Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmir TOÇI: Libër-ditari i përballjes sime me koronavirusin

 

Libri “Ditari i përballjes me koronavirusin – 55 ditët e luftës sime me armikun e panjohur”, që me ndrojtje i paraqitet lexuesit, është një përpjekje për të paraqitur me vërtetësi ngjarjet që lidhen me prekjen time nga virusi Covid-19 në rrethana rastësore, trajtimin në kushtet e vetëkarantinimit dhe, më pas, në regjim spitalor në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Gjendja e rëndë dhe shkalla e rrezikut për jetën, kujdesi dhe përkushtimi i personelit mjekësor dhe specialistëve të këtij spitali, përjetimi i çasteve më tipike, të vështira e të rëndësishme psikologjiko-shpirtërore janë ato që e përshkojnë nga dita e parë deri në të fundit këtë libër-ditar.

Qëllimi i këtij libri nuk është për të treguar historinë e një pacienti të infektuar nga koronavirusi, duket nga pakujdesia dhe mosrespektimi sa duhet i masave mbrojtëse, i cili u përball “trimërisht” me vdekjen dhe fitoi “betejën”, por për të treguar një histori të vërtetë vuajtjesh e rreziku e për të sensibilizuar e mbrojtur të gjithë ata që nuk janë ende të ndërgjegjshëm për rrezikun që paraqet për veten dhe të tjerët ky virus i rrezikshëm dhe ende i panjohur, që nuk zbatojnë masat mbrojtëse të rekomanduara dhe, edhe më keq, zhvillojnë e përhapin opinione e propaganda të dëmshme duke ndikuar në çoroditjen dhe nënvlerësimin e situatës.

Libri është ndërtuar në formën e ditarit për çdo ditë, ku janë bërë përpjekje të mbahen shënime, kur gjendja shëndetësore e ka lejuar këtë gjë. Përjashtim bën ndonjë ditë kur gjendja shëndetësore ka qenë shumë e rëndë dhe ka qenë e pamundur të mbahen shënime; në këtë rast shënimet janë hedhur pas përmirësimit të gjendjes për aq sa ka qenë e mundur të mbahet mend, ose nga rrëfimet e personelit shëndetësor të shërbimit në ato çaste. Bazuar në këto shënime, që janë mbajtur më shumë si pika, apo si çështje të shkurtra, me qëllim për t’i trajtuar më gjerësisht në një kohë të dytë nëse do ta fitoja luftën kundër Covid-19, është shkruar edhe ky ditar sapo kam lënë spitalin dhe jam kthyer pranë familjes, duke u mbetur besnik ngjarjeve, personazheve dhe trajtimit të gjendjes sime shëndetësore.

Ngjarjet dhe personazhet e cituara në libër janë reale dhe autori falënderon dhe kërkon mirëkuptimin e atyre që janë bërë pjesë integrale e këtij libri me qëllimin e mire për të ndihmuar në realizimin e idesë së rrëfimit: sensibilizimin e një numri sa më të madh njerëzish për rrezikun e jashtëzakonshëm, që shkakton ky virus për jetën e çdo njeriu dhe për domosdoshmërinë e respektimit të masave të rekomanduara nga institucionet e specializuara shëndetësore për parandalimin e prekjes prej tij.

Falënderime pa fund dhe mirënjohje e thellë, aq sa fjalët janë të varfra t’i shprehin deri në fund, për personelin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, mjekët, infermierët, specialistët, sanitaret etj. – në mënyrë të veçantë për prof. dr. Perlat Kapisyzin, drejtuesin e këtij institucioni – që me përkushtimin dhe humanizmin e tyre po shpëtojnë çdo ditë jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes. Jam aq shumë i detyruar ndaj kujdesit dhe përkushtimit të tyre, sa që sot mund ta them pa hezitim e me bindje se nëse nëna ime e mirë më bëri kokën para 62-vjetëve, ata më rikthyen në jetë pas një beteje që dukej e humbur.

I lumtur për familjen time të madhe, dashuria dhe përkushtimi i natyrshëm i së cilës ka qenë pjesë e rëndësishme e terapisë intensive që trupi dhe gjithë qenia ime iu nënshtrua, duke e bërë atë më të bashkuar, më të forte dhe më të bukur.

Me qindra të afërm, miq, shokë, të njohur e të panjohur që kanë qenë afër meje gjatë kësaj periudhe me interesimin dhe urimet e tyre për shërim të shpejtë, i falënderoj nga zemra, ma kanë lehtësuar gjendjen time shpirtërore e psikologjike dhe më kanë dhënë kurajë e besim se do t’ia dilja.

Një falënderim i veçantë shkon për prof. Rexhep Qosjen për vlerësimin e pazakontë që ka bërë për këtë libër shkruar enkas si parathënie e këtij “Ditari”, por edhe për interesimin e kujdesin e vazhdueshëm atëror që ka treguar gjatë periudhës që gjendesha në spital në gjendje të rëndë, duke ma shtuar forcën dhe besimin për përballimin dhe mposhtjen e kësaj të keqeje që ka gjunjëzuar dhe futur në panik të gjithë botën.

Do të ndihesha i lumtur nëse ky libër i vogël, i shkruar në kushte të vështira dhe shpesh gati të pamundura, në kufijtë e jetë-vdekjes, do të shërbente sado pak për sensibilizimin e njerëzve kudo që janë, për rrezikun e madh që paraqet Covid-19 në vendin tonë dhe në të gjithë globin; për domosdoshmërinë e njohjes dhe të zbatimit të masave parandaluese të përhapjes së tij, në dukje të thjeshta, por me rëndësi jetësore, për t’i bërë ato pjesë të kulturës sonë të jetesës në rrethanat e reja të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, edhe për shkak të këtij virusi të pabesë dhe ende të panjohur.

Dua ta mbyll me një mësim të madh nga përvoja e dhimbshme që kalova në muajt më të bukur të vitit, korrik e gusht 2020, kur destini im ishte që t’i përjetoja si një “turizëm spitalor”: jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj!

 

Please follow and like us: