Ndue Ukaj: Shqipëria dhe Kosova janë shumë më shumë se ç’përfaqësojnë udhëheqësit e tyre
Vizitat e politikanëve të Kosovës në Tiranë dhe anasjelltas, ka kohë që s’u shërbejnë interesave të përgjithshme e as përmirësimit të jetës së shqiptarëve, por përdoren për të ndezur zjarrin e përçarjeve, rrjedhimisht, për të krijuar një mur të ri artificial ndërshqiptar e ndonjëherë mjerisht edhe për pak like e përndezje militantësh partiakë.
A bëhet kjo qëllimshëm apo jo, mbetet për t’u studiuar, por pse ekziston një energji e tillë destruktive, kjo s’do shumë mend për t’u kuptuar dhe për këtë tashmë ka një sërë argumentesh të provuara. Përndryshe, askush me mendje të shëndoshë nuk mund ta shpjegojë prej ku buron kjo energji kundër njëri-tjetrit në këto kohë të rënda krizash globale, kur kërkohet përafrimi dhe unitet përballë detyrave të mëdha që kemi përpara.
Sa herë ndodhin vizita të tilla, natyrisht gjinden gazetarë, opinionistë, politikanë dhe kujdestarë të devotshëm të mediave sociale, që u duartrokasin ideve që transmetojnë politikanët e tillë, jo për shkak të bindjeve, por për shkak të mllefit që kanë ndaj X a Y dhe vizitat e tilla duan t’i përdorin për t’i qëruar hesapet e brendshme partiake e politike. Kjo është neveritëse dhe jo etike dhe për mua, njëra nga anomalit më të mëdha të politikës ndërshqiptare.
Vizitat e tilla në vend se të përktheheshin me terma konkretë të përafrimit dhe përparimit, përcillen me sasinë e dallimeve që kanë arritur të shpërfaqin udhëheqësit politikë. Dhe kjo është çoroditje e llojit të veçantë, të cilën jemi duke e paguar shtrenjtë, duke mbetë kombi më i varfër dhe më pa integruari në kontinent.
Çuditërisht sa herë ka vizita të nivelit të lartë ndërshqiptare, fokusi i opinionit publik orientohet te pesha e madhe e dallimeve dhe rrallëherë te nevojat e përbashkëta për t’u bashkuar dhe për t’ i kuruar veset e përbashkëta.
Duhet të jesh tepër mendjerob që të besosh se i kontribuon Kosovës ose Shqipërisë, duke ndërtuar mure të reja artificiale, ndërmjet dy shteteve me histori, gjuhë, kulturë dhe identitet të përbashkët. Për më tepër, duhet të jesh krejtësisht i pasinqertë, hipokrit dhe të thuash se aspiron integrime euro-atlantike, me popuj e gjuhë krejt të panjohura, ndërkohë që nuk bën përpjekje minimale për të integruar një popull të ndarë në dy shtetet, por që ka histori, kulturë, gjuhë e identitet të përbashkët; e që ka luftuar dhe vuajtur gjatë për të qenë bashkë.
Udhëheqësit e mençur, janë ata që promovojnë kulturën e bashkimit, të solidaritetit e të vlerësimit dhe që flasin me pietet, nderim për historinë e përbashkët, siç bënte Ibrahim Rugova.
Dhe Rugova duhet të shërbejë si mostër, që në Tiranë dhe në Prishtinë, të flitet me pietet e nderim për histori të përbashkëta, për ngjarje që na lidhin dhe jo për rrëfime rrugësh që na ndajnë. Në Prishtinë e Tiranë duhet të flitet me pietet të lartë për doajenët e kulturës së përbashkët shqiptare, nga ata më të vjetrit tek modernët, për sakrificën e madhe të shumë brezave që luftuan me pendë e pushkë për të fituar lirinë, për ata titanë të kulturës shqiptare që ndër shekuj nuk lanë dheun e Arbnit të bjerrë gjuhë e identitet.
Ndërkaq, kur flitet për politikë, në Tiranë e Prishtinë, duhet të flitet si të bëjmë tekste të bukura për fëmijët tanë, si të krijojmë shkolla që sjellin lumturi dhe jo shkatërrim, si t’i harmonizojmë politikat e çakorduara arsimore e kulturore, si t’ i mësojmë breznitë e reja ta duan atdhuen, si të krijojmë mekanizma të përbashkët në fushat me interes jetik, siç janë ekonomia, diplomacia, siguria, kultura, arsimi, ashtu siç bëjnë të gjithë popujt normalë.
Për shembull: Që njëzet vite ne nuk kemi arritë t’i rregullojmë politikat e librit dhe ky është një turp që bie mbi secilin. Sepse ne kemi politikat më të këqija të librit në Europë e në fakt do të duhej t’i kishim shembullore.
Për të kuptuar si mund të bëhen punë të vlefshme të interesit të përbashkët, mjaftont të marrim shembull vendet skandinave, që para se të integroheshin në BE, kanë integruat fushat themelore të jetës, duke themeluar mekanizma të përbashkët në fusha të jetës.
Shqipëria dhe Kosova e kanë rrëzuar – atë që Ibrahim Rugova e quante mur artificial të ndarjes – dhe tani duhet të punojmë bashkarisht e në frymën e perspektivës së integrimeve perëndimore, si dy shtete shqiptare që duan të jetojnë të bashkuar në përkim me vlerat e demokracisë perëndimore. Kjo është rruga e vetme dhe domosdoshme për ne si oksigjeni.
Prandaj nuk është klishe të thuhet se Shqipëria dhe Kosova janë shumë më shumë se ç’përfaqësojnë udhëheqësit e tyre, dhe zgjatimi i tyre në media e fusha tjera, që ndonjëherë për shkak të shpirtngushtësisë, më shumë dinë të tregojnë sa e urrejnë tjetrin se sa e duan atdheun.
Please follow and like us: