushtarake, energjetike ose ekonomike në periudha të caktuara dhe do të vazhdojnë të garojnë për ndikim politik në të gjitha rajonet e afërta, siç është e dukshme gjatë luftës së fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ,në Kaukazin e Jugut.

Rindërtimi i marrëdhënieve me Turqinë duhet të jetë një prej përparësive të SHBA sepse përshkallëzimi i konflikteve thjesht do të dëmtojë fuqitë Aleate dhe do t’i japë zemër kundërshtarëve të Amerikës. Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka dhënë sinjale se ai dëshiron të zgjidhë mosmarrëveshjet me Presidentin e ardhshëm të SHBA i cili gjithashtu mund të luajë një rol ndërmjetësues brenda NATO-s.

Në vend që të diskutojë pronësinë e energjisë në det të hapur, Uashingtonit i duhet të gjejë një mënyrë që të gjitha vendet e rajonit të përfitojnë nga zbulimi i gazit, çfarë mund të ulë varësinë nga gazi rus dhe të zvogëlojë rolin e Moskës në mbarë Europën Juglindore./gazeta dita

Please follow and like us: