Albspirit

Media/News/Publishing

Krishtlindjet dhe Viti i Ri, Suela Demiri: Ja çfarë dhurate pres nga babagjyshi

Era Cela

Është një nga gazetaret, moderatoret që publiku e do shumë. Është e dashur, e ëmbël, e mençur, e bukur, por mbi të gjitha profesioniste dhe karakterizohet nga një buzëqeshje që tregon vetëm mirësi në mimikën e saj. E kam fjalën për gazetaren dhe moderatoren e njohur Suela Demiri, e cila prej vitesh na shoqëron cdo ditë nga studio e lajmeve. Në një intervistë ekskluzive, Suela na tregon se si e ka përjetuar situatën e pandemisë. Gjithashtu Demiri na tregon se shtëpia e saj është zbukuruar prej disa ditësh me pemën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Suela na tregon dhe se çfarë pret si dhuratë nga babagjyshi i vitit të ri. Por gjithashtu ne e pyetëm për të na treguar dhe disa detaje nga etapa të ndryshme të jetës siç është fëmijëria, adoleshenca si dhe prindërimi.
 
Përshëndetje Suela, së pari dua të pyes si e keni përjetuar të gjithë këtë situatë të pandemisë që prej muajsh tashmë është e pranishme me ne?

Suela Demiri: Pandemia është një tronditje e madhe për të gjithë. Një shqetësim i madh për shëndetin e mijëra njerëzve dhe familjeve. Por nga ana tjetër e shoh edhe si një situatë problematike që sjell privimin e qytetarit nga të drejtat dhe liritë e tij. Nxënësit nga e drejta për të mësuar dhe studentët i privoi nga jeta studentore me debate, punë kërkimore dhe pse jo edhe dashuri. Në fund shpresoj që të bëhet fjalë vetëm për një vit dhe gjithçka të mbarojë ketu. Ndryshe pasojat do ishin tragjike për të ardhmen e popujve.

Jemi në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. A është vendosur pema në familjen tuaj?

Suela Demiri: Pemën e kemi zbukuruar që më 6 dhjetor dhe tani mbase e heqim nga fundi i shkurtit. E kemi traditë se vajzës sonë i pëlqen shumë shtëpia me bredh.

Pret kartolina dhe nëse po nga kush?

Suela Demiri: Kartolina është e vështirë të të surprizojë në këtë periudhë digitale, ku gjithçka vjen me email, sms, telegram, wp dhe viber. Por sigurisht që pres mesazhe urimi nga motrat e mia jashtë vendit, miqtë e mi. Shqiptarët janë të shpërndarë në gjithë botën.

Çfarë pret nga Babagjyshi i vitit të ri, Suela?

Suela Demiri: Nga Babagjyshi pres një biletë avioni për të shkuar tek vajza ime. Dhe sigurisht, nuk është halli tek bileta, por tek rikthimi i së drejtës për të udhëtuar lirisht.

Meqënëse jemi te festat bëni apo ju bëjnë dhurata?

Suela Demiri: Më shijon shumë të bëj dhurata, por edhe të marr, kuptohet. Kush nuk i do dhuratat dhe surprizat?!

E keni bërë bakllavanë apo është ende shpejt?

Suela Demiri: Bakllavanë, akoma jo. Jemi ende në debatin bakllava apo kadaif dhe në fund do përfundojmë duke i bërë të dyja.

Si do ta përkufizoje vitin 2020?

Suela Demiri: Viti 2020 për mua personalisht ka qënë shumë i bukur, i plotë, me shumë punë, më pranë familjes, jam ndierë dhe shumë e plotësuar profesionalisht. Unë them që qënia njerëzore di të përshtatet dhe të nxjerrë më të mirën e çdo situate. Unë jam mirënjohëse për çdo ditë që jetova.

Si e kujton Suela fëmijërinë, adoleshencën dhe të qënit studente?

Suela Demiri: Fëmijërinë e kam kaluar në një familje të madhe dhe çdo pjestar çmendej pas meje sepse isha më e vogla. Me donin dhe i doja shumë. Kjo më çoji drejt një adoleshence të mrekullueshme mes magjisë së radios dhe dashurisë për mësimet. Dhe jeta studentore gjeti një Suelë, që shkonte në universitet, punonte te Radio dhe Televizioni i ri Korça, te gazeta Korça Demokratike dhe jepte mësime Anglisht. Më ka pëlqyer gjithnjë të punoja por edhe sepse bëja punën që doja. Që kur isha e vogël doja të bëhesha prezantuese, të punoja në radio dhe këtë kam bërë gjithë jetën. E kam ditur që 7 vjeç, kur babai për Vit të Ri më solli një raketake, të cilës unë i desha vetëm bishtin që e shndërrova në mikrofon.

Suela në etapën me të rëndësishme të jetës në atë si bashkëshorte dhe si mama e një vajze?

Suela Demiri: Vite të gjatë dhe të bukur. Vështirë të përmblidhen me një fjali. Po unë mund ta përmbledh me një lajtmotiv që e këndonte gjithnjë vajza ime kur dilnim shëtitje: “Jemi të tre, s’ka si ne”.

Cila është marrëdhënia juaj me vajzën?

Suela Demiri: Marrëdhënia ime me vajzën? Një marrëdhënie dashurie pa kushte.

Na trego një sekret që Suela nuk e ka thënë kurrë?

Suela Demiri: Kurrë do të thotë kurrë, pra nuk do e tregoj as tani. Në fakt, nuk kam shumë sekrete. Si gazetare që jam flas kaq shumë saqë më dalin të gjitha padashje. Të paktën, për vajzat e grimit në ABC, nuk jam fare mister. Se atje flas më shumë.

Çfarë do të doje të ndyshojë te Suela?

Suela Demiri: Ajo që dua unë të ndryshoj dhe që e pres nga viti 2021 është që të përmbyset situata, të mos kemi pandemi, mos kemi më të sëmurë, maska, ambulanca që nxitojnë të alarmuara, as ore policore. Dëshiroj që njerëzit të jenë të lirë të dalin kur të duan nga shtëpia, të udhëtojnë, të shohin botën, të punojnë në cilin shtet të duan, të dashurohen dhe të mos kenë frikë nga puthja. Dhe kur të kthehen nga udhëtimi, të presin njëri-tjetrin me përqafim në aeroport.

 

 

Please follow and like us: