Mustafa V. Spahiu: KUR GUFON DIELL NË ZEMRA
Sprovë
(Gruas sime, Diellit tim, Yrfete Spahiut, veteranes së arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut).
Po i jap tash të drejtën vetes të jem sundimtar i fjalëve, sundimtar i shkëlqimit reflektues që lodron në amësimin e luleve të blireve. Këtu ku edhe unë sundoj para muzgut, natën duke pritur agimin e në pritë jam rob i kohës në kopshtin e hapësirës së pamatë ku ti je fshehur si vjollcë që lulëzon e unë s’të gjej dot në këtë lojën kukafshehti të Përjetësisë!
Koha në Përjetësi është me bollëk e s’mbaron kurrë! Se s’mbarojnë flakët e vërteta dashurore… nuk mbaron Zjarri, para të cilit gjërat tokësore janë të parëndësishme, si në ato mortalet ku zakoni betohet:
“Pasha kët’ tokë, që tokë jam konë e tokë kam m’u bá”!
“Amin”!
Shëndoshë, shëndoshë qofshi, o zotër të hershëm e të vonë!
Këtu ku jam, një prill i hershëm që s’mbahet mend, më lindi mua, poetin… poet i përsëdytur në kombin e tij, që dy herë nga gjumi mbin pjeshka e në valë lan në fluturim fluturat!
“Shejtni e dashun, shejtni që në hesapin tand s’dallon kërrkënd?” (Lutje nga “Kumbonaret”)
…I ndalur nën këtë hije hyjnore dhe i kthyer nga agimi, prej nga fillon të shkëlqejë ajo sheshbetejë potente e shpirtit, vizitova hapësirën më të largët në çdo vërshim ëndrrash urëbardha dhe magjike. Dhe ja dhuratat e mia për ata që do jetojnë n’amshim, ja pikëllimi im ku hyjnë të gjitha gëzimet e kësaj bote… Ja mendimet e mia të shprehura me fjalë e, në fund, ja dhe premtimi:
Ndërmjet nesh do mbetet përherë një ah, një oh, një lamtumirë!
Lamtumirë, rrëfenjëza tokësore e humbur në çiflliqet e errësirës…!
I jap të drejtë vetes të flas për gjërat e thjeshta, për sendet e çuditshme, ndërkohë që së largu, diku andej nga Lindja, shkëlqen floriri i fshehtësisë.
Kënga jeton jashtë motiveve dhe dëshirave njerëzore. Pija e saj frymon jashtë çdo krahasimi, me lulen dehëse të ujit e pëshpëritjen sublime të qenieve.
Amshueshëm vuan ai që një herë dehet nga burimi i poezisë, nga dashuria, mu si gratë e qëmotshme të Tokës, nënat e gjysmëperëndive-fëmijë, që kanë marrë frymë të gëzuar pranë mëmave të tyre-perëndi!
Prirje, prirje e hidhërimit dhe e lavdisë. Me pije të këtillë, i dehur shijova edhe fytyrën e ëndrrës në gjethen e bimës nëntokësore. “Mortja” ime është më e madhe se lindja ime, përtej Vazos së Qetësisë!
Jam i kamur pa kufij e s’di kujt t’ia ofroj këtë thesar, derisa yllorja Afërditë vuan mbi Detin e Bardhë, aty ku pelini rritet dhe dafina thur kurorën për të pamortshmit.
Lakmia e pashuar më është në të folurën që nuk di të sundojë. Fjala e kapluar me vetveten dhe ai i vetëquajturi “shpirt”, deri në vetmohim më japin kënaqësinë e asaj çka na ofron ky çast i lumtur. As përrallë e as shortare! Merrmini duart dhe ato do t’ju tregojnë se nga vjen pranvera dhe mallkimi i shpirtit!
Sytë e mi do t’ju shpien larg, deri te vetë kufiri i gjërave, ku do të shihet hapësira ku sundojnë shtatë stinët e vitit.
Merrmini të gjitha çka më takojnë nga njerëzit! Mua nuk më duhet as kthimi e as shpëtimi. Kjo fytyra ime po bisedon me agun për blatimin e flisë..!
Për perëndi apo njerëz?!
***
Zonjë e jetës sime, Yrfete!
Nata, para agimit, pasuritë e veta i humb pa rezistencë. Rrëfenjëza bulëzon me buzë argjili dhe zambaku – kohë e ngrohtë e shpirtit! Zymbylat po buzëqeshin në ballin tënd.
Këtu hapësira fillon lulëzimin e vet e zhgënjimet më të bukura të kohës do shprehen me shenjat e lindjes që mezi shihen. Kush nuk do të dëshironte t’ishte i adhuruar i perëndive kur brufullon gjelbërimi?!
Merrmë, o muzë e poezisë, lajmësin tënd dhe unë do jem ai që do vishem bukur deri në venitje, duke mbajtur gjakun blu të poezisë në buzë, mu sikur barra hyjnore bartet në shpirtin tepër delikat të qenies. Ndërsa shpirti i luhatshëm, para dyerve të prehjes do të jetë dhe, ooohhh, edhe veprat dashurore, me hapin e lehtë si flokë dëbore, do t’i zgjasim, do t’i zgjasim çdo çast që nxit… nga thellësia e Kopshtit të Edenit…!
Edhe ty, o rrëfenjëzë e kësaj bote, do të të mbahet mend koha jonë, në të cilën thirrëm veprat hyjnore nëpër mugëtirën e kohës, që prej fjalëve valëviten e valavinë shkumëbardha.
Pak janë ata që në mes të natës pyesin se a do të gdhijë, kurse të panumërt të tjerët që me vetë agimin dyshojnë në të aguar të ditës. Dhe prap do të shqiptojnë Errësirën, do të shqiptojnë Dritën, Diellin!
Ti – kufi midis hyjnores dhe njerëzores! Ti – Yllnajë e shenjave të mërgimit!
Dhe mendimi im do shpjegohet gabimisht në faqet e Librit të Parimeve.
E shtrenjta ime! Ti do më dëshmosh se këto fjalë njerëzore nuk janë tjetër gjë, përveç se dobësi nga e cila unë thur poezi…!
* * *
Dhe ti, dashuri, çohu për vëzhgim, se agu nuk ka fuqi ta shuajë apo ta mjegullojë zjarrin në Lindje. Sa ndrit shkëlqimi i agimit, aq hapësirë nata lëshon e po aqë dashuri për njeriun lindin.
E përse lind njeriu, o zotër të jetës? Erdhi koha kur kufiri i shpirtit po përhapet në rrugët e zemrës, ndërkohë që mortja s’pyet e s’jep përgjegje!? Vetëm të dashurit, në visaret e dashurisë kanë përparësinë e pavdekëjesisë dhe i ziu njeri gjithmonë, që nga të porsalindurit, çohet t’i bëjë reveranca kalueshmërisë.
Respekt fuqive të marrëzisë dhe hidhërimit, fuqive tmerruese që prapëseprapë njeriut i Shërbejnë. Shërbim në vëshgimin e sprapjes gjithnjë të fuqishme!
Respekt e nder dashurisë që njeriun e cyt të krijojë e t’i shërbejë lumturisht, e të sundojë mbi ato që krijon, duke lexuar hieroglifet e fantazisë së bujshme si paravera.
Reverancë edhe agimit që zbardh çdo herë në kohë, në orën e shugurimit, pikërisht në çastin kur çdo gjë bëhet e pasigurtë!
Çdo kohë shkelqimi është kohë e saj, çdo kopsht është lëmë ku Lindja bajrakun e bardhë e shpalos!
E, më në fund, shfrytëzimi i agimit, rruazat e pikave të vesës së mëngjesit shkëlqejnë në buzët e atyre që dashuruar nuk kanë ditur kurrë! Ҫ’pritët deri tani, ç’bëtë deri tani? Vallë, ç’gugonin guguftujat në degët e manit?
Të dashuroheshe e të jetoje me atë zonjë, ishte çast i stërlumtur, thotë njeriu më i
ri se lindja. Ajo është reveranca më e madhe e gjithçkaje që natën lind e me agun fillon të jetojë…!
Sepse heshtja u ka hije grave…!
Gjembi dhe gonxheja belhollë si lisi i Mesamalit u vyshk të martën e fundqershorit… e si mund të bënte ndryshe?!…
Pa zyshën Yrfete, bangat lotonin nëpër klasën ku ligjëronte ajo buzëqershia…!