Albspirit

Media/News/Publishing

Antimaratonisti i letërsisë/Mesazhet universale të Bertold Breht

Të mëdhenjtë thonë: Drejt lavdisë ecim!
Të vegjëlit thonë: Eja të vdesim!

 

Bertold Breht, poet, dramaturg dhe regjisor gjerman.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme kujtojmë “Tamburet e natës”, “Opera për tre grosh”. Është autori i poezive të shumta, që mund të konsiderohen ndër më të prekshmet e lirikës gjermane të shekullit të njëzet. Shkrimi i tij poetik është i drejtpërdrejtë, ai dëshiron të jetë i dobishëm, ai nuk na shpie në asnjë botë fantastike apo enigmatike. Megjithatë ka bukuri që është vështirë të shmanget. Lindi më 10 shkurt 1898 në Augsburg (Bavari) në një familje të pasur. Aderoi në lëvizjen marksiste dhe zhvilloi teorinë e teatrit epik, sipas të cilit gjatë shfaqjes shikuesit nuk duhet të identifikohen me vetveten, përkundrazi duhet të përpiqen të mbajnë një distancë kritike, për të reflektuar mbi atë që shikojnë në vendngjarje. Në vitin 1928 Bertold Breht shkroi veprën madhore “Opera për tre grosh”. Breht në vitin 1933, kur vjen nazizmi në pushtet detyrohet të largohet nga Gjermania. Për 15 vjet bën jetën e një pelegrini në vende të ndryshme, pas vitit 1941 vendoset në SHBA, por pas mbarimit të luftës ngjall dyshime tek autoritetet amerikane për polemikat e tij politike dhe sociale, si rrjedhojë zhvendoset në Republikën Demokratike Gjermane në Berlin, ku hap edhe një fondacion të vetin. Breht e donte artin kinez, madje në disa prej veprave të tij hasim referenca të Kinës dhe qytetërimit kinez.

Brehti ishte një poet i mrekullueshëm, me stile dhe gjendje shpirtërore të ndryshme. Po ashtu, si dramaturg ishte një punonjës i palodhur. Si teoricien, një pjesë të mirë të parimeve i bazoi tek parapëlqimet vetjake, madje edhe nga gabimet e tij. Brehti qe një egocentrik i zhveshur nga skrupujt, ushqyer vazhdimisht nga energjia krijuese dhe intelektuale e të tjerëve, një joshës i sprovuar me femrat të cilat dinte si t’i miklonte dhe t’i bënte të punonin për të. Krijimtaria e tij letrare përfshin një gamë të gjerë poezish, dramash, ndër të cilat të njohura në mbarë botën janë “Arturo Ui”, “Jeta e Galileut”, “Poezi”, “Opera për tro grosh” etj. Vdiq më Berlin më 14 gusht 1956 në moshën 58 vjeç nga një atak zemre.

Tymi

Shtëpisë e vogël nën pemët në bregdet

Nga oxhakët mbi çati ngrihet tym.

Po të mungonte tymi,

Sa të mjera do të ishin vërtet

Shtëpi, pemë dhe det.

Mikesha

Më pyet ç’është dashuria,

Po unë nuk e kam ndjerë.

Më pyet ç’është gëzimi,

S’e pashë të ndriste në terr.

Më pyet ç’është brenga,

Atë që po e njoh.

Atë e kam mikeshë,

Ajo mua më do.

Please follow and like us: