Rifat Ismaili: PESË MINUTA PËR DASHURINË
Tregim
Ai fshiu duart me peshqirin që ndodhej në banjo, pastaj doli nga kafeneja. U fut në një kabinë telefonike në rrugë. Që atje shihej deti. Përpara syve, gjersa shikimi ndalej nëpër dallgët e detit dimëror, ishte ngritur mbi një gur mermeri të bardhë, një skupturë sferike e Xho Pomodoros.
Pezaro në këtë kohë ishte një qytet i heshtur dhe i zbrazët. Gjatë bregut të detit s’kalonte pothuajse askush dhe shumë prej hoteleve dhe lokaleve në rrëzë të plazhit ishin të mbyllura dhe do të mbeteshin kështu gjer në fillim të stinës së ngrohtë.
Ai ngriti dorezën e telefonit dhe formoi numrin.
E dashura e priste çdo të premte, në orën katër, që ai të fliste me të në telefon. Ajo pak kohë ishte për të e vetmja magji e jetës së tij atje larg, në vend të huaj, ku kishte shkuar për të punuar. Shpesh, gjatë punës ishte i trazuar, përfytyronte dhe shpikte lloj- lloj gjërash, copëza bisedash, takime dhe gjatë tërë javës jetonte vetëm për ato pesë minutat telefonike. Nga ajo telefonatë varej edhe gjendja e tij shpirtërore për javën e ardhshme… Nga zëri i së dashurës së vet Elonës, nëse ishte i ëmbël, i shtohej dëshira për të punuar dhe kur zëri i saj ishte i mekur, i pikëlluar apo dyshimtar, atëherë e kapnin brerjet e dyshimit dhe atë vetë, përhumbte nëpër andralla, bëhej me humor të keq, nuk kishte dëshirë për të bërë asgjë. Një instik i fshehtë, i fliste për së brendshmi, që të zhdukej fare nga kjo botë e gënjeshtërt që, s’e kënaqte asnjëherë njeriun e varfër, i cili duhej të rronte larg shtëpisë dhe dashurisê për të mbijetuar.
Pasi kishin kaluar disa muaj që kur ishin ndarë herën e fundit, Sokoli priste me aq ankth e padurim për ta parë atë përsëri. E përfytyronte të dashurën e tij Elonën, tek flinte pranë tij, tek e mbante mbështjellë me krahë gjatë gjithë natës, edhe kur ata i mpiheshin dhe i dhimbnin, mjaft që ajo të flinte e qetë, me atë profilin e butë trëndafilor nëpër buzë dhe faqe, me ata sytë e saj mbyllur përgjysmë, si dy yje që i ka mbështjellë një vargan i kuqërremtë resh.
– Alo, je ti shpirt, je ti e vogla ime?- e pyeti ai, sapo ndjente vibrimin e butë e ca të tulitur të zërit të saj gati pëshpëritës.
– Dashuria ime, ti je?- e pyeste ajo, edhe pse e dinte që ishte ai, vetëm ai, me atë mosbesimin femëror, se zëri i tij mund të ishte një lojë e erês, një jehonë apo tingull.
– Kam jetuar veç pë ty… çdo ditë… -nisi të shfryjë Sokoli. – Sa më ke munguar… Dua të braktis çdo gjë, vetëm për të ardhur pranë teje!
– Kthehu, dashuria ime… S’mund të rri më pa ty… Dua të jem veç në krahët e tu.
– Të paska marrë malli kaq shumë për mua?
– Kam nevojë për ty… Dua të bëjmë dashuri…
– Oh, zemra ime ankimtare!- e ndërpriste Sokoli zërin e saj të ëmbël përtej telit.- Ah, ta dish… edhe unë mezi po pres…
– A i ndjen më buzët e mia?
– Zemër, përfytyro sikur në këtë çast po puth buzët e tua. Po djegin, vërtet? Tani po i prek me gisht dhe po i shtyp lehtë, ndërsa ti po thith gishtin tim.
– Ke mbetur po ai?
– Po humb shumë nga vetja. Po bëhem si gjithë të tjerët…
– Po unë të dua të egër…
– Për ty i egër do jem gjithnjë…
– Sa dua të jem në këtë çast me ty, atje pranë teje…
– Po ne sikur jemi bashkë që tani. Unë sapo e kalova dorën në flokët e tua, pastaj më poshtë. Për të parë qafën tënde dhe për të vendosur mbi lëkurën tënde të butë puthjet e buzëve të mia… Ti për një çast më shtyn dorën dhe shkund flokët. Ata përhapen nëpër erë dhe të mbulojnë sytë. Po unë t’i ngjis përsëri me etje buzêt në qafë. Sikur dua të të kafshoj…
– Kërkon të më hash të tërën? Si një mollë?
– Dua të të pij të tërën me një frymë, si një gotë me ujë të freskët,- i tha Sokoli.
Ajo qeshi me përkëdheli përtej telit.
– Ej, vogëlushe! – i pëshpëriti ai batutën e njohur me të cilën e bënte shpesh të qeshte atyre netëve të dimrit dhe të dashurisë… më jep ca sheqer nga buzët e tua…
– Vëllai im i vogël të përmend shpesh- i tha ajo. – Të do shumë.
– Edhe unë mezi pres ta shoh atë pëllumbthin, atë kavalierin tënd, që më zë vendin kur s’ jam unë.
– Më porositi; Thuaji Kolit të më sjellë një tren me xixa…
Ai qeshi. E donte shumë vëllain e vogël të së fejuarês.
– Edhe unë po digjem nga brenda për ty, – i tha ajo Sokolit- për trupin tënd…
– Tani e dashur, buzët e mia po kalojnë si varkë mbi oqeanin plot dallgë të trupit tënd… Të zhvesh dhe të thith me etje të gjitha pjesët e tij. Nga buzët kam zbritur tek gjoksi, po zbres tek kërthiza jote, pastaj…
Këtu karta telefonike u ndërpre dhe ai mbeti paksa i zhgënjyer që momentet e bukura mbaruan kaq shpejt. Tani do t’i duhej të shtynte një javë plot tortura, gjithë boshllëk, lodhje dhe mërzi, për të dëgjuar për pesë minuta të tjera zërin e saj, vetëm pas një jave, atë zë që e mbushte me jetë dhe gëzim…
Kur doli nga kabina e telefonit, fytyra e saj udhëtonte ende si një barkë me vela të kaltra nëpër oqeanin e tij të përfytyrimeve dhe gjithë ai det i vërtetë që i shtrihej përpara, ai pothuajse se shihte fare.
1996.
Please follow and like us: