Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Duraku: Kontributi i Tucoviqit në denoncimin e masakrave serbe në Shqipëri

Në 106-vjetorin e përjetimit të golgotës, që synoi të zhbinte popullsinë shqiptare të Veriut nga faqja e dheut, krahas nderimit për qindra e mijëra të humburit tanë: gra, burra, pleq e plaka, fëmijë, foshnje në barkun e nënës, që u vunë nën zjarrin e ferrit të ushtrisë serbe, na duhet të nderojmë të gjithë ata gazetarë, politikanë e humanistë, që edhe pse u ndodhën në anën tjetër të barrikadës dhe i përkasin kombit serb, gjetën kurajon të ngrenë zërin për të dënuar veprimet e qeverisë së tyre. Nuk ishte aspak një veprim i lehtë për ta. Ata rrezikuan të damkosen si tradhtarë, të ndëshkohen dhe ta paguajnë edhe me jetë përkrahjen për shqiptarët.
Masakrat serbe ndodhën në fund të vitit 1913 para se të largoheshin trupat e pushtimit nga Tropoja, Hasi, Luma e Dibra, të detyruara nga fuqitë evropiane për të respektuar kufijtë e përcaktuar të Shqipërisë.
Në librin e tij rreth këtyre masakrave, për njohjen e dhe demaskimin e tyre, studjuesi kuksian Shefqet Hoxha ka përfshirë edhe kontributin e Leon Trockit, politikan i njohur rus, një nga korifejtë e revolucionit të Tetorit, që, pas triumfit të tij dhe fill pas vdekjes së Leninit u përndoq haptas nga Stalini, u detyrua të largohej nga Rusia, por nuk i shpëtoi hakmarrjes staliniane, që i mori jetën duke e ndjekur deri në Meksikë. Ndërsa Kosta Novakoviq, një nga politikanët socialdemokratë serbë, rrugës për të dalë në Adriatik ishte në Lumë me trupën pushtuese serbe në nëntor të vitit 1912, përjetoi humbjen dhe shpartallimin e njësisë së tij dhe rikthimin pas dy javësh qëndrimi në Prizren. Ai pa me sytë e tij hakmarrjen e trupave të ushtrisë gjatë rikthimit dhe u neverit nga veprimet e pabesa të eprorëve të tij serbë.
Natyrisht në radhët e socialdemokratëve serbë mund të përmenden edhe të tjerë, por më i shquari ndër ta mbetet Dimitrije Tucoviq, për të cilin, ndonëse me vonesë duam ta shprehim gjithë mirënjohjen tonë të mundshme. Tucoviq, (1881-1914) humanisti serb që kundërshtoi mizoritë ndaj popullit shqiptar, jetoi në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX që ishin të mbushur me gjakderdhje e luftra. Ai ishte themelues i Partisë Socialdemokrate Serbe dhe botues i gazetave “Radniçke Novine” dhe “Borba”. Gjithë jetën e tij ai ia kushtoi drejtimit të lëvizjes socialiste në Mbretërinë e Serbisë, luftës për mbrojtjen e të drejtave universale njerëzore, barazisë gjinore, të drejtave sociale dhe lirive civile. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, Tucoviq u mobilizua në ushtrinë serbe dhe mori pjesë në fushatat e kësaj ushtrie në Shqipëri, ku përmes publikimeve dënoi masakrat që u bënë ndaj popullsisë së pambrojtur. Ai vdiq në nëntor të vitit 1914, gjatë betejës së Kolubarës (Serbia jugore) në Luftën e Parë Botërore kur ishte oficer në divizionin e Moravës, që luftontë kundër trupave austrohungareze.
Qarqet militariste në Beograd, veçanërisht pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sidomos me fillimin e shekullit XX, nga viti në vit shumfishuan buxhetin për ushtrinë, rritën numrin e forcave ushtarake, blenë armatime të shumta dhe modernizuan gjithë paisjet luftarake. Kjo përgatitje e ethshme për luftë u shoqërua me shtimin e veprimtarive agjenturore në viset shqiptare, duke rekrutuar agjentë dhe duke mbledhur informata në lidhje me terrenin, potencialin ekonomik, shpirtëror si dhe me dëshirat dhe vullnetin e popullit shqipatar. Në këtë kohë trualli i Shqipërisë që vuante ende zgjedhën osmane, u mbush nga gjithfarë “studiuesish”, siç thotë dhe Tucoviqi, “çdo kallogjer, çdo propagandist i paguar, çdo turist dhe aventurier” e quante veten “kompetent për të informuar opinionin evropian rreth Shqipërisë” (fq 360, v.II). Klima e pushtimit dhe mizorive u parapërgatit nga një shtyp gjakatar, në kolonat e të cilit midis shumë të tjerëve Stojan Protiqi, Ballkanikusi dhe dr. Vlladan Gjorgjeviqi, që siç thotë Tucoviq, “botuan shkrimet e veta kanibale kundër popullit shqiptar” duke arritur deri atje sa shqiptarët t’i quajnë si njerëz me bisht.
Vepra kryesore e Tucoviqit “SERBIA E SHQIPËRIA, një kontribut për kritikën e politikës pushtuese të borgjezisë serbe”, si libër më vete u botua së pari në Beograd në vitin 1914 dhe u ribotua pas vdekjes së tij midis dy luftrave botërore dhe menjëhere pas luftës, madje edhe në gjuhën shqipe në Prishtinë në vitin 1948, me parathënien e disidentit malazez Millovan Gjillas dhe më vonë, po në Prishtinë në vitet 1968, 1974 me parathënien e Ali Hadrit dhe si vepër e plotë në vitin 1981, kur disa kopje të kësaj vepre depërtuan deri në Tiranë, jo vetëm në Biblotekën Kombëtare, por edhe në disa institucione studimore e redaksi botimesh.
Në parathënien e shkurtër të botimit të parë Tucoviqi e fillon kështu librin e tij:
“Politika e qeverisë sonë ndaj Shqipërisë mori fund me disfatën që na kushtoi viktima të shumta. Viktima edhe më të mëdha na pre¬sin në të ardhmen. Me politikën pushtuese të qeverisë serbe kundër popullit shqiptar u krijuan në kufijtë perëndimorë të Serbisë relacione të atilla, sa që në të ardhmen e afërme është e vështirë të priten paqja dhe gjendja e rregullt.”
Problematikat shqiptare në analizat e tij u dukën më herët në vitet 1909-1912, kur bëhen të dukshme kryengritjet shqiptare dhe përpjekjet e xhonturqve për shtypjen e tyre. Në gazetën socialdemokrate Radniçke Novine të Beogradit, ai botoi pesë shkrime: “Therjet nëpër Turqi”( 3 nëntor 1909), Çështja shqiptare, (25 prill 1910) “ Nga vendi i trekëmbshave”(16 korrik 1910) “Kriza në Turqi” (23 korrik 1912 dhe fjalimin mbi “Ngjarjet në Ballkan dhe demokracia sociale”( 26 gusht 1912)
Kontributet e Tucoviqit në përkrahje të shqiptarëve si shkrime mund të klasifikohen si refleksione dhe vlerësime që nisen nga një traditë e shkruar, shpeshherë e mbushur me shtrembërim skandaloze, teprime, monstruozitete të propogandës politike dhe të pseudoshkencës të vënë në shërbim të krimit ndaj një populli me synim shfarosjen e tij. “Krimet e Luftës Ballkanike, thekson ai, nuk janë vepër e individëve dhe e disponimit individual, por një sistem që e kanë krijuar dhe e kanë zbatuar ushtria dhe qeveria. Epiqendra e tërë çështjes është në një plan kriminal, të cilin ushtria e qeveria e kanë llogaritur si nevojë të ardhmërisë…, të bindur se po bëjnë një vepër nacionale, sepse, duke e hequr nga toka, e heqin qafet armikun, i cili në të ardhmen mund të jetë i pakëndshëm.
Natyrisht, refleksione të tilla rreth traditës më të hershme nuk mund tu shpëtonin pasaktësive, që vinin si njohuri të ngulitura dhe dije të pakritikueshme në atë kohë. Tucoviqi nuk ka mundur të shmangë qëndrimet e shtrembëra në raport me autoktoninë, virtytet dhe veset e shqiptarve, të cilat edhe shkenca e cilësuar serioze serbe i kishte të evidentuara dhe të nxira me një zell vrastar. Sidoqoftë në analizën aktuale të fakteve, veçanërisht në ato që pa vetë gjatë qëndrimit të shkurtër në kohë lufte në Shqipëri, (nga Kumanova, Elbasani deri në Prespë) Tucoviqi është përherë i saktë, vëzhgues i hollë, dashamirës dhe përkrahës i aspiratës kombëtare, politike dhe kulturore të shqiptarëve.
Letrat Shqiptare që shërbyen edhe si lëndë për librin e tij “Shqipëria dhe Serbia” janë të mbushura me mbresa njerëzore dhe konkluzione të drejta. Shënimin e tij “Nga një garnizon i kufirit” e fillon kështu:
“Gjakova është qytet thjesht shqiptar. …Edhe rrethina e Gjakovës është jo vetëm kryesisht, por krejtë¬sisht shqiptare. Në të vërtetë në tërë këtë anë Serbia gjeti në vend të serbëve, monumentet mesjetare serbe. Shkaku themelor i të gjitha vështirësive prej të cilave vuajmë sot dhe prej të cilave do të vuajmë shumë në të ardhmen, qëndron në faktin se kemi hyrë në tokë të huaj. (Korsivi është i origjinalit).
Pena e tij flakëron teksa denoncon krimet: “U mbush viti prej se fiset e pikëlluara shqip-tare e bartin kryqin e vet në Golgotë… Ky është viti i shfarosjes sistematike të popullsisë shqiptare në të gjitha viset që i ka pu¬shtuar ushtria serbe, sepse ndryshe i luten zotit, flasin në gjuhë tjetër, mbajnë emër tjetër dhe që në vatrën e vet shekullore i kanë pritur naivisht katër ekspedita të egra. …Në javët e para të luftës ne nuk kishim natë, sepse lëviznim, fushonim dhe luftonim në dritën e fshatrave shqiptare që digjeshin.”
Dhe më poshtë: “Mbi popullsinë shqiptare të Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit fluturonte fantazma e vdekjes natën e ditën. Kush shpëtonte i gjallë, nuk ishte i sigurt se do të gëdhihej. Sepse pikërisht natën, i mblidhnin prej shtretërve dhe hapsaneve e i dërgonin në poligone të ekzekutimit . Edhe hijenat do t’i mbytnin në mënyrë më njerëzore!”
Stili i tij është i gjallë, dinamik dhe emocional. Kundërshtimi i Tucoviqit vjen përmes një revolte në ngritje, që synonte të gjente mendjen dhe zemrën e lexuesit.
Është e rëndësishme të vemë re se Tucoviqi në veprën e tij e përmend Malësinë e Gjakovës, Prizrenin, Lumën etj. në një sërë shkrimesh duke filluar, që nga rezistenca antiosmane kundër Xhavit Pashës dhe Turgut Pashës, 1909-1910. “ Nëpër Lumë zjarri i topave po djeg dhe po rrënon fshatrat e po gëlltit popullsinë e rebeluar, nëpër viset e tjera të krahinave fatkëqija po mbretëron një gjendje e tmerrshme dhe rënkim nën goditjet e kamxhikut, rrahje nëpër burgje, vdekje nën dajakë, kurse trekëmbshat si kurorëzim i sistemit, punojnë pa pushim” Edhe atëhere ai i kundërvihej shtypit “shovinis” serb që trekëmbshat turq i paraqiste si “mjete të domosdoshme për t’i mbushur me mend shqiptarët e padurueshëm”.
Por shkrimi i tij “Masakrimi në Lumë” i botuar më 22 tetor(4 nëntor) 1913, i pasuar në të njejtën ditë nga analiza “Gjakmarrja e soldateskës” duhet të njihen nga të gjithë shqiptarët. Për të mos harruar asnjëhërë ata që u flijuan në pragun e shtëpisë, për t’i ruajtur të gjithë martirët në kujtimet tona dhe për tua ngritur varrin që u mungon në zemrën tonë dhe për të pranuar e respektuar më së fundmi edhe vajin e një serbi që u bashkua me lotët tanë të shkrumbuar në vjeshtën e 1913-s.
“Korespondentët e Beogradit e quajnë detyrë nacionale fshehjen e krimeve të ushtrisë… Njëfarë kapiten Jurishiq në bashkëpunim me nënkolonelin Miliqeviq për dy orë vranë 500 shpirt, një fshat i tërë, fshat pa fshatarë, pa burra, fshat në të cilin kanë pasë mbetur vetëm gratë me fëmijë në gji, vajzat, të sëmurët e pleqtë dhe fë¬mijtë e të gjitha moshave… Duke e botuar këtë letër, Ju…, do ta vini qeverinë publikisht në pozitë: ose të hapë procedurën për ndjekjen e ekzekuto¬rëve të këtyre krimeve, ose të solidarizohet me kriminelët. Në qoftë se vendos për të parën, ky nuk do të jetë vetëm satisfaksion i dobët, por megjithatë satisfaksion për ndjenjën e fyer të çdo njeriu të kulturuar dhe një akt që ajo ia ka borxh prestigjit të ulur të popullit serb, por edhe garanci publike se do ta ndalë një¬herë punën sistemi i shfarosjes së një populli të tërë. Në qoftë se qeveria përpiqet të kalojë mbi këtë akuzë publike, atëherë së paku pasojat shumë të mëdha të këtij sistemi para historisë dhe popullit serb patjetër do të vihen në përgjegjësinë e saj. E ato do të mbahen në mend brez pas brezi, sikurse mbahen në mend Nata e Bartolomesë, Mbrëmja e Sicilisë, Kishenjeva dhe si do të mbahen në mend Demir-hisari e Doksati”.
Emri i këtij fshati të masakruar nga ushtria serbe nuk përmendet nga Tucoviqi. Në Shqipërinë e Veriut gjenden mjaft fshatra të martirizuar, por në rastin e përmendur nga Tucoviqi, sipas studjuesve të veprës së tij, ka shumë gjasa të jetë Topojani, një fshat në rrethin e Kukësit. Masakrimi i Topojanit ishte planifikuar të ndodhte shumë vite më parë edhe për shkak të heroizmit të Ejup Topojanit, Sahit Gegës dhe dhjetra luftëtarëve nga ky vis i pamposhtur që luftuan siç dëshmon dhe poezia e epikës historike “Prej Prokupljes deri në Nish” në vitin 1876 për mbrojtjen e tërësisë tokësore të viseve shqiptare që ranë aso kohe nën thundrën e pushtimit dhe të shfarosjes serbe. Ndërsa hakmarrja ndaj fshatit tjetër po në Kukës, e Përbregut, ku u martirizuan në vitin 1913 qindra burra, gra e fëmijë, ishte më e freskët: hakmarrja e përgjakshme për katastrofën e ushtrisë serbe në nëntor 1912, pra vetëm një vit më parë te Kulla e Lumës.
Janë të shumta fshatrat e tjerë të shkrumbuar gjithashtu në Dibër, Has, Tropojë e Lumë. Madje shtypi serb i kohës njoftonte shuarjen e krejt krahinës së Lumës, por ajo u mbijetoi rrebesheve të kohës. Ajo nderon sot bashkë me martirët e saj të pavdekshën edhe mikun e rrallë, një zë në shkretëtirë, siç thoshte vetë, Dimitrije Tucoviqin shpirtmadh, serbin që i bën nder çdo populli ta ketë në gjirin e vet.
Please follow and like us: