Kryeministri Rama i detyrohet një shpjegim popullit të tij, mbi reagimin për vaksinën ruse!
Nikollaq Neranxi
Dëgjova Kryeministrin Rama dy ditë më parë, i cili oferten e Ambasadës Ruse në Tiranë për të blerë vaksinën e tyre, e quajti provokim dhe qesharak.
Jo vetëm kaq, por ai pretendoi që t’i kerkonin edhe ndjesë! Meqë Kryeministri flet në emër të popullit të tij, ai na detyrohet një spjegim për këtë reagim. Pse duhet të ndjehemi të ofenduar kur një shtet me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike, na ofron vaksinën e prodhuar prej tij? A ka ndonjë studim që e hedh poshtë efektivitetin e saj? Unë kam lexuar dhe nuk kam gjetur.
Si një qytetar i këtij vendi i cili nuk do t’ia dijë për konfigurimet dhe interesat gjeopolitike, por dhe financiare të momentit dhe që koronavirusi i kërcënon për ditë jetën, reagimi i Kryeministrit m’u duk shumë i pakuptimtë dhe aspak diplomatik!
Personalisht besoj tek vaksina që kanë shpikur shkencëtarët ruse, ashtu siç kemi besuar tek librat ruse me të cilat unë dhe brezi im u shkolluam dhe dolëm profesionistë shumë të mirë.
Ne si popull nuk na intereson shumë se me cilin shtet duhet ta mbajë mirë qeveria jone këto kohë, kujt i ka premtuar se do t’i blejë vaksinën dhe me cilin duhet të bëjë si i zemëruar!
Lufta për të shpëtuar jetë nuk ka lidhje me këto, por me cilësinë e vaksinës që ofrohet dhe ardhjen e saj sa me shpejt në Shqipëri.
Unë do të isha i gatshëm, bashkë me familjen dhe stafin tim, ta bënim që nesër vaksinën ruse, për sa kohë nuk kam gjetur një kontestim bindës për të. Nëse Kryeministri ynë ka gjetur, do ishte mirë të na e thoshte edhe ne.