Këshilltar i Bashës për vrasjen e Klodian Rashës: Drejtësi për paqen e të vrarit nga armët shtetit…
*Këshilltar i BASHES për vrasjen e Klodian Rashës:
Drejtësi për paqen e të vrarit nga armët shtetit,
fryma dhe kamikzët e të gjithëpushtetshmit-Rama!
Në pamundësi për t’ju gjendur pranë, së bashku me bashkëshorten, ju shprehim ngushëllimet më të ndjera nënës, babait, motrës, vëllezërve dhe familjarëve të të ndjerit Klodian Rasha, por edhe i bashkohemi familjarisht revoltës mbarëqytetare për vrasjen e një të riu me armën e shtetit.
Përfshi dhe përtej kësaj ngjarje tragjike, po paraqes oponencë strategjike mbi adresimin e frikshëm shtetëror ndaj vrasjeve të qytetarëve, të vrarë jo vetëm me armën, por edhe nga fryma e dhunës, si dhe shtetarët kamikaz të pushteteve.
Përgjegjësitë penale dhe ligjore
E drejta e jetës është e Zotit dhe e drejtë universale. Në Kushtetutë, ligje dhe konventa ndërkombëtare, mbrojtja e “jetës” është e cimentuar, si përgjegjësi thelbësore e vetë shtetit, si dhe detyrë parësore e mekanizmave shtetërore ndaj qytetarëve.
Edhe RSH ka (në letër) një kuadër ligjor modern me detyra dhe përgjegjësi të detajuara të angazhimit të policisë dhe Gardës së Republikës etj., përfshi mbi përdorimin (propocional dhe të përshkallëzuar) të armëve të zjarrit, të detajuara në një spektër të gjërë rastesh, ngarjesh apo skenaresh, ku posacërisht është e mirëpërcaktuar se: “përvecse në kufirin e vetëmbrojtjes së jetës të punonjësve të policisë, asnjë legjitimitet nuk ka për vrasjen e qytetarit”.
E thënë edhe më thjeshtë, policia si instrument thelbësor i shtetit, ngrihet, pajiset, vishet me uniformë, trajnohet, paguhet etj., nga taksat e qytetarëve si dhe ka përgjegjësi parësore të sigurojë jetën, pronën, të drejtat themelore të qytetarëve, stabilitetin dhe rendin publik.
Në rastin konkret, i ndjeri (u prehtë ne paqe) Klodian Rasha, nuk posedonte armë (hurmat s’janë bomba vrasëse), as dalja në rrugë jashtë orarit apo mosbindja, fyerja, ndaj Policisë nuk mund të përbëjnë kurrësesi arsye legjitime (morale jo e jo) për t’i marrë jetën qytetarëve.
Për ta ndricuar më tej këtë arsyetim, besoj të gjithë kuptojmë se po të ndodhte që policia të vriste cdo qytetar të revoltuar, që me/pa të drejtë, proteston, përleshet “edhe me dhëmbë” me policinë në Londër, Athinë, Ëashington, Romë, Berlin dhe cdo vend tjetër në botë, atëherë do të ishte vrarë gjysma e popullsisë së globit. Ky standard zbatohet edhe nga ushtarët paqeruajtës në Kandahar, por nuk u respektua në kryeqytetin e një vendi të NATO-s, që aspiron BE.
Përgjegjësive penale (teknike), përtej çdo revolte të drejtë, besoj se rasti në mos herët a vone, do hetohet nga prokuroria, gjykata do t’i japë dënimin dhe polici do vuajë dënimin e merituar.
Ndërsa nëse/ ka patur (!!) përpjekje të policisë për të manipuluar rrethanat e vrasjes, nga Dretori i Policisë së Shtetit dhe i gjithë zinxhiri zbatues/ekzekutues), herët ose vonë do mbajnë përgjegjesitë e një krimi shtetëror më të rëndë se vrasja nga armët, por edhe të një krimi nga strukturat shtetërore.
Përgjegjësitë shtetërore dhe publike
Ndërsa institucionet shtetërore nuk janë ndërmarrje private, përgjegjësitë zyrtare, përfshi edhe dorëheqjen (pavarësisht se perceptohet si vullnet i brendshëm i individit), është standard perëndimor i përgjegjshmërisë zyrtare, ku shtetarët e dëgjojnë dhimbjen, sensivitetin, revoltën e bashkëqytetarëve, dhe kështu dorëheqja (si akt i menjëhershëm) shërben jo vetëm si mezazh shtetëror për të ngushëlluar familjarët dhe qetesuar të revoltuarit, por edhe për t’i hapur rrugën një hetimi të drejtë dhe të thelluar të ngjarjeve me pasoja tragjike, shkaktuar nga armët e shtetit.
Kështu, në rastin konkret, jargavitjen e përfaqësuesit (përgjegjësit nr. 1) më të lartë të shtetit (ish-Ministrit të Brendshëm), për të devijuar nga përgjegjësitë shtetërore te “ilaci i të vërtetës teknike”, pra te detajet, gjendja shpirtërore, shëndeti mendor, agresiviteti, “kush e shtyu i pari, polici të ndjerin (viktima) apo punonjësit e policisë (vrasësi), si dhe “përdorimi dhimbjes”, nuk kanë asnjë lidhje me paqen e Klodianit, dhimbjen e familjes, revoltën e drejtë të shoqërisë, por me platformën politike të dhunës policore dhe qasjen kamikaze të pushtetarëve ndaj karrikes/Pushtetit!
Pastaj, tragjiko-komedia mediatike e “dy të sëmurve nga deliret e të gjithëditurit dhe gjithëpushtetshëm”, deri për t’ja veshur marrëzinë, prelatit Patër Anton Harapi; përralla për tu “parë sy me sy”, lëvdatat e pështirosura reciproke, për të kenaqur epshet e arrogancës bollshevike dhe besnikërisë kamikaziane të vartësit ndaj Udhëheqësit të Madhërishëm, meritojnë të arkivohen në memorien e Turpit të Turpit të Turpit (3-T) të historisë (jo të ndritur) 108 vjecare të ndërtimit të shtetit shqiptar dhe të papërgjegjshmërisë shtetërore në marrëdhënie me qytetarin.
Në fakt, në inventarin e përgjegjshmërisë shtetërore të ish-MB, fatkeqësisht për vendin, e kundërta është e vërteta e hidhur dhe e frikshme në sensin e standardit të Kryeministrit-RAMA në përzgjedhjen e drejtuesve të lartë shtetërorë. Kjo pasi ish-MB, deri në korrik 2013, jo vetëm nuk e kane “thirrur kurrë, kërkush dhe në asnjë rrethanë”, por për çdo funksion dhe gradë ushtarake më lartë (deri gjeneral) e ka “rrëmbyer” pa ligj, pa merita, pa integritet (përfshi takime private me atashete e vendeve jo miqësore me interesat kombëtare &NATO-n), duke vetëdiskretituar si një “radikal” i harmonisë fetare në RSH dhe në FA. Me fjale të tjera, vetëm me zvarritje dhe përlotime drejt gardhit të gardës së sekserëve të të pushtetshmëve, për t’u përbetuar “besnikëri kamikaze”, para suprem-udhëheqësit të rradhës.
Ndërsa pas korrik 2013, në funksionin shtetëror të këshilltarit për sigurinë kombëtare të PM, “Ylli pa grada i Rilindjes”, do të duhet të qartësojë publikisht rolin dhe këshillat e tij shtetërore, mbi: “paketën ligjore ose për “grushtin modern të shtetit”, që e bënte Kryeministër edhe si Komandant, edhe si Komisar, dhe pse u fsheh si struci kur gjykata kushtetuese e rrëzoi (?!); për “avionët-mushkonja”; dhe kur radarët e bregdetit fikeshin me urdhrin e bandave të drogës, per dhunën talibane të Policisë kundër qytetarëve, artistëve, gazetarëve në mbrojtje të pronave private, vlerave kombëtare (teatrit), për cinizmin e skajshëm, ndaj institucionit të Presidentit (Komandantit/Eprorit Superior në termat e Kushtetutës), në lidhje me tubimin e 2 Marsit 2020, u shpreh me cinizëm “çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik”.
Në shtesë, si vetëm një ndër kolegët nuk mund të hesht ndaj një përpjekje tinzare për të denigruar reputacionin shembullor të komunitetit të ushtarakëve në ushtrimin e detyrës.
Dhe përtej revoltës, lutem memorien fisnike të bashkëkombasve, si dhe garantoj kolegët, se as ky Shtetar-kamikaz pas Pushtetit të radhës, as ndonjë tjetër, i paditur deri për meshire dhe i korruptuar deri në mëkat, apo edhe qofshin disa 10-ra të ngjashëm si kjo sekt-Shtetarësh, nuk do të munden kurrë të përdhosin përkushtimin, sakrificat sublime, përulësinë fisnike, patriotizmin dhe kontributet e disa 10-ra mijërave ushtrarakëve në mbrojtjen e jetës/pronës së qytetarëve, interesave mbarëkombëtare, si dhe prestigjit të flamurit në NATO dhe botë.
*Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD
Ish-Këshilltar i Presidentit të Republikës,
Zëvëndës SHSHPFA dhe Përfaqësues i RSH në NATO.
Shënim: Më duhet ta qartësoj fortë se emrat e nënkuptuar në këtë opinion, nuk kanë asnjë lloj lidhje me dimensionin personal, por vetëm me oponencën zyrtare ndaj Kryeministrit dhe ish-MB në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore.