28 artistë të fotografisë ekspozojnë në galerinë shkodrane ‘Oda’
Sabina Darova
‘Vita Via Est’. Jeta është një rrugëtim ku melankolia, nostalgjia, forca, dhimbja, dyshimi, misteri, tërheqja, dyzimi qëndrojnë pezull për t’u kapur nga instikti i fotografit që vëzhgon pafundësisht jetën. Janë shkrepjet e 28 fotografëve, të mbledhura si mjalti i bletës nga Rozafa Shpuza, ideatorja dhe kuratorja e kësaj ekspozite, e cila vjen këtë fundvit si pjesëz shpirti për të plotësuar një boshllëk në pazëllin e rrugëtimit të gjithsecilit. Ekspozita “Vita Via Est” është një festë e fotografisë, është kurorëzim i udhës njëvjeçare të një strehe akoma të brishtë të artit fotografik, destinuar për të pritur e përcjellë shtegtarë me botë të madhe, shpirtra që fiksojnë momente të jetës, detaje që gërvishin vëmendjen e artdashësve.
Janë 28 autorë shqiptarë që jetojnë në disa vende të botës, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Itali, Gjermani, Zvicër, Francë, Amerikë, Shqipëri, të cilët bëhen bashkë për të lenë gjurmë në rrugtimin e artit të bukur të fotografisë. Ndjesia që përcjell secila fotografi është autentike, e pambistrukturuar. Janë vështrime rrudhash, ngjarjet e pazakonta në historinë e njerëzimit, që na përshkojnë tërthoraz, vështrimi i pafajshëm i fëmijës që end në shpirt ëndrrën, apo i njeriut që ia kanë kryqëzuar qiellin në një kuti hekuri. Është vështrimi misterioz i gruas, horizonti përtej qelqit të dritares, dyshimi nga vrima e çelësit, apo kërshëria për të ditur edhe atëherë kur sytë kanë humbur shikimin e kërkojnë ndihmë nga lentet…
Lentet që fotografi i zgjedh për të fokusuar jetën në distancë apo nga afër, në një rrugë të shkretë apo të zhurmshme, duke kërkuar njeriun si subjekt për ta sjellë në qendër të vemendjes. Njeriu, kjo qenie e çuditshme, që me strajcen mbi supe mat veten dhe e sfidon atë me hapin. Galeria ODA, feston me shumë sukses njëvjetorin e hapit të saj të parë. Në pragun e saj kanë kaluar fotografë e vizitorë të panumërt, të cilët kanë kryqëzuar emocione e ndjesi të pashlyeshme gëzimi dhe mirënjohjeje reciproke.
Artistët e kësaj ekspozite janë: Adnan Beci, Alketa Misja, Arben Llapashtica, Ardian Fezollari, Armando Meta, Arton Humolli, Dali Alili, Dash Izairi, Denada Rushiti, Denisa Brahimi, Eduart Gjino, Erald Kraja, Ernest Baba, Eva Sula, Fahredin Spahija, Genti Shkullaku, Hazir Reka, Henor Haliti, Krenar Halimi, Mario Calivà, Mariposa Fa, Olsi Qazimi, Orjeta Myzeqari, Osman Demiri, Roland Beqiraj, Rozafa Shpuza, Vasil Qesari, Xheni Çuni. E kush mund të qëndrojë në qoshk e të mos ngrihet për ta qokur gotën e urimit me zonjën e Galerisë në festën e fotografisë, në vatrën e ngrohtë shkodrane?!