Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Mbi librin “Bektashinjtë shqiptarë” të Robert Elsiesë
Ndryshe të gjitha prurjeve të tjera shkrimore, mbështetur në shumë burime të vendit dhe të huaj, botimi i një libri voluminoz, i shumanshëm nga studiuesi i njohur Robert Elsie, punimi i titulluar “Bektashinjtë shqiptarë” është njëri nga më të plotët dhe shumë burimorë deri sot për bektashinjtë shqiptarë. Prurja e një punimi të tillë, kryesisht nga një studiues i huaj, i cili përçon një akribi shkencore të vlerësuar një punë gjurmuese dhe interpretuese në punimet e tij përgjithësisht, është një gurë i rëndë dhe i nevojshëm në themelet e njërës nga kulturat më të rëndësishme shqiptare, e cila në dritën e këtij botimi nuk mund të shihet vetëm si besim, siç është shkruar dhe thënë rëndom në historinë shqiptare, vetëm si veneracion ndaj një kulti të lashtë, por si kulturë, si vlerë, si kontribut, si sakrificë, si perceptim kombëtar, si kauzë shpirtërore kombëtare, si dashuri njerëzore, krenari dhe dinjitet i kombit dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Libri i Elsies është një zbulesë e rëndësishme për çështjet fondamentale kulturore shqiptare, edhe pse flet për bektashinjtë, për psikologjinë dhe rrethanat psikologjike dhe ndërgjegjen kombëtare shqiptare nëpër etapat e caktuara të historisë dhe të zhvillimit shoqëror, për mjedisin dhe rrethanat sociale kulturalisht, për konceptet bazike të shoqërisë, shtresave të larta dhe ata të ulëta, nivelin kulturorë, dijet dhe historinë, për shkollën dhe prurjet e zhvillimit, të cilat sendërtohen nga një informacion i gjerësishëm me të cilin janë jetësuar disa nga kapitujt e librit.
Po ashtu, libri i Elsies është një “propozim” i nevojshëm mbi kulturën e të shkruarit, interpretimin dhe vendosjen e fakteve dhe burimeve shkrimore në shërbim të një çështje të rëndësishme, që nuk lidhet vetëm me kulturën dhe kultin e një besimi të caktuar, por të shumë faktorëve të tjerë, që pleksen me një rrugëtim të gjatë kulturologjik, arsimorë, edukimi dhe edukimi në kulturën popullore, në një gjeografi të gjerë të kombit. Elsie në librin “Bektashinjtë shqiptarë” ka “thyer” atë kodin e ngurtë totalitarë të interpretimit dhe diktatit mbi çështjet e besimeve në Shqipëri. Kultura dhe praktika e bektashizmit, e cila veproi në kushte dhe në rrethana mbijetese, në jo pak raste, në “zbulesën” e Elsies referon një kulturë dhe një dimension kombëtar të vendit, si një bazë e nevojshme për progres, zhvillim dhe një diapazon komunikimi mes njerëzve e shtresave të popullsisë, kulturës së besimit, ku mbizotëron një identitet i nevojshëm kombëtarë.
Duke hedhur vështrimin gati katër shekuj më parë, por veçmas në dy shekujt e fundit, pavarësisht dëshmive dhe interpretimeve të ndryshme të shkruara dhe jo të shkruara, bektashizmi dhe bektashinjtë shqiptarë përbëjnë një faktor të rëndësishëm social- politik-arsimorë dhe atdhetar, për të cilët ka qenë përherë e rëndësishme dhe e nevojshme për të shkruar. Kjo trashëgimi e njohur dhe e nevojshme për kulturën kombëtare shqiptare, si shumë gjëra të tjera fondamentale, në Shqipëri ka shtegtuar dhe ka rezistuar përmes vështirësive të shumta dhe sakrificave jo të zakonshme.
***
Libri i Elsies është ndërtuar mbi një strukturë të qartë dhe komunikuese, i cili synon të japë një pamje të gjerësishme dhe të kuptueshme vertikalisht dhe horizontalisht për këtë besim, i cili është shfaqur që në momentin kur në Gadishullin Ballkanik, por dhe në Shqipëri është shfaqur herët, ndoshta që me ekspeditat e para turke në jugun e Shqipërisë, dhe pse burimet shkrimore, kryesisht nga studiuesit e huaj apo turq janë disa shekuj më të vona se fillesa bektashi në Shqipëri. Robert Elsie e ka njohur mjaft mirë strukturën shoqërore dhe psikologjinë e komunikimit të shqiptarëve pas viteve “90-të me të cilët ai qëndroi gjatë, deri në fundin e jetës. Duke e prekur në thelb dhe me dorë të gjithë realitetin shqiptar, si në jug dhe në veriun e vendit, studiuesi i njohur e dinte se ç’kërkonte shërbesa e tij në këtë rast, veçmas me një masë të konsiderueshme të shqiptarëve që janë bektashinj në Shqipëri, të cilat e vlerësojnë traditën bektashi dhe kanë nderim në vendin që ata zënë në kulturën kombëtare, por dhe të besimit të tyre. Kjo ka qenë një arsye që Elsie ka parashtruar dhe ka ndërtuar një platformë mjaft komunikuese.
Studimi përbëhet nga katër kapituj bazik të rëndësishëm, që ka të bëjë me “Historinë dhe kulturën e bektashive shqiptarë”, me “Raporte të hershme dhe shkrime studimore për bektashinjtë shqiptarë që nga viti 1600…” deri në kohën e Elsies, me “Teqe e faltore në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera” dhe me pjesën përmbyllëse “Figura të shquara historike e legjendare të bektashinjve shqiptarë” shoqëruar me një fjalor termash dhe një bibliografi mjaft të rëndësishme, e cila ndihmon këdo studiues dhe lexues për të mësuar akoma mbi bektashizmin dhe bektashinjtë shqiptarë nga kohët e mëhershme deri sot.
Siç dhe shihet, studiuesi i njohur i jep një diapazon të gjerësishëm dhe të nevojshëm lexuesit studiuesit, por në klimën e debateve që vendi përfshihet për çështje të kësaj natyre, Elsie është përpjekur të përshkojë të gjithë rrugëtimin që bektashizmi ka bërë në Shqipëri në mënyrë të veçantë, ku burimet shkrimore nuk mund të zhbëhen dhe as të ndryshojnë. Studiuesi dhe hulumtuesi Elsie e ka njohur mjaft mirë mjedisin shkrimorë shqiptarë, por dhe frymën ideologjike nga vinte Shqipëria, ku vështirësitë për të rimëkëmbur një kulturë tradicionale besimi gati 5 shekullorë në vend ishëin praktikisht të prekshme, ai e ka ndërtuar punimin e gjerësishëm mbi bektashizmin dhe bektashinjtë, mbi të dhëna dhe dëshmi historike, me të dhëna dhe dëshmi mbi vende të shenjta, ku besimi i bektashinjve kë traditën e tyre, mbi të dhëna dhe dëshmi të figurave historike, madje dhe legjendare të bektashizmës, të cilat janë përcjellë përmes shkrimeve, rrëfimeve dhe gojëdhënave popullore, por dhe me të dhëna e dëshmi të shkruara të pjesë më të madhe të udhëtarëve dhe historianëve të huaj që janë marrë me Shqipërisë deri në ditët tona.
Një fakt tjetër interesant në çështjet e bektashizmit është se pjesa më e madhe e studiuesve të huaj që janë marrë me Shqipërinë lidhet fort me traditën e tyre, psikologjinë e besimit, të cilat çojnë në hulumtime dhe në studimet për njerëzit dhe që lidhen me nacionalizmin, burimet krijimit të tij, ku besimet fetare në kontekstin ballkanik kanë luajtur një rol të rëndësishëm.
Para se të shqyrtojmë opinionin dhe të shfletojmë librin, duhet shënuar, se ky botim, brenda të cilit ka një punim të shkëlqyer, një punim i cili mbart në vetvete një interpretim shkencorë dhe historik, një punim i cili ka një hulumtim të thellë dhe të mbështetur në shumë dëshmi, duke e bërë atë mjaft të rëndësishëm për historinë dhe kontributin e bektashizmit dhe të bektashinjve në Shqipëri. Ky libër i ka bërë dhe do t’i bëjë një nder të jashtëzakonshëm bektashizmit, pasi përmes tij vjen një informacion më i thellë, më i kualifikuar dhe i mirëvendosur në faktet dhe argumentet. Ky libër mbetet një vlerë në historishkruarjen e njërit nga besimet më të efektive, me shoqërore në çështjet kulturologjike shqiptare, të arsimit dhe të dijes, të atdhetarizmit dhe ndjenjës së thellë kombëtare.
1.
Më së pari në historinë e tyre, bektashinjtë janë shfaqur hertë në historinë e njerëzimit. Ata janë të frymëzuar nga sofizmi islamik me origjinë nga Turqia dhe kanë një histori mbijetese. Lidhur me historinë e tyre jan ëpërdoruar burime të shumta. Diku thuhet se është i frymëzuar nga misticizmi persian dhe ai indian, i njohur si melametizmi sofist shpirtërorë i botës tjetër dhe doktrinat e mëvonëshme gnostike e kabalistike të hurufizmit persian. Pavarësisht interpretimeve të shumta dhe burimeve të shumta siç thotë dhe Elsie, besimi bektashi është reflektuar i konsoliduar për shkakun e shtrirjes, një llojë “homogjeniteti” dhe të hierarkisë që ai ka pasur dhe ka dhe në ditët tona. Duke besuar në Hakk, që do thotë E VËRTETA dhe në dy emrat e njohur të besimit islam në Muhamedin dhe në Imam Aliun, bektashinjtë mendojnë se besimi i tyre e njeh dhe beson në manifestimin e Zotit në tokë, si rezultat e mishërimit në këto figura qiellore. Ata iu përkulen 12 imamëve, ata i përulen dhe Haxhi Bektashit, që konsiderohet themeluesi i rendit bektashi.
Bektashinjtë kanë ceremoninë e tyre private, që njihet me mejdanin, origjina e të cilit është nga mejdani i Bagdadit. Bektashinjtë falen dy herë n ëditë, me lindjen e diellit dhe në perëndimin e tij. Ndryshe besimeve të tjera, gratë bektashiane marrin pjesë në ceremonitë dhe mbledhjet. Kremtja kryesore (ditë e shënuar e bektashinjve) është ashurja dhe gjatë dhjetë ditëve të matemit, kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Imam Hysenit, bektashinjtë shkojnë në teqe dhe dëgjojnë recitimet e vuajtjeve të tij. Një kremte tjetër e bektashinjve është dhe nevruzi, ku fillon viti i ri persian.
Në historinë dhe “doktrinën” bektashiane shqiptare të këtij besimi, krahas librave të shumtë nga studiues dhe njohës të huaj të këtij besimi vendin më të rëndësishëm e zë “Fletore e Bektashinjet” të poetit të njohur të Rilindjes kombëtare shqiptare Naim Frashëri, në të cilën është shtjelluar më mënyrë të qartë e gjithë tradita, zakonet, thelbin e këtij besimi, raportet e besimit dhe filozofisë, me historinë e shëmbëllyer në individë të caktuar të këtij besimi, që nga hierarkia dhe historia më e lashtë, raporti me Zotin si kulti i të vërtetës mbi tokë. “Fletore e Bektashinjët” është një libër dhe një komunikim i gjerësishëm, që lidhet shumë dhe me vendin që bektashizmi zë në Shqipëri, si kohë, si koncept historik, si traditë ndër shqiptarët dhe në varësi të rrethanave historike. Naim Frashëri gjatë gjithë jetës së tij, veçmas në kontributet intelektuale dhe krijuese dëshmoi një lidhje të fortë me atdheun, i cili e mishëroi dhe në testamente të tilla të rëndësishme, të cilët kishin burime dhe referenca të hershme nga Persia dhe India.
Duke qenë një besim i lashtë dhe me një lidhje të fortë me besimin dhe interpretimin si burim të gjithë besimeve të islamit, kjo bashkësi fetare është dhe ka mbetur e strukturuar mirë, çka tregon se ajo është përvetësuar nga njerëzit dhe është respektuar. Këtë e tregon një hierarki interesante dhe vepruese deri në ditët tona. Kështu:
Ashiku ka një vlerësim dhe nderim të veçantë, nga turqishtja do të thotë “i dashur” dhe i referohet besimtarit besnik bektashi, pastaj vjen babai (një person i përkushtuar ndaj besimit dhe shërbyes në teqe), muhibi (një anëtarë shpirtërorë i bashkësisë bektashiane, i provuar për 1001 ditë), dervishi ( i cili vishet sipas traditës bektashi me një taxhë në kokë dhe që shërben gjatë gjithë kohës në teqe), myxheri (person i provuar për dëlirësi dhe i pamartuar,anëtarë i veçantë i kategorisë së dervishëve), babai (shërben në teqe dhe është një mjeshtër shpirtërorë për komunikimin me njerëzit), gjyshi (eprori më i lartë i baballarëve dhe përgjegjës i një rrjeti të caktuar të teqeve në një rajon të caktuar) dhe kryegjyshi, i cili njihet si dede baba, lideri i rendit të bektashinjve në tërësi dhe zgjidhet nga gjyshërit.
Predikimi i parë sipas besimit të bektashinjve vjen nga legjendat për historinë fillestare bektashiane. Prejardhja e tyre, mendojnë ata është nga Haxhi Bektash Veliu, i cili konsiderohet si themelues dhe mbrojtës i rendit, ndërsa në shekullin e XV-të, kur rendi bektashi mori formë konkrete, Ballëm Sulltani nderohet dhe vlerësohet si themeluesi i dytë, i cili mendohet se u rrit në faltoren e Sejid Ali Sulltanit në Dimotekos. Ballëm Sulltani është dhe themeluesi i centralizmit dhe krijimit të autoritetit të bektashinjve, duke vendosur hierarkitë që njihen në këtë besim. Me kalimin e kohës dhe në klimën e caktuar të Turqisë bektashizmi u fuqizua politikisht dhe më pas vijojnë ngjarje nga më të ndryshmet, deri në momentin kur Ataturku (1881-1938) bektashizmi u ndalua në Turqi, por ishte përhapur në Shqipëri. Historia e bektashizmit në Shqipëri është e hershme, ajo lidhet me figurën legjendare të Sari Salltëkut, i njohur në Krujë (1567- 1586), pastaj me themelimin e teqesë së Serem Ali Babait në Tetovë në mesin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, e cila sipas këtyre datimeve është teqeja më e vjetër në territorin shqiptar të kohës. Më pas vijojnë dëshmitë e tjera mbi bektashizmin, ajo e vitit 1660 (sipas E. Çelebisë) e teqeve në Mitrovicë dhe në Kaçanik të Kosovës, pastaj ato të vitit 1670 në kaninë dhe në Vlorë, teqetë që evidentohen në vitin 1780 e njohur si Teqeja e Zallit në Gjirokastër nga Asim Babai, teqeja e Shemimi Babait (1799) në Fushë Krujë, teqeja e Hajdar Babit në Gjonëmit (17930, Teqeja e Prishtës në Skrapar, teqeja e Ibrahim Xhefait Baba në Elbasan (1803), teqeja e Hysen Babait në Melçan të Korçës, që përbëjnë një bazë të hershme historike dhe një gjeografi të gjerësishme ku ka vepruar bektashizmi në Shqipëri, duke njohur përhapje dhe më të madhe më vonë.
Një rol të rëndësishëm sipas studiuesve të huaj në përhapjen e bektashizmit në Shqipëri kanë luajtur dhe figura të caktuara popullore si Ali Pashë Tepelena, për të cilin ka pasur interpretime të ndryshme pse ai ka qenë i lidhur me bektashinjtë sipas pretendimeve të tij. Me ardhjen e Sulltan Mahmudit të II-të, i cili vuri në punë aksionin kundër bektashinjve në Turqi, i quajtur si “Ngjarja e mbarë” (1826) e goditi mjaft dhe bektashizmin në Shqipëri, me ç’rast u dogjën dhe u shkatërruar shumë teqe në Melçan, Kuç, Qatrom, në Tepelenë, Berat, Kaninë etj.
Në gjysmën e dytë të viteve 1800 Perandoria otomane po rrënohej së brendshmi dhe jo më të kishte ndikim në territoret e pushtuara. Këtë situatë bektashinjtë shqiptarë, të cilët ishin goditur nga “aksioni” i fillimshekullit “Ngjarja e mbarë” e shfrytëzuan dhe në jugun e Shqipërisë u themelua një rrjet i konsiderueshëm teqesh bektashiane, veçmas në zonnë e Skraparit dhe të Beratit, ndërkaq bektashinjtë fituan një ndikim akoma më të madh në popull, pasi ata u përfshinë në lëvizjen nacionaliste të vendit, që më vonë do të përkonte dhe me ngjarjet kombëtare të lëvizës për çlirim dhe pavarësi. Ndërsa besimi bektashi, i cili mori zhvillim në Shqipëri, sipas dhe studiuesëve të huaj (Nathalie Clayer) do të merrte ngjyra nacionaliste dhe vetë ai do të kishte fytyrën e vet shqiptare. Bektashinjtë, siç vëren Elsie do të vihen në shërbimin e lëvizjes kombëtare të vendit.
Duke ruajtur këtë lidhje të fortë me zhvillimin e vendit, duke pasur një shëmbëllim të rëndësishëm nga vëllezërit Frashëri, bërthama e Rilindjes kombëtare shqiptare, patriotizmi u bë një përbërës i fortë i bektashizmit shqiptar nga njëra anë, ndërsa njerëzit e ndikuar dhe ata që e përqafuan besimin u shtuan shumë, saqë në fillimin e shekullit të njëzetë bektashinjtë përbënin rreth 15 përqind të populsisë në Shqipëri. Një fakt tronditës ndodhi pas Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 sipas studiuesit, pasi rilindja bektashiane u ndërpre dhe mbi teqetë e vendit vuajtën dëmtime e shkatërrime për shkakun e paqëndrueshmërisë politike në vend, kryesisht gjatë kryengritjes myslimane të sunitëve gjatë vitit 1914, e cila identifikohet me kryengritësin Haxhi Qamili, i cili kishte shpallur vektorin politik osman- turk “Duam Babën”, pra “Duam Sulltanin!”
Fryma e rindërtimit të objekteve të kultit bektashi u shfaq vetëm pas vitit 1920, ç’rast bektashinjtë u njohën si bashkësi fetare me të drejtat e tyre nga Këshilli i Lartë i Regjencës. Më pas lëvizja bektashiane në Shqipëri do të zhvillohej me zhvillime të vendit dhe nga viti 1921 do të fillonte të mbaheshin kongreset, siç ishte ai i Prishtës, ku udhëheqësit bektashi do të adaptonin emrin Komuniteti Bektashian, të çliruar nga varësia e huaj, kryesisht ajo e bektashinjve të Turqisë. Gjatë kësaj kohe në lëvizjen bektashi do të shquanin personalitete të këtij besimi si Baba Ahamet Turani, Baba Suljemani i Teqesë Hajdërie (Gjirokastër) Salih Niazi Dedei njëri prej udhëheqësve të të gjithë bektashinjve. Në kongresin e tretë të bektashinjve administrimi dhe funksionimi i besimit bektashi do të organizohej përmes gjashtë gjyshatave siç ishte: Kruja me seli në teqenë e Fushë Krujës, Elbasani, me seli në teqenë e Krastës, Korça, me seli në teqenë e Melçanit, Gjirokastra, me seli në teqenë e Asim Babait, Prishta që përfaqësonte Beratin dhe një pjesë të Përmetit, Vlora, me seli në teqenë e Frashërit.
Burimet historiografike dhe studimet njoftojnë se në vitin 1928 në Shqipëri kishte 43 teqe, 65 baballarë, një përhapje e rëndësishme deri në çlirimin e vendit. Ashtu siç referojnë dhe interpretojnë pjesa më e madhe e studiuesve të huaj, por dhe të vendit, një rol të rëndësishëm për zgjerimin e ndikimit dhe kthimi në bektashi të shumë shqiptarëve gjatë këtyre zhvillimeve historike kombëtare, lidhet me qasjen atdhetare patriotike të klerit bektashi, por dhe të qëndrimit aktiv lidhur me zhvillimin kulturorë dhe atë të arsimit në Shqipëri.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe më pas sistemi totalitarë në Shqipëri për 45 vjet ishin situata të rënda dhe të shoqëruara me drama dhe tragjedi dhe në mesin e bektashinjve shqiptarë. Partizanët komunistë, sipas interpretimit burimorë të Elsies, sapo morën pushtetin kishin vendosur që të ndalonte tërësisht bashkësinë bektashi. Situata brenda bektashinjve arriti deri aty sa njëri nga bektashinjtë më të devotshëm të kohës Abaz Hilmi Deda qëlloi dhe vrau Baba Faja Martaneshin, i cili ishte lidhur si bashkëpunëtor i ngushtë i komunistëve që kishin ardhur në pushtet. Shpejt komunistët i kishin në kontrollin e vet rendin bektashian në Shqipëri. Pavarësisht kongreseve të tyre, raportet e tyre me pushtetin komunist ishin të prishura, raporte që do të ktheheshin në një armiqësi për jetë a vdekje në vitin 1967, ku në kushtetutën e Shqipërisë do të vendosej neni nr 37, në të cilin shkruhej:”Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencorë”, një nen që u shoqërua me një luftë militantësh dhe aksione në të gjithë vendin për rrënimin dhe shkatërrimin e të gjithë institucioneve fetare dhe për demaskimin e klerikëve të të gjithë besimeve, njëri prej të cilëve ishte dhe ai bektashi. Sistemi totalitarë i Shqipërisë nuk arriti të rrënonte teqenë e Gjakovës dhe atë të Taylor në Detroid të SHBA-ve, të cilën e kishte drejtuar Baba Rexhepi.
Zhvillimet politike të vitit 1990, me rënien e sistemit totalitarë në Shqipëri rikthyen përsëri angazhimin për rimëkëmbjen e besimit bektashi në Shqipëri, si një trashëgimi e mirë dhe e rëndësishme për vendin, kulturën dhe harmoninë ndër njerëzore. Shteti demokratik i kohës lejoi ushtrimin e besimit dhe rikthimin e institucioneve fetare me të drejta të njohura të tyre. Në vitin 1991 bashkësia bektashiane u themelua në Tiranë, ndërsa Baba Reshat Bardhi mori detyrën e Kryegjyshit me një detyrë të rëndësishme për të kthyer në aktivitet dhe veprimtari traditën e njohur dhe rrjetin e madh të teqeve të Shqipërisë, të cilat ishin rrënuar dhe shkatërruar në themel. Sot institucionet dhe mjaft nga objektet e kultit bektashi (teqetë) janë aktive në vijim të traditës së mëparshme ku ata kanë vepruar, ndërsa hierarkia e saj është e njohur dhe respektohet nga të gjithë bektashinjtë. Në kushte e sotme rendi bektashi drejtohet nga gjashtë gjyshata (Gjirokastër, Korçë, Krujë, Elbasan, Vlorë dhe Berat), por ajo që bie në sy është mungesa e klerit bektashi, çfarë e vështirëson shumë punën dhe vijimësinë e traditës në të gjithë shtrirjen e tyre të gjerë në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Në këtë këndvështrim dhe udhëtim të thjeshtë, që lidhet me historinë e bektashizmit, që nga burimi legjendarë dhe në vazhdim, më pas me atë shqiptarë, më i rëndësishmi sot për bektashizmin në botë, bie në sy një kontribut i çmuar që ai i ka dhënë vendit për shkakun e burimit ku bektashizmi mbështetet, siç thuhet ndryshe besojnë në Hakk (e vërteta), duke lënë gjurmë dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë kulturore dhe atë të edukimit atdhetarë e patriotik të shqiptarëve, sa me të drejtë studiuesi Robert Elsie shkruan:”Pa bektashinjtë, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot.”
2.
Kapitulli i dytë i librit “Bektashinjtë shqiptarë” është nga më të rëndësishmit n punimin e Elsies, pasi pas pjesë legjendare të besimit apo rendit bektashian, studiuesi sjell në punimin e tij vlerën shkrimore, kontributet shkrimore, pra besimin bektashi në studimet, të cilët janë kryesisht të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Në këtë pjesë zë vend studimi i studiuesit dhe kronikanit të njohur turk Elvia Çelebiu, i cili flet dhe shkruan për bektashinjtë shqiptarë në vitin 1670, pastaj vijnë dëshmitë për teqet bektashie shqiptare në Mitrovicë e vitit 1660, teqenë e Kaçanikut, e vitit 1660, teqenë e Kninës në jugun e vendit në vitin 1670, po ashtu dhe teqeja e Vlorës, po e vitit 1670. Studimet dhe njoftimet vijnë me të dhëna dhe dëshmi interesante si janë ndërtuar, formën e tyre, kush ka shërbyer, vendin, një lloj perceptmi për njerëzit e këtij rendi besimi, ku shërbejnë dervishët dhe baballarët e teqeve.
Kapitulli i dytë i këtij punimi është më i nevojshmi dhe më i kompletuari, i cili pas historisë së bektashizmit në Shqipëri dhe të rendit të këtij besimi tek shqiptarët, përmbush pjesën më të rëndësishme të punimit, duke i dhënë atij një çertifikatë kohë, vlerësimi dhe kontributi. Robert Elsie ka gjurmuar dhe ka hulumtuar një hapësirë kohore, arkiva, libra, dëshmi të udhëtarëve të huaj apo kronikanëve të huaj dhe ka zbuluar shënime, qëndrime, vlerësime, dëshmi të të huajve por dhe të vendit mbi bektashinjtë shqiptarë. Kjo pjesë e librit qëndron si një libër më vete për shkakun se në të ka një vlerësim të gjerësishëm në kompleksin e të gjithë këtyre udhëtarëve dhe kronikanëve, të cilët janë të shumtë.
Ajo që është e rëndësishme në këtë rast, ne mendojmë se ka të bëjë me qëndrimet dhe veçanësitë që këta studiues apo udhëtarë të huaj kanë gjetur në këtë vend të vogël, i pushtuar nga Perandoria Osmane e kohës për një kohë relativisht të gjatë, me atë që bektashizmi sillte në spektrin disa elementesh të nacionalizmit shqiptar, emancipimin kulturorë dhe diturorë të tij në këtë kuadër, për të ruajtur proteinën kombëtare, por dhe me përvetësimin dhe nderimin nga njerëzit të këtij besimi, i cili kishte depërtuar që herët në vendin e vogël.
Në këtë kronikë të gjerësishme të dhënash dhe dëshmish për bektashizmin spikasin emra të njohur të dijes albanologjike, etnologë, gjuhëtarë, folkloristë, historianë, publicistë, korrespondentë të agjencive të lajmeve në Evropë, atashe kulturorë, ambasadorë dhe të tjerë. Kështu linguisti i njohur Hahni sjell një pamje dhe një të dhënë interesante nga Jugu i Shqipërisë, nga teqeja e Kaninës njëra nga m ëtë njohurat dhe më të vjetrat në vend, të cilit i bën përshtypje pelegrinazhi i njerëzve në këtë vend të shenjtë, të cilët vijnë nga larg; po ashtu interesant është dhe qëndrimi dhe të dhënat që sjell murgu grek Zosimas i Atosit për teqenë bektashiane të Thesalisë, por dhe Andreas Karkavitas për teqen bektashiane po në Thesalisë që nga viti 1892, ku krahas besimit bie në sy dhe një kronikë e gjerë e zhvillimit shqiptar, jetën, natyrën, qëndrime të tjera për etnologjinë apo etnografinë.
Një vend të rëndësishëm në këtë kronikë, e cila me të drejtë mund të quhet, “kronika etë huajve” zënë dhe dëshmitë e udhëtarëve apo studiuesve të huaj perëndimorë, në shënimet e të cilëve spikasin interpretimet mbi raportet që shqiptari, dhe një bektashi ka me zhvillimet politike të kohës, për shkakun e pushtimit të vendit nga otomanët. Italiani Antonio Baldacci (1895) një studiues i njohur botanist) ka bërë një udhëtim në Berat, Tepelenë e Gjirokastër, i cili krahas hulumtimeve të tij nuk lë pa përmendur, madje duke sjellë dhe të dhëna mbi besimin bektashi në këto anë, për dogmën bektashiane, si thotë ai Allahu- Muhameti- Aliu. “Fletore e bektashinjet” e Naim Frashërit zë një vend të rëndësishëm në studimin e Elsies, për këtë kontribut të Naimit është folur dhe më parë.
Një dëshmi mbi Sari Salltëkun e Krujës sjell dhe një udhëtar e studiues francez Aleksandre Degrand në vitin 1901, i cili vinte nga Parisi, të cilit i bie në sy krahas natyrës së këtij besimi, një lloj krenarie të shqiptarëve, pastaj një arkeolog anglez Sir Arthur Evans, i cil dëshmon për teqenë e Tekijes në lindje të Shkupit, të cilit i bën përshtypje rituali i rendit të bektashinjve. Edith Durhami është një nga hulumtueset dhe një nga dëshmitë më të rëndësishme të botës shqiptare në kompleks, por dhe të bektashinjve, e cila e preku me dorë të gjithë realitetin shqiptarë si në Veri ashtu dhe në Jugun e vendit. Të dhënat etnologjike dhe etnografike, parë me një sy të hollë të një studiueseje të pasionuar janë burime referuese dhe për vetë autorët shqiptarë, të cilët nuk i janë shmangur këtij kontributi madhorë të saj. Theodhor Ippen (1907) është një nga dëshmuesit m interesant të etnologjisë, por dhe të besimit bektashi në Shqipëri. Ai ka vizituar Krujën, por të dhënat dhe interpretimi i tij është i rëndësishëm për peshën që kjo qendër madhe dhe më e vjetra ndoshta e bektashizmit në Shqipëri. Kruja është një qendër e vjetër qytetare në Shqipëri dhe ajo lidh veriun dhe jugun e Shqipërisë, kështu që dëshmitë që vijnë nga ky qytet jan ëtë rëndësishme për bektashizmin shqiptarë.
Elsie nuk ka lënë pa futë në burimet për bektashizmin dhe Ekrem Be Vlorën, një njeri me reputacion shkrimorë, i cili ka dalë vonë në dritë për shkakun e kufizimeve ideologjike totalitare. Ekrem Be Vlora është një personalitet me reputacion në Shqipëri, thotë studiuese, dhe ai nuk ka nguruar ta sjellë dhe opinionin dhe vlerësimin që ia kishte për bektashizmin shqiptarë, pavarësisht kufizimeve që ka pasur në jo pak raste, për shkakun e formimit të tij. Ekrem Be Vlora flet për Malin e Tomorrit, për të cilin ka legjenda dhe një pelegrinazh të njohur gjatë muajit gusht, në të cilin mendohet se qëndron një nga figurat më autoritare të këtij besimi në Shqipëri, dhe jo më kot Mali i Tomorrit është quajtur dhe nga rilindësit si Mali i Perëndive.
Në këtë pjesë të gjerësishme dhe shumë të rëndësishme të librit janë disa dhjetra autorë të huaj që në shënimet e tyre sjellin dëshmi, një raport të konsiderueshëm të të huajve, por dhe të studiuesve të shumtë për teqetë, njerëzit bektashi, vendet e shenjta, jetesën, marrëdhnëiet dhe të dhëna të tjera, duke i dhënë këtij besimi një vlerësim shkrimorë mjaft të rëndësishëm dhe të nevojshëm për këtë rend të besimtarëve bektashi. Përmes këtyre shënimeve dhe interpretimeve, kronika historike, jo vetëm e bektashnjve, por ajo shqiptare merr dhe vlerësim në mediumet e huaj, arkivat dhe librat e historisë, gjuhësisë dhe etnografisë. Të tillë janë shënimet e Max Choublier (francez), Gabriel Luis- Jaray (francez), Frederik Haluck (anglez), Justin Godard (francez), Margaret Hasluck (angleze), Franz Bainger (gjerman), Dayrell Oakley- Hill (ushtarak anglez), Baba Ali Tomorri (shqiptar, historian i bektashinjve), Friedrich Markgraf (botanist gjerman), Joseph Svire (gazetar anglez), Richard Busch- zantner (studies gjerman), John Kingsley Birge (protestant amerikan), dhe shumë studiues të tjerë përgjatë viteve 1900 dhe deri tash vonë nga studiues , të cilët janë marrë me çështjet e besimit dhe të nacionalizmit, të cilët gjejnë tek besimi bektashi një tharm dhe një psikologji interesante të vendit, ku historia e krijimit të tij është pleksur me qëndrimet për çështje fondamentale.
Të gjithë dëshmitë që vijnë përmes këtyre autorëve me një shtrirje të gjerë në kohë, por dhe me një gjeografi të madhe evropiane nga ata kanë ardhur, sjellin po ashtu një tablo të gjerë, në gati gjithë hapësirën shqiptare ku ka teqe dhe histori bektashiane, të cilët flasin për të dhëna të imta, karaktere njerëzore, për kultin e besimit, historinë e këtij besimi, jetën dhe devocionin, për arsyetime në pelegrinazhe të shumta etj.
3.
Kapitulli i tretë i librit është ngritur mbi evidentimin e teqeve dhe faltoreve bektashie shqiptare sipas një rendi alfabetik siç është Alipostivan (Përmet), Aranitas (Gjirokastër), Backë (Skrapar), Bënçë (Tepelenë), Berat (Qarku i Beratit), Bllacë (Dibër), Borsh (Sarandë), Brerimë (Skrapar), Bubës i Parë (Përmet), Bubës i Sipërm (Përmet), Bulqizë (Bulqizë), Cakran (Fier), Çerricë (Skrapar), Çorrush (Mallakastër), Delvinë (Delvinë), Drisht (Shkodër), Drizar (Mallakastër), Dukaj (Tepelenë), Dushk (Gramsh), Elbasan (Elbasan), Frashër (Përmet), Fratar (Mallkastër), Fushë Krujë (Krujë), Gjirokastër (Gjirokastër), Gjonëm/ Gjorm (Kurbin), Gjorm (Vlorë), etj, d.m.th gjithë rrjeti i teqeve bektashije brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku studiuesi përpiqet të sjellë përmes gjithë shënimeve dhe burimet të dhëna të plota për secilën teqe, kush ka shërbyer dhe historinë e saj, gjendjen ën kushtet e sotme të tyre.
Evidentimi dhe krijimi i një harte të teqeve dhe objekteve të kultit bektashi në Shqipëri ka një rëndësi të veçantë në një punim të kësaj natyre, pasi shumë nga të dhënat dhe dëshmitë për to vjen nga burime të huaja. Elsie përdor dhe nuk harron kurrë të shënojë referencat nga i ka marrë të dhënat historike, duke e rikonfirmuar shumësinë burimeve shkrimore të rendit bektashi në Shqipëri.
4.
Në kapitullin e katërt, Elsie është marrë me risjelljen në vëmendjen e lexuesit, por dhe historisë së bektashizmit shqiptarë të figurave të njohura, të cilët kanë qenë themeluesit, personalitetet që i akne shërbyer dhe kanë krijuar një histori krenarie për bektashizmin shqiptarë që herët e deri në ditët tona. Janë figura komplekse, njerëz të ditur, të aftë për t’i shërbyer rendit bektashi në të gjithë pikëpamjet, të ndershëm dhe me mbështetje të madhe tek besimtarët, njerëz që kanë sakrifikuar, që kanë respektuar hierarkinë klerikale bektashiane, interpret të rëndësishëm të besimi, atdhetarë dhe patriotë të sprovuar. Në radhnë e këtyre kontribuesëve ka një numër të konsiderueshëm figurash të shquara që nga Abaz Hilmi, Dede Baba , Abaz Aliu, Abdullah Babai i Melçanit, Abedin Babai i Leskovikut, Adem Babai i Prizrenit, Adem Vexh- hi Babai i Gjakovës, Ahmet Babai i Turanit, Ahmet Babai i Prishtës, Ahmet Karanxha, Ahmet Sirri Babai i Mokattamit, Ahmet Myftari, Dede Baba, Ali Baba i Beratit, Ali Baba i Tomorrit, Ali Baba Horasani i Fushë Krujës, Ali Haqi Babai i Gjirokastrës, Salih Nijazi, Dede Baba dhe shumë të tjerë, deri tek figurat e fundit bektashie të ditëve të sotme si Dede Reshat Bardha apo kryegjyshi botërorë Baba Mond Brahimi, figura të cilët kanë vënë gjithçka kanë mundur në themelet dhe mbijetesën e rendit bektashian në Shqipëri që nga legjenda deri në ditët e sotme. Gati të gjithë figurat klerikale bektashiane në këtë kapitull janë të ndërtuara mbi historinë e krijimit dhe kontributit të tyre, duke dhënë një ndihmesë dhe në historinë e bektashizmit në këtë rast, pasi çështja më e rëndësishme në këtë studim të gjerësishëm është pikërisht historia e bektashizmit tek shqiptarët.
5.
Në përmbylljen e kësaj recente, e cila nuk ka të bëjë me një studim historik të detajuar të historisë, vendeve, njerëzve, teqeve apo ngjarjeve të veçanta që lidhen me bektashizmin, por me vlerësimin e një botimi të një studiuesi të huaj si Robert Elsie, nuk duhet harruar shënimet e termave të ritit bektashi, terma që interpretojnë drejt besimin, strukturën dhe hierarkinë, ritualet dhe komunikimin brenda teqeve apo besimtarëve, por dhe mënyrën si e bën shërbesën dhe lutjen që bën besimtari, por dhe administrimin shpirtërorë, i cili ka rëndësinë e vet në këtë rast.
Një rëndësi dhe peshë të konsiderueshme në studimin e Elsie është bibliografia e gjerësishme dhe interesante që autori ka përdorur. Bibliografia është themeli dhe struktura e gjithë ngrehinës së këtij libri, e cila përveçse i shërben tematikës së gjerë dhe gjithëpërfshirëse të librit, ajo ndihmon studiuesit pët të gjetur informacion të gjerësuar lidhur me bektashizmin.
Në vlerësimin tim, libri “Bektashinjtë shqiptarë” i Elsies është një nga botimet me peshë, me kapacitetin më të madh dhe më specifik të mundshëm shkencorë lidhur me besimin bektashi ndër shqiptarët. Ai është një kontribut dhe një vlerë e çmuar për bektashizmin.